Sopranoja shqiptare Blerta Zhegu ka tërhequr vëmendjen e kritikës italiane. Ajo ka performuar këtë fundjavë, në skenën e Teatrit Goldon në Itali ku interpretoi në rolin e Musettës, pjesë nga vepra operistike “La Boheme”. Pas yjeve Ermnonela Jaho dhe Saimir Pirgu, duket se botës i vjen një tjetër këngëtare e operës nga Shqipëria. Ajo është Blerta Zhegu, një tjetër shqiptare, emri I së cilës po lakohet nga kritika si një ndër zërat operistikë më të mirë në Evropë.
Publiku italian e ka duartrokitur sopranon shqiptare, ndërsa teatrot italianë e kanë kërkuar menjëherë për bashkëpunime të tjera gjatë këtij kalendari artistik. “Duke qenë se kisha të bëja me një personazh shumë të njohur për publikun italian si ai i Musettës në “La Boheme” mu desh të evidentoja cilësi të tilla si eleganca, kokëfortësia apo sensualiteti që përbëjnë pikërisht sharmin e saj”, tregon sopranoja për një nga mediat italiane.
Zhegu është njohur fillimisht në Itali, ku jetoi dhe hodhi hapat e parë pas përfundimit të shkollës shqiptare, por prej tre vitesh ajo është bërë pjesë e skenave operistike në Francë, ku konsiderohet si një yll I ri I operas në ngjitje.