Në artikullin e tij “Si të dallosh një kriptoramist” kolegu Bushati ofron një manual për të dalluar kriptoramistët, ose ramistët e fshehtë. Janë ata që në publik e kritikojnë Ramën por në mënyrë private e dashurojnë atë.
Nga pikpamja politike ka shumë pak rëndësi kush është kriptoramist dhe kush vuan nga Ramofobia. E rëndësishme është kush i shërben Ramës politikisht, dhe kjo nuk është çështje ndjenjash por llogjike. Sikurse do argumentoj më poshtë urrejtja ndaj Ramës të transformon shumë lehtë në shërbëtor të zellshëm të tij.
Ndaj pyetja që duhet të shtrojmë sot nuk është kush e do apo kush e urren më shumë Ramën, por kush i shërben më shumë axhendës së tij politike. E thënë ndryshe, kush është faktori kryesor që e mban dhe e legjitimon Ramën sot në pushtet?
Përgjigja berishiste ndaj kësaj pyetje është “regjimi Rama”, kapja e shtetit, krimi organizuar, kontrolli i mediave dhe manipulimi i zgjedhjeve. Sipas kësaj teorie Rama vazhdon në pushtet sepse ne nuk jetojmë në demokraci, por jemi në një regjim autoritar apo diktatorial, si Erdogani në Turqi, Orbani në Hungari apo Maduro në Venezuelë.
Ndonëse është e pamohueshme që Rama qeveris në mënyrë autoritare dhe jo transparente, që PS-në e ka kthyer në një varrezë politike ku nuk bëzan askush, që krimi i organizuar ka penetruar në qeverisjen socialiste, shpjegimi i mësipërm nuk është i mjaftueshëm, për faktin e thjeshtë që edhe në regjimet më autoritare në Evropë opozita politike ka shënuar fitore, të paktën në kryeqytet.
Në Hungari opozita politike kritike me Viktor Orban fitoi bashkinë e Budapestit në zgjedhjet lokale të vitit 2024. Po në vitin 2024 në Turqinë e Erdoganit mega-Bashkinë e Stambollit e fitoi një kandidat i opozitës. Në Venezuelën e Maduros opozita i fitoi zgjedhjet në mënyrë plebishitare aq sa Maduro u detyrua që mos të botojë asnjë procesverbal zgjedhor, të nxjerrë ushtrinë në rrugë për tu përballur me protestuesit, dhe ta dërgoj në azil politik liderin e opozitës.
Është absurde të pretendosh që Shqipëria e Ramës është më pak demokratike se Hungaria ku Viktor Orban kontrollon të gjithë sistemin gjygjësor pasi ndryshoi dy herë kushtetutën sipas midesë së tij, se Turqia e Erdoganit me numrin më të madh të gazetarëve të burgosur në botë apo se Venezuela e Maduros që është në thelb një diktaturë ushtarake.
E mgjithatë në këto vende opozita fiton zgjedhje, të paktën në kryeqytet. Ndërsa opozita jonë humbet thellë edhe në zemër të Tiranës ku as ajo vetë nuk denoncon manipulime dhe krim të organizuar. Kaq mjafton për të kuptuar që “regjimi” Rama nuk mbahet në këmbë thjesht nga krimi, dhuna apo manipulimi por nga alergjia që shumica e shqiptarëve kanë për berishizmin.
Nuk po pretendoj se kryeministri Rama është domosdoshmërisht dashnor i demokracisë dhe lirisë, apo se nesër ai nuk do mund të transformohej në diktator. Thjesht po argumentoj se për momentin ai nuk ka nevojë as të manipulojë zgjedhjet, as të ushtrojë dhunë mbi opozitën dhe as ta çojë liderin e saj në azil politik, sepse me të i fiton zgjedhjet, sondazhet dhe garën e popullaritet shumë lehtë.
Por nuk është ky shërbimi më i madh që berishizmi i bën projektit politik të Edi Ramës dhe të Partisë Socialiste. Akoma më e dobishme është narrativa berishiste se Rama është i pathyeshëm: “Askush nuk fiton përpara Ramës” na thonë berishistët. Është një mit pas të cilit fshihet dështimi politik i berishizmit.
