Kolegu Bushati argumenton se kush pretendon se Berisha i humbi zgjedhjet, apo se Rama i fiton zgjedhjet përballë berishizmit edhe pa krimin e organizuar, justifikon anormalitetin kriminal të regjimit socialist.
Sipas këtij arësyetimi është e pamundur që dy të vërteta të bashkëjetojnë; 1. Berisha i humbi zgjedhjet dhe 2. krimi i organizuar dhe përdorimi i administratës e fryu fitoren elektorale të Ramës, por nuk e përcaktoi atë.
Që krimi i organizuar luajti rol në zgjedhje mund të supozohet lehtë nga rezultatet e fryra elektorale të kandidatëve politikisht anonim të Partisë Socialiste në Elbasan dhe Durrës. Edhe rezultati spektakolar i ish-prokurorit Arjan Ndoja, i përfolur për lidhje me krimin, hedh dyshime mbi rolin e krimit të organizuar në fryrjen e rezultatit elektoral të PD-së në Durrës.
Natyrisht mbetet për tu parë sa dhe si krimi i organizuar ndikoi në këto zgjedhje. Për mendimin tim, nuk ka dyshim që ai favorizoi partinë në pushtet, sepse krimi tenton të afrohet me pushtetin më shumë se me opozitën, aq më tepër kur kjo e fundit është tejet e dobët. Ama ende nuk është e qartë nëse kemi të bëjmë me blerje të votës, me kërcënim elektoral apo me klientelizëm politik, që janë fenomene shumë të ndryshme.
Nga ana tjetër është e qartë se shkaku kryesor i katastrofës elektorale të PD-së berishiste nuk ishte krimi dhe manipulimi por braktisja nga elektorati opozitar. Këtë e tregoi jo vetëm humbja e qartë në të gjitha njësitë urbane të Bashkisë së Tiranës por edhe rënia e thellë e votës së PD-së në raport me vitin 2021 në rang vendi, cka nuk mund të shpjegohet as me krimin e organizuar, as me përdorimin e administratës publike dhe as me emigracionin masiv.
Nivelet e emigracionit shqiptar kanë qenë të larta dhe pothuajse konstante gjatë dekadës së fundit. Megjithatë PD-ja arriti ta rriste votën e saj nga 456 mijë që ishte në zgjedhjet e vitit 2017 në 622 mijë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, pavarësisht zbrazjes së Shqipërisë në periudhën 2017-2021.
Ishte braktisja e berishizmit nga elektorati që prodhoi rritjen spektakolare të mandateve socialiste në Kuvend edhe pse nuk pati një rritje spektakolare të votës socialiste. Ndaj është mëse e llogjikëshme të konkludosh se në zgjedhjet e fundit parlamentare më shumë se me fitore të Ramës (që natyrisht fitoi) kemi të bëjmë me humbje të Berishës (që natyrisht humbi).
Kjo është një e vërtetë e thjeshtë që kolegu Bushati dhe analistët e tjerë të rrjeshtuar përkrah Berishës e dinë mirë, por nuk e pranojnë për arësye politike dhe jo intelektuale apo morale.
Humbja e thellë elektorale e Berishës nxjerr zbuluar absurditetin e investimit të tyre mediatik për konsolidimin e berishizmit brenda PD-së me pretekstin fantastik se ai është opozita e vërtetë dhe demokratike dhe jo paterica legjitimuese e regjimit Rama, sikurse treguan zgjedhjet e fundit.
Sot ata vazhdojnë me të njëjtën përrallë edhe pse ndershmëria intelektuale nuk toleron mohimin apo injorimin e fakteve, sic janë rënia e thellë elektorale e berishizmit në zgjedhjet e fundit, humbja e thellë në të gjitha njësitë administrative urbane të Tiranës dhe të gjitha sondazhet ku PD-ja dhe Berisha dilnin humbës si në votë edhe në nivel popullariteti. Asnjë nga evidencat e mësipërme të katastrofës elektorale berishiste nuk shpjegohet dot me krimin e organizuar.
E megjithatë i gjithë shpjegimi i kolegut Bushati në lidhje me rezultatin e zgjedhjeve reduktohet tek denoncimi i farsës elektorale që u prodhua nga krimi i organizuar i Ramës. Kështu një e vërtetë e pjesëshme përdoret për të mbuluar të vërtetën e plotë, propaganda politike gllabëron analizën intelektuale.
Sipas kësaj propagande nuk ishte berishizmi, fushata e tij elektorale mjerane dhe listat skandaloze, por Troplinët, Evis Cela dhe Visi Pojës që e përcaktuan rezultatin e zgjedhjeve të fundit. Ndaj doktori duhet të vazhdojë në krye të PD-së deri në zgjedhjet e ardhëshme ku do denoncojë farsën elektorale të radhës. Neni Basha ishte për Bashën jo për Berishën. Doktori është mbi normat pasi ai është vetë norma.
