Kronikë

Blendi Gonxhe për Report TV: Kolaudimi i automjeteve nis këtë muaj, nuk do të ketë asnjë lloj gjobe për vonesën! Sistemi i ri i monitorimit do të bëjë maksimumin që ofron shkenca

2 Prill 2021, 17:59| Përditesimi: 2 Prill 2021, 18:17

  • Share

Në prill do të rinis Kolaudimi i automjeteve, pas ndryshimeve që po pëson Kodi Rrugor, pas një pezullimi nga muaji janar, për shkak të amortizimit të pikave të kontrollit teknik gjatë kohës që administroheshin nga koncesionari. Kështu bëri të ditur në një intervistë për Report Tv kreu i DPSHTRR-së, Blendi Gonxhe, ku nënvizoi se sapo të kalojnë në parlament ndryshimet e reja në Kodin Rrugor janë të gatshmë të punojnë me normat e reja.

Tashmë kolaudimi nën përgjegjësinë e DPSHTRR ka edhe ndryshime, ku kontrolli teknik nuk do të kryhet çdo vit, por me afate të tjera. Sipas Gonxhes automjetet që e kanë 6 muaj afatin e konrollit shkon një vit, ato që e kanë 1 vit bëhet 2 vite, ndërkohë që mjetet e reja nga dyqani të paregjistruara më parë nuk do të nuk do të kryejnë kontroll teknik tre vitet e para nga data e regjistrimit. Gonxhe nuk do të ketë asnjë lloj gjobe për vonesën dhe se të gjitha gjobat që do të lidhen me kolaudimin do të vendosen vetëm pas fillimit të ciklit të ri të kolaudimeve me afatet e reja.

‘Makinat e reja nuk do të kryejnë kontroll teknik tre vitet e para nga data e regjistrimit. Përjashtim përbëjnë taksitë, autoambulancat, furgonët, autobusët dhe të gjitha llojet e kamionëve, pra mjetet e transportit të mallrave, të cilat do të kryejnë kontrollin teknik një herë në vit.

Që ta sqaroj afati i shtyrë me akt normativ tremujor, nuk presupozon janar-mars, por çdo certifikatë e vlefshme shtyhet me tre muaj. Ka plot qytetarë psh. e kanë kryer kolaudimin në prill të vitit 2020, do ju skandonte tani në prill 2021, kanë edhe tre muaj afat për ta kryer. Ky tre muaj shkon për të gjitha ata që kanë një certifikatë të vlefshme në automjet, vetëm për ata qytetarë vlefshmërinë e tyre  plus këto tre muaj të aktit normativ dhe kur mund t’ju skadojë hynë në fuqi një dispozitë tjetër e kodit rrugor, ku u jep të drejtën të kenë edhe një muaj afat.

Ajo pjesë e vogël e njerëzve që e kanë konsumuar shtesën kanë edhe një muaj shtesë, është një pjesë shumë e vogël e qytetarëve. Nuk ishte për janar-mars, por ishte për të gjithë gradualisht sipas datave kur e kanë kryer. Ka plot të tillë që e kanë kolaudimin të paskaduar. Të gjithë këta kanë detyrimin që të paguajnë në datën e caktuar, të paraqiten të paguajnë taksat vjetore se përndryshe kanë kamatë në taksa, në momentin që do të paguajnë taksat ata do të marrin edhe një vulë në lejen e qarkullimit ku jepet edhe afati shtesë. Nuk do të kenë asnjë problem në qarkullim.

Pra është folur edhe me policinë. Prilli është momenti që ne do të hapemi, kemi një vonesë të vogël pas miratimit në qeveri, të kalojë në seancë plenare, Kodi Rrugor dhe jemi të gatshëm të punojmë me normat e reja, ne nuk duam që ta hapim kolaudimin me normat e vjetra.

Nuk ka asnjë lloj gjobe. Të gjitha gjobat që lidhen me kolaudimin do të vendosen, vetëm pas fillimit të ciklit të ri të kolaudimeve me afatet e reja. Nuk do ta aplikohen gjoba për vonesën e kolaudimit. Do të fillojmë me masa për moskryerjen e kolaudimit në afat pasi mjetet të kenë ardhur për të marrë nga e para sipas afateve që ne do u njoftojmë kolaudimin, si një shërbim të ri të bërë nga DPSHTRR, me standarde të reja, me certifikatën e re, e vetmja gjë që nuk ka ndryshuar është tarifa.

Afati do të shtohet sipas automjeteve. Ato që e kanë 6 muaj shkon një vit, ato që e kanë 1 vit bëhet 2 vite. Ata që kanë automjete të reja nga dyqani të paregjistruara më parë do të marrin një dokument regjistrimi dhe nuk do të nuk do të kryejnë kontroll teknik tre vitet e para nga data e regjistrimit.’- tha Gonxhe.

Duke folur për risitë që do të ketë, procesi i kolaudimit, Gonxhe nënvizoi se është montuar një sistem i ri monitorimi.

‘Pika e kontrollit, shtyrja e parë ka qenë edhe si mirëkuptim i fazës së pandemisë. Nuk ishte vetëm për çështjen tonë të rihapjes. Situata e pikave nuk është e mirë në totalitetin e vet. Ne nuk kemi marrë vetëm shërbimin, por do të rikonceptohet brenda DPSHTRR. Janë rimarrë nga e para e gjithë rrjedha e punës që kryhet për një linjë kolaudimi.

Do të vijnë njoftime për skandenca, për gjoba, për detyrime që mund të kenë kaluar, për dokumentacione që duhet ti kesh. Shkojmë ne pranë qytetarit me këto informacion. Ndryshojnë një pjesë e mirë e paisjeve, punohet me përpunim të të dhënave. Të gjitha do të jenë automatike, është montuar sistemi i ri i monitorimit. Është një standard i ri që do të vendosim.

Ajo që dimë me prova është se sistemi i ri do të bëjë maksimumin që ofron shkenca, përmes targës, me sistemet globale të verifikimit, për karakteristikat e ndryshimet teknike. Do të dalë automatikisht tek mjeti juaj çdo ndryshim që ju keni bërë pautorizuar. Psh. errësim xhamash dhe nuk pajiseni me certifikatë. Të gjitha do të jenë më të kollajshme të procesohen, pasi sistemet tashmë janë një. Do të ketë një kontroll më të mirë vizual pamor.’- tha Gonxhe.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?