Në narrativën berishiste Rama nuk thyhet as me zgjedhje, as me faktorin ndërkombëtar, as me mos-bindje civile, as me protesta paqësore, as me protesta të dhunëshme, as me bllokim rrugësh, as me çadra anti-sistem, as me bojkot zgjedhjesh dhe as me bojkotin e parlamentit. Të gjitha këto janë mjete që berishizmi i ka përdorur pa sukses për të arritur në konkluzionin që e propogandon pambarim se Rama është i pathyeshëm në të gjitha drejtimet.
Në historinë e sistemeve demokratike është e vështirë të gjesh një opozitë politike që i thotë vazhdimisht elektoratit se partia në pushtet është e pathyeshme në të gjitha frontet. Ashtu sikurse është vështirë të imagjinosh një shërbim më të madh politik ndaj pushtetit se sa një opozitë që fillimisht e fton popullin të dorëzohet para fuqisë së pamatë të pushtetit dhe më pas e denoncon atë si dezertor.
Po denoncimi që i bëjmë autoritarizmit, korrupsionit dhe lidhjes së krimit me pushtetin ramist – do më thonë Berishistët – edhe këto shërbime ndaj regjimit janë? Përgjigja është po.
Nëse pranojmë se thelbi i krizës së demokracisë shqiptare është mungesa e demokracisë brenda partive politike, sikurse argumenton me të drejtë kolegu Neritan Sejamini, berishizmi shërben thjesht për të sfumuar, dhe jo për të nxjerrë në pah, reduktimin e PS-së në një varrezë politike pa mendim dhe debat. Një parti kazermë, për të përdorur termin e Preç Zogajt, duket shumë më mirë se një parti e reduktuar në aneks familjar.
Është mungesa e besueshmërisë së berishizmit që e sfumon në vend që ta denoncojë lidhjen e pushtetit Ramist me krimin e organizuar apo penterimin e këtij të fundit në ekonominë shqiptare. Ndonëse ky penetrim nuk ka filluar me Ramën, në Shqipëri janë ngritur prej kohësh televizione kombëtare dhe lokale më paratë e drogës, ai është konsoliduar gjatë pushtetit socialist.
Ama një opozitë që denoncon si kriminel edhe Suel Çelën edhe Altin Dumanin, edhe Visin e Pojës edhe Lulëzim Bashën, edhe Xhevdet Troplinin edhe analistët anti-berishist, në fakt nuk denoncon askënd. Një opozitë që nga njëra anë denoncon krimin e organizuar dhe nga ana tjetër propozon shkrirjen e institucionit që më shumë goditje i ka dhënë atij, SPAK, prodhon thjesht zhurmë.
Dhe ky është shërbimi i fundit, por jo më pak i rëndësishm, që berishizmi i bën pushtetit, reduktimi i politikës në zhurmë nëpërmjet transformimit të gjuhës politike nga dritë në dru. Berishizmi nuk e përdor gjuhën për të ndriçuar fenomenet politike, siç janë krimi, korrupsioni apo autoritarizmi politik, por si dru për të goditur kundërshtarin e rradhës.
Ky proces e drunjëzon gjuhën, i heq asaj çdo funksion llogjik dhe argumentues duke e kthyer atë thjesht në dajak për të goditur këdo që nuk bie dakord me narrativën berishiste. Ndaj ligjërimi berishist përbëhet nga një varg epitetesh dhe metaforash që funksion themelor kanë denoncimin por jo arësyetimin dhe aq më pak ndriçimin e realitetit ku jetojmë.
Masakër elektorale, farsë elektorale, besëprerë, sorosian, kriptoramist, idiot të dobishëm, analistë kriminel, narko-shtet, bandat, regjimi, këto janë termat e ligjërimit berishist që nuk synojnë argumentimin por thjesht denoncimin dhe stigmatizimin. Është e njëjta gjuhë që, sikurse ka vërejtur me të drejtë analisti Baton Haxhiu, përsëritet e pandryshuar prej tre dekadash.
