Fermerët shqiptarë duket se po zhvendosen gjithnjë e më shumë nga blegtoria drejt bletarisë. Bletërritësi Arjan Zogu nga fshati Valikardhë në Bulqizë, ka 30 vite që merret me bletari.
Në një intervistë për ‘Sot Live në Shqipëri’ në Report Tv me gazetarin Nertil Agalliu ai tha se këtë zanat e ka të trashëguar nga tre breza.
‘Jam bletërritës prej 30 vitesh dhe e kemi pasur brez pas brezi ketë punë dhe kam 330 koshere. Zona jonë është e mirë për bletë sepse ka disa kullota dhe mjalti i kësaj zonë është shumë i mirë sepse ka shumë lloj lulesh, që janë të mira për mjaltin’, tha ai.
Bletarinë ai e cilëson si një punë të vështirë, ndërsa thekson se ky vit ka qenë jo shumë i mbarë.
‘Të punosh me bletët është një punë e vështirë, sepse duhet që të punohet ditë për ditë me to. Këtë vit ka qenë një vit jo i mbarë sepse ka qenë pak lagështirë’, tha ai.
Arjan Zogu tha se mjaltin e shet tek klientë kryesisht nga Anglia, Gjermania si dhe në Tiranë.
‘Unë jam i certifikuar por unë kam klientë dhe me panairet që bëhen ne na japin akses për të punuar dhe me klientë. Por nga jashtë nga Anglia dhe Gjermania si edhe Tirana janë disa nga vendet që marrin më shumë prodhimet tona të mjaltit. Kur ke shumë bletë ke fitim, por duhet pasur kujdes sepse bletari nuk duhet që ta ndërpres asnjëherë punën e tij duhet që të jetë në shërbim të pandërprerë të tyre. Ne kemi marr nga bletët polen, qumësht dhe propolisi që është shumë i mirë dhe mjaltin’, tha ai.
Komente