Për mendimin tim, ky është anormaliteti më i madh me të cilin përballet demokracia jonë sot; shkatërrimi i cdo standarti dhe parimi demokratik si pasojë e transformimit të partive politike në zgjatime të kryetarit.
Askund nuk është më tronditës ky fenomen sesa tek Partia Demokratike ku përjetësimi i Berishës ka bllokuar reformimin dhe demokratizimin e saj duke e reduktuar në autoparlant të interesave të ngushta familjare dhe si pasojë në legjitimuese të pushtetit socialist.
Natyrisht kjo nuk i heq Ramës dhe PS-së përgjegjësinë për mungesën e transparencës në qeverisje, për korrupsionin, për lidhjet me krimin e organizuar dhe për transformimin e Shqipërisë në një republikë kryeministrore ku parlamenti është reduktuar në vulën e kryeministrit.
Por askush nuk ka argumentuar se anormaliteti Berisha justifikon anormalitetin Rama. Argumenti im, dhe i shumë analistëve të tjerë, është se anormaliteti Berisha legjitimon dhe mban në këmbë anormalitetin Rama.
Fatkeqësisht në gjuhën kopace të berishizmit nuk ka vend për nuancat dhe dallimet konceptuale sepse ajo është e ndërtuar për dajak dhe jo analizë. Kështu koncepti “legjitimon” lexohet “justifikon”. Argumenti “berishizmi legjitimon Ramën”, transformohet në “berishizmi justifikon regjimin Rama” për tu deformuar më pas në “fajin për korrupsionin e Ramës e ka Berisha.”
Në fakt nuk ekziston asnjë kritik i berishizmit, majtas apo djathtas, që ka argumentuar se fajin për korrupsionin dhe autoritarizmin e Ramës e ka Berisha dhe jo Rama, sikurse pretendojnë berishistët. Të vetmit që e kanë artikuluar këtë pseudo-argument janë berishistët, sepse është i vetmi argument me të cilin ata përballen me “sukses” në sferën publike duke u çjerrë se “nuk mund të fajësohet Berisha për gjithçka”.
Ama kritika ndaj berishizmit nuk e fajëson atë për deformimet e pushtetit. Ajo thjesht argumenton se berishizmi është i paaftë ti luftojë këto deformime sepse ofron një standart politik më të ulët se ai i pushtetit. Interpretimi i kësaj kritike si natyralizim i anormalitetit të pushtetit ramist është propagandë politike jo analizë intelektuale.
Të nxjerrësh në pah dhe të argumentosh paaftësinë e berishizmit për të përmbysur jo thjesht Ramën si individ, por fenomenet e korrupsionit, të kapjes së shtetit dhe të autoritarizmit që ka prodhuar qeverisja Rama nuk do të thotë të mohosh as korrupsionin, as autoritarizmin dhe as lidhjet e pushtetit aktual me krimin, përkundrazi.
Problemi është se këto anormalitete janë të pritëshme dhe të shpjegueshme, ndonëse jo të justifikueshme, tek një force politike që ka dymbëdhjet vite në pushtet. Shembuj të degjenerimit politik dhe korruptiv të një force politike që ka shumë vite në pushtet gjen pafund edhe në vende të zhvilluara demokratike.
Ajo që është vështirë të gjesh në historinë e sistemeve demokratike bipolare është përjetësimi i liderit në opozitë dhe jo në pushtet. Që pushteti korrupton dhe korruptohet e kishim të qartë.
Ama korruptimi i opozitës është një anomali politike superiore që hedh në erë të gjithë dialektikën demokratike ku reformimi, demokratizimi, pastrimi dhe anti-korrupsioni fillon në opozitë dhe mbaron në pushtet, dhe jo anasjelltas.
Ndaj farsa më e madhe në skenën tonë politike sot nuk është rezultati i zgjedhjeve të fundit parlamentare, por opozitarizmi berishist që synim kryesor nuk ka ndërtimin e një alternative politike përballë “regjimit” Rama por trashëgimin e PD-së nga babai tek fëmijët.
Të pretendosh që farsa e opozitarizmit berishist mund të përdoret si platformë politike për ti bërë moral shqiptarëve mbi domosdoshmërinë e parimeve politike, demokratike dhe intelektuale në sferën publike, është absurde.
Kjo është, ndoshta, anomalia e dytë më e madhe e skenës sonë politike “moralizimi berishist”, që denoncon shqiptarët sepse shiten tek Rama kur mund ti shërbenin familjes Berisha, siç bën PD-ja sot./Javanews
Komente