Ky lloj ligjërimi e varfëron aq shumë gjuhën saqë ajo nuk shërben më për ta deshifruar realitetin por për ta injoruar atë. Kjo është ndoshta dhurata më e madhe që një opozitë mund ti bëjë pushtetit, sepse vdekja e gjuhës, mungesa e verbit politik, pamundëson jo vetëm llogaridhënien e pushtetit por vështirëson imagjinimin e një alternative shpresëdhënëse.
Për këtë arësye normalisht është pushteti ai që tenton ta drunjëzojë gjuhën, ta zhveshë dhe ta varfërojë atë. Gjuha e drunjtë e komunizmit shqiptar nuk ishte e rastësishme. Ajo e reduktonte ligjërimin politik tek parrullat dhe denoncimet e armiqeve të klasës, të imperializmit apo të kriptoborgjezëve sepse në këtë mënyrë reduktonte imagjinatën politike të qytetarit tek realiteti i ngushtë që e mbante në këmbë regjimin komunist.
Marrdhënia e tensionuar e regjimit komunist me veprën e Ismail Kadaresë buronte pikërisht tek pasurimi i horizontit gjuhësor dhe imagjinar që ky autor i ofronte lexuesit shqiptar. Nëprmjet fjalorit të pasur dhe gjenialitetit artistik vepra e Kadaresë i hapte horizonte të reja imagjinatës së qytetarit shqiptar. Kjo përbënte kërcënim serioz për një sistem që mbahej në këmbë nëpërmjet varfërimit të gjuhës dhe reduktimit të horizontit politik të qytetarëve tek parrullat komuniste. Pikërisht për këtë arësye vepra e tij perceptohej shpesh si disidente, edhe kur nuk përmbante ndonjë denoncim të hapur apo të qëllimshëm të regjimit komunist.
Në këtë aspekt varfërimi i vazhdueshëm i gjuhës politike në fushatat elektorale të Partisë Socialiste, herë me tollova, herë me batuta, nuk është i rastësishëm. Metaforat dhe epitetet e Ramës në fushatën e fundit elektorale ishin ose apolitike, si “bufi kënetës” apo “meshkujt çyryk”, ose klishe të tipit “ëndërra evropiane”. Pushteti operon me një gjuhë të thatë që e varfëron mendimin sepse nuk ka armik më të rrezikshëm për të se mendimi kritik dhe imagjinata politike.
Aleati kryesor i pushtetit socialist për të varfëruar gjuhën dhe imagjinatën tonë politike është berishizmi. Në vend që ta pasurojë fjalorin dhe imagjinatën tonë politike, për të menduar një alternative më të mire, berishizmi e redukton atë tek denoncimi dhe ofendimi i armiqëve të rradhës, idiotët e dobishëm, analistët palaço apo kriminel, apo bullicat elektorale.
Nuk është rastësi që ne sot ende nuk kemi fjalorin e nevojshëm për të përshkruar regjimin politik që ka ndërtuar Rama me Partinë Socialiste. Aq e rëndë është situata saqë termi dominues që përdoret sot për të përshkruar sistemin aktual politik është fjala “regjim”.
Po ti referohesh fjalorit shqiptar fjala regjim do të thotë thjesht “mënyra e drejtimit dhe e organizimit politik, ekonomik dhe shoqëror në një shtet.” Pra kur opozita sot thotë se Rama ka ndërtuar në Shqipëri një regjim në fakt nuk thotë asgjë konkrete në lidhje me natyrën e këtij regjimi.
Koncepte të tjera si narko-shteti, që përdoren rëndom nga Berisha, shërbejnë thjesht për ta denoncuar dhe jo ndriçuar realitetin ku jetojmë. Koncepti i narkoshtetit, aq i pasaktë saqë nuk ekziston fare në literaturën politike, në fakt nuk e përshkruan mirë realitetin e qeverisjes Rama.
