RENEA e angazhuar për sigurinë e ekipit serb

Kronikë

‘Blindohet’ Tirana/ 2 mijë efektivë në ‘këmbë’ për sfidën e nesërme Shqipëri-Serbi, akset rrugore që preken

6 Qershor, 13:46| Përditesimi: 6 Qershor, 14:09

  • Share

Për ndeshjen e nesërme Shqipëri-Serbi, Policia e Shtetit ka marrë masa për mbarëvajtjen e saj dhe ka angazhuar në terren rreth 2 mijë efektivë, përfshirë njësitë RENEA, FNSH, Antiterrorin dhe SHISH.  Plani nis që nga Rinasi, me masa të rrepta për sigurinë e futbollistëve të ekipit të Serbisë, të cilët mbërritën sot në Tiranë. 

Punonjësit e Policisë së Shtetit do të ushtrojnë kontroll të imtësishëm ndaj tifozëve, para futjes në stadium të cilët sugjerohen të jenë aty në orën 18.00. Efektivët nuk do të lejojnë banderola me përmbajtje raciste, fishekzjarrë, flakadanë, lëndë piroteknike, dhe sende të tjera të ndaluara,

Policia kujton se veprimet e dhunshme në aktivitetet sportive, si hyrja në fushën e lojës gjatë ndeshjes, hedhja e sendeve të forta në fushë, përdorimi i lëndëve piroteknike, apo goditja ndaj sportistit, trajnerit e ndërmjetësve sportive, janë vepra penale që dënohen me burgim deri në 5 vjet.

Në stadiumin “Arena Kombëtare” janë instaluar sisteme moderne sigurie që përfshijnë kamera me njohje fytyre dhe kamera të lëvizshme shtesë, që do të monitorojnë çdo lëvizje në tribuna dhe rreth stadiumit në kohë reale. 

Kontrolle do të ketë edhe në kufi për tifozët me prirje huligane. Për shkak të sjelljes problematike, UEFA i ka dënuar tifozët serbë me mungesë në ndeshjen pasuese në udhëtim, kështu që Arena Kombëtare në sfidën e orës 20:45 të shtunën për Grupin K kualifikues të Kupës së Botës 2026, do të jetë pas tifozë serbë.

Policia apelon për qytetarët që të mos ngrenë dronë në perimetrin e sigurisë përreth stadiumit sepse do të rrëzohen, pasi Policia e Shtetit do të përdorë pajisje anti-dronë.

Kufizimi i qarkullimit të automjeteve do të nisë prej orës 15.00 të 7 qershorit dhe deri në përfundim të ndeshjes dhe shpërndarjen e tifozëve.

Akset rrugore që preken
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Presidencës drejt sheshit “Nënë Tereza”,
rruga “Papa Gjon Pali i II”,
rruga “Dervish Hima”, pranë Ambasadës së SHBA-së,
rruga “Asim Zeneli”, pranë Ambasadës së SHBA-së,
rruga “Themistokli Gërmenji”,
rruga “Gjergj Filipi”,
rruga “Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës deri tek stadiumi,
rruga “Faik Konica”
rruga “Skerdilajd Llagami”.
Parkimi i autobusëve me tifozë vendas që vijnë nga Korça dhe Elbasani, do të bëhet në parkingun e lokal “Kalvin”, ndërsa autoveturat te terminali pranë qytetit “Studenti”.
Parkimi i autobusëve që vijnë nga veriu dhe jugu, do të bëhet në parkimin “Terminali i përpunimit të automjeteve” pranë mbikalimit të Kamzës, ndërsa autoveturat tek parkingu pranë pallatit të sportit “Asllan Rusi”, në parkingun nëntokësor në sheshin “Skënderbej”, si dhe në parkingun nëntokësor në “Bulevardin e Ri”, te ish-stacioni i trenit.
Rruga nga hoteli ku është akomoduar ekipi i futbollit të Serbisë  që ndodhet në bulevardin “Gjergj Fishta”,  deri në drejtim të stadiumit “Arena Kombëtare”, përmes bulevardit “Bajram Curri”, pasditen e sotme në orën 16:30 dhe ditën e  nesërme në orën 18:45, do ketë kufizime të pjesëshme deri ne 25 minuta në momentin që do eskortohet ekipi për në stadium për stërvitje mbasditen e sotme dhe nesër për të zhvilluar ndeshjen.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Botërori 2026, si e parashikoni përballjen Shqipëri-Serbi?