Pas orës 14:00 të kësaj të premteje, Belshi dhe zona e Dumresë janë përfshirë nga një stuhi e pazakontë me reshje të dendura shiu e breshëri të shoqëruara me erë të fortë. Moti ekstrem ka sjellë pasoja serioze në infrastrukturë dhe ka paralizuar qarkullimin në disa rrugë të qytetit.
Uji i tepërt ka tejkaluar kapacitetin e kolektorëve, duke shkaktuar përmbytje të menjëhershme dhe duke krijuar rrezik për kalimtarët dhe automjetet. Ndërkohë era e fortë ka vështirësuar edhe ndërhyrjet e shërbimeve të emergjencës.
Autoritetet lokale u bënë thirrje qytetarëve të qëndrojnë në banesë dhe të shmangin çdo lëvizje të panevojshme deri në stabilizimin e motit. Deri tani nuk raportohen dëme në njerëz apo prona.
Lidhur me situatën e krijuar nga reshjet e shiut, Bashkia Belsh bënë me dije se në zonat e prekura është kthyer normaliteti dhe është bërë i mundur pastrimi i rrugëve.
'Pas disa orësh me stuhi intensive, reshje dhe erëra të forta që përfshinë Belshin, strukturat e Agjencisë së Shërbimeve Publike dhe Emergjencat Civile u mobilizuan menjëherë në terren për të eliminuar pasojat dhe për të rikthyer normalitetin në zonat e prekura. Falë ndërhyrjes së shpejtë dhe koordinimit të ekipeve në terren, u bë e mundur pastrimi i rrugëve, largimi i mbetjeve të pemëve të thyera nga era, zhbllokimi i kolektorëve dhe sigurimi i kalueshmërisë në segmentet kryesore', thuhet në postim.
Ky është një ndër rastet më të rralla të motit ekstrem të regjistruara në rajon, i ngjashëm me stuhitë e forta të javëve të fundit në disa qytete të vendit tonë .Strukturat e emergjencave në Belsh janë në gatishmëri dhe po monitorojnë nga afër zhvillimet për çdo ndërhyrje të nevojshme.
Komente