Në fakt nuk ekzistojnë kritere të qarta apo ndonjë indeks i narkoshteteve. Megjithatë që një vend të klasifikohet si narkoshtet nuk mjafton penetrimi i parave të drogës në ekonomi dhe politikë apo korruptimi i zyrtarëve shtetëror nga trafikantët e drogës, përndryshe jo vetëm Shqipëria por edhe Holanda dhe Belgjika do klasifikoheshin si narkoshtete. Duhet që vetë shteti ose zyrtarë të lartë të tij të jenë të përfshirë në organizimin dhe drejtimin e trafikut të drogës si një aktivitet që prodhon të ardhura të rëndësishme për shtetin.
Për momentin, ndoshta vetëm Venezuela e Nikolas Maduro i përmbush këto kritere sepse aty trafiku i drogës organizohet dhe drejtohet nga vetë ushtria e Venezuelës me pjesmarrjen direkte të zyrtarëve të lartë të qeverisë Maduro. Ndërkohë që të ardhurat e trafikut të drogës janë një burim i rëndësishëm për mbajtjen në këmbë të diktaturës ushtarake të Maduros. Ajo që kemi në Shqipëri nuk është as diktatura ushtarake, as regjimi dhe as narkoshteti por një sistem politik, ekonomik dhe mediatik që prodhon një zhvillim përjashtues dhe jo përfshirës. Një zhvillim që pasuron një pakicë gjithnjë e më të ngushtë por që përjetohet si varfërim (material dhe shpirtëror) nga shumica e shqiptarëve.
Ndonëse ende nuk ia kemi gjetur emrin këtij sistemi (që diku tjetër jam përpjekur ta quaj dubaizim), ajo që mund të thuhet me siguri është se as koncepti i narkoshtetit dhe as koncepte bosh si “regjimi” nuk e kapin esencën e realitetit që përjetojnë shqiptarët.
Në momentin kur ende nuk kemi arritur të emërtojmë realitetin ku jetojmë imagjinimi i një realiteti ndryshe, i një alternative më të mirë, bëhet krejt i pamundur. Kjo natyrisht i leverdis pushtetit që vazhdimisht na thotë se një alternativë më e mirë se Rama nuk mund të imagjinohet në Shqipëri, sidomos kur ke përballë berishizmin me gjuhën e tij si dajak.
Ndaj dhunimi që berishizmi i bën gjuhës sonë politike i shërben përjetësimit të projektit politik të Ramës. Reduktimi i gjuhës në dru për kundërshtarin, në formën e fletërrufeve të Revolucionit Kulturor Kinez që identifikonin kriptoborgjezët, eleminon çdo mundësi për të imagjinuar një realitet më të mirë.
Nuk mund të kesh një imagjinatë të pasur me një gjuhë të varfër. Një shoqëri pa imagjinatë dhe pa gjuhë politike është ëndrra e çdo pushteti autoritar. Kësaj ëndrre të pushtetit ramist i shërben sot me zell berishizmi duke e transformuar debatin politik në një zhurmë që të vetmin parim organizues ka interesin e familjes Berisha.
Natyrisht në këtë pikë berishistët do ta denoncojnë përsiatjen time si një farsë analtike, një analizë narko-kriminale dhe kriptoramiste në shërbim të regjimit. Si mund të jemi shërbëtorë të Ramës kur ne e urrejmë Ramën me shpirt? – do më thonë ata të revoltuar.
Dhe është e vërtetë që berishistët e urrejnë Ramën me shumë shpirt, ndonëse me shumë pak mendje. Urrejtja e tyre është e pastër, e sinqertë dhe aspak politike.
Ata nuk urrejnë Ramën si fenomen politik. Nuk urrejnë autoritarizmin e Ramës, nuk urrejnë korrupsionin dhe arrogancën e pushtetit të tij aspak transparent, nuk urrejnë as mungesën e meritokracisë politike. Ata urrejnë individin Rama, përndryshe nuk do rreshtoheshin përkrah korrupsionit, arrogancës dhe autoritarizmit berishist.
Por urrejtja nuk të transformon në luftëtar të lirisë dhe aq më pak në kritik të një regjimi autoritar. Përkundrazi, ajo është ndjenja themelore që çdo shërbëtor i zellshëm ka përballë një padroni të fuqishëm, shpërfillës dhe arrogant.
Komente
