Ekonomi

Blegtorët e Roskovecit në prag falimentimi: Qumështi blihet me 76 lekë dhe shitet trefish më shtrenjtë

25 Qershor, 15:44| Përditesimi: 25 Qershor, 17:01

  • Share

Blegtorët në fshatin Suk 1 të Roskovecit po përballen me vështirësi ekonomike për shkak të çmimit gjithnjë e më të ulët me të cilin fabrikat e përpunimit blejnë qumështin e lopës. Aktualisht, një litër qumësht shitet me vetëm 76 lekë, çmim që nuk mbulon as kostot minimale të prodhimit dhe po i çon fermat familjare drejt mbylljes.

Sulo dhe Jetmir Metushi, dy kushërinj që mbajnë së bashku mbi 75 krerë lopë dhe prodhojnë rreth 750 litra qumësht në ditë. Ata theksojnë se çmimi përcaktohet nga fabrikat përpunuese të bulmetit, pa marrë parasysh shpenzimet e larta që ata kanë për ushqimin e bagëtive, mjekimet, krahun e punës.

“Me këtë çmim jemi në faliment dhe po na detyrojnë t’i shesim lopët, siç kanë bërë edhe shumë të tjerë në fshat”, thotë Sulo Metushi.

Jetmir Metushi shpreh edhe një shqetësim tjetër: Mungesën e mbështetjes së duhur nga shteti.  Edhe pse ka 37 lopë të matrikulluara, ai thotë se i është llogaritur subvencion vetëm për 27 krerë, çka i ka shkaktuar një humbje prej 1 milion lekësh.

“Kam kërkuar sqarime, kam telefonuar institucionet përkatëse, por askush nuk më është përgjigjur,” – thotë ai.

Sipas blegtorëve, çmimi nga grumbulluesit pritet të bjerë edhe më tej, deri në 73 lekë për litër, duke i shtyrë drejt mbylljes së stallave dhe shuarjes së blegtorisë.

Ndërkohë, në treg, çmimi i një litri qumësht të paketuar arrin deri në 190–210 lekë për litër. Kjo do të thotë se fabrikat e përpunimit shesin produktin final me afro trefishin e çmimit, duke përfituar në mënyrë të padrejtë nga puna e blegtoreve. Ndaj ata kërkojnë ndërhyrje urgjente nga shteti për vendosjen e një çmimi dysheme për çmimin e qumështit.

Dikur, fshati Suk 1 kishte mbi 700 krerë lopë. Sot kanë mbetur më pak se 200, dhe numri vazhdon të bjerë çdo vit. Nëse nuk merren masa, kjo zonë rrezikon të humbasë krejtësisht traditën e blegtorisë.

R.D/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Kau: 25/06/2025 22:22

    Ore dhe Ju? Po uji esht me shtrenjt mor. Mos e shisni fare

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se rinumërimi i pothuajse gjysmës së votave është farsë e kotë?