Kishte një skenë në Bundestagun gjerman, kur Friedrich Merz u votua si kancelar i Gjermanisë, që në Shqipëri është e vështirë të mendohet se mund të shikohet.
I pari që nxitoi t’i shtrëngonte dorën dhe ta uronte, ishte rivali i tij, ish-paraardhësi Olaf Scholz, të cilin Merz e mundi dhe po i zinte vendin.
Edhe pse garuan kundër njëri-tjetrit, në fund, për hir të vendit, ata bënë koalicion së bashku dhe Scholz me përulësinë më të madhe, bashkoi votat me kundërshtarin e tij, që ai të bëhej kancelar.
Imagjinoni tani, të ndodhte kjo gjë në vendin tonë dhe të shikoje fjala vjen, Sali Berishën apo Edi Ramën, që të uronin njëri-tjetrin për fitoren, se për të bërë koalicion që tjetri të zgjidhej kryeministër, as që bëhet fjalë.
Këtu, nga mëngjesi në darkë, kundërshtari vizatohet dhe sulmohet si e keqja më e madhe e vendit, dikush që jo vetëm nuk duhet të votohet, por edhe të urrehet nga pala tjetër.
Është ngulitur aq shumë kjo frymë urrejtje, sa kundërshtari konsiderohet si armik i betuar, i cili duhet luftuar me të gjitha mënyrat.
Dëgjoni si flasin dhe e etiketojnë njëri-tjetrin në fushatë: “Buf”, “Kënetë”, “I rrjedhur”, “Çyryk”, “Kriminel”, “Terrorist”, “Hajdut”, “Pervers”, “Lubi”, “Drogaxhi” etj etj.
Dhe nuk mjaftojnë vetëm fjalët, se ku ma gjen!
Fjalët kthehen në vepra dhe në… vrasje, se rrahjet tashmë janë bërë të zakonshme.
Kanë 30 e kusur vjet, që punojnë me zell dhe ditë pas dite, jo veç në fushata, për polarizimin e skajshëm të shoqërisë, duke nxitur veç urrejtje e dhunë, me qëllim të qartë.
T’i kthejnë njerëzit në militantë të verbër, që as dëgjojnë, as shikojnë, as mendojnë, vetëm votojnë!
Le të vjedhësh, të vrasësh, të shkaktosh edhe trazira sociale apo luftëra civile, prapë do të votojnë.
Vetëm ai qeni të mos e marrë…/Tema
Komente
