Blegtorët në Fier në protestë për çmimin e qumështit, bllokojnë rrugën: Grumbulluesit po na falimentojnë! Autoriteti i Konkurrencës hap hetim

23 Janar, 13:39| Përditesimi: 23 Janar, 15:21

  • Share

Blegtorët e Fierit e Mallakastrës protestuan këtë të martë për fiksimin në treg të çmimit të qumështit nga fabrikat dhe baxhot. Ata bllokuan për disa minuta aksin nacional Fier-Tepelenë.

Ata kërkojnë nga shteti të ndërhyjë, pasi fabrikat që grumbullojnë lenden e parë për industrinë e përpunimit të bulmetit kanë paracaktuar çmimin 120 lek për litër, ndërsa një vit më parë qumështi i deles kushtonte 160 lek për litër.

“Protestojmë për çmimin e qumështit. Kompanitë e grumbullimit kanë vendosur ta blejnë më lirë. Vjet ishte 160 me lek për litër, sivjet me 120 lek për litër”.

“Problemi është duhet ndërhyrje nga shteti. Duam sensibilizim e shtetit të dijë ku të ndërhyjë. Sot 50 lek bën një bidon ujë, dhe një kile qumësht 100 lek? Ku është parë kjo? Duan të tallen me ne! Ku e gjejnë qumështin këta (fabrikat) apo përdorin qumësht pluhur për djathin?”

“Qumështi ka vajtur me 120 lek për litër, ndërsa vjet e kemi shitur me 160 lek për litër. Ne keto kushte ne jemi të detyruar ta shesim bagëtinë”, thonë ata. 

Blegtorët dhe çobanët e Fierit e Mallakastrës thanë se janë në prag falimenti, pasi shpenzimet për mbarështimin e deleve janë tejet te larta.

“Po tallen me ne, baxhot. Çmimi 120 lek për litër është tallës. Unë kam 200 krerë bagëti, një dele do 200 lek në ditë për ta ushqyer. Shteti duhet të shohë këtë punë se çmimin vjet e kishim mirë, këtë vit e ulën baxhot dhe fabrikat e përpunimit të qumështit. Duhet të jetë minimalisht 150 lek për litër”, shprehet një prej blegtorëve. 

Ndërsa subvencioni i Ministrisë së Bujqësisë në vlerë 1200 lekë/krerë është i pamjaftueshëm dhe në zyrat e shtetit blegtoret ndeshen me burokraci.

“Subvecionim s’na jep shteti. Ne jemi drejt falimentit. Të vij unë një javë në Fier për subvecionin, unë skam kohë të rri një javë larg se bagëtia do punë çdo ditë. Kam vajtur dhe më kanë zvarritur hajde neser hajde pasneser. Ne protestën do e vazhdojmë me këtë shtet, që nuk pyet për ne”.

Protestën e ndoqi nga afër kreu i Autoritetitet të Konkurencës, Denar Biba, i cili deklaron se ka nisur hetimi ndaj kompanive për abuzime ne treg.

“Autoriteti i Konkurencës ka hapur një hetim në lidhje me kompanitë e përpunimit të qumështit për abuzime në treg. Sot mësuam se fermeret janë në protestë, erdhem t’i takojmë, ne sdo flasim sot por do flasim me vendim më vonë”, thonë ata. 

Kjo është protesta e tretë në rang vendi pas Vlorës dhe Gjirokastrës, ku blegtorët ngrenë zërin kundër monopolit dhe mungesës së tregtisë së lirë.

S.G/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?