Për ndeshjen e nesërme Shqipëri-Serbi, Policia e Shtetit ka marrë masa për mbarëvajtjen e saj dhe ka angazhuar në terren rreth 2 mijë efektivë, përfshirë njësitë RENEA, FNSH, Antiterrorin dhe SHISH. Plani nis që nga Rinasi, me masa të rrepta për sigurinë e futbollistëve të ekipit të Serbisë, të cilët mbërritën sot në Tiranë.
Punonjësit e Policisë së Shtetit do të ushtrojnë kontroll të imtësishëm ndaj tifozëve, para futjes në stadium të cilët sugjerohen të jenë aty në orën 18.00. Efektivët nuk do të lejojnë banderola me përmbajtje raciste, fishekzjarrë, flakadanë, lëndë piroteknike, dhe sende të tjera të ndaluara,
Policia kujton se veprimet e dhunshme në aktivitetet sportive, si hyrja në fushën e lojës gjatë ndeshjes, hedhja e sendeve të forta në fushë, përdorimi i lëndëve piroteknike, apo goditja ndaj sportistit, trajnerit e ndërmjetësve sportive, janë vepra penale që dënohen me burgim deri në 5 vjet.
Në stadiumin “Arena Kombëtare” janë instaluar sisteme moderne sigurie që përfshijnë kamera me njohje fytyre dhe kamera të lëvizshme shtesë, që do të monitorojnë çdo lëvizje në tribuna dhe rreth stadiumit në kohë reale.
Kontrolle do të ketë edhe në kufi për tifozët me prirje huligane. Për shkak të sjelljes problematike, UEFA i ka dënuar tifozët serbë me mungesë në ndeshjen pasuese në udhëtim, kështu që Arena Kombëtare në sfidën e orës 20:45 të shtunën për Grupin K kualifikues të Kupës së Botës 2026, do të jetë pas tifozë serbë.
Policia apelon për qytetarët që të mos ngrenë dronë në perimetrin e sigurisë përreth stadiumit sepse do të rrëzohen, pasi Policia e Shtetit do të përdorë pajisje anti-dronë.
Kufizimi i qarkullimit të automjeteve do të nisë prej orës 15.00 të 7 qershorit dhe deri në përfundim të ndeshjes dhe shpërndarjen e tifozëve.
Komente
