‘Blini një armë dhe merrni një picë falas’, çudit pronari në Ukrainë: Nëse nuk komandohen siç duhet, armët janë thjesht metal, ndaj stërvituni

9 Shkurt 2022, 09:00| Përditesimi: 9 Shkurt 2022, 14:39

  • Share

Kemi dëgjuar shpesh për oferta picash “1+1” dhe një pije të gazuar falas, por asnjëherë nuk është parë oferta “Merrni një picë falas, nësë vërtetoni se keni blerë apo keni marrë leje për armë muajin janar”.

Kjo ofertë e çuditshme vjen nga Kievi, nga zinxhiri i picerive Pizza Veterano një emër që pasqyron faktin që pronari i këtij zinxhiri picerish, Leonid Ostaltsev është një veteran i luftës gati tetëvjeçare kundër separatistëve të mbështetur nga Rusia në rajonet në lindje të Ukrainës, që njihen si Donbas.

Oferta sipas pronarit, u bë në shenjë mirënjohjeje për ukrainasit që kanë blerë ose kanë marrë leje për armë në kohën e rritjes së tensioneve pasi Rusia ka grumbulluar mbi 100,000 trupa në afërsi të kufijve ukrainas, duke rritur shqetësimet se Moska mund të jetë duke u përgatitur që të nisë një ofensivë të madhe.

Kjo ofertë po ashtu luajti rol në diskutimet gjithnjë e më të mëdha të posedimit të armëve – i nxitur nga programet e trajnimit të civilëve, krijimit të njësive rajonale të mbrojtjes, të cilëve do t’u kërkohej që ta mbronin vendin në rast të një sulmi të shkallës së gjerë dhe përgatitjeve të tjera që po ndodhin teksa grumbullimi ushtarak rus po vazhdon.

“Dua të falënderoj të gjithë qytetarët, të cilët, duke e ndierë rrezikun nga lëvizjet e paparashikueshme të Rusisë, marrin vendimet e duhura dhe blejnë armë apo marrin leje për armë”, shkroi Oslaltsev në Facebook.

Në fund të postimit të tij ai kaloi edhe një mesazh mjaft të fortë se “Pa stërvitje të duhur, armët janë thjeshtë metal dhe plastikë – kështu që shkoni dhe stërvituni”.

Lufta shpërtheu papritur në Ukrainë në prill të vitit 2014, pasi protestat masive rrëzuan nga pushteti një president miqësor ndaj Rusisë dhe Moska u përgjigj duke aneksuar Gadishullin ukrainas të Krimesë dhe duke nxitur separatizmin përgjatë lindjes dhe jugut. Konflikti në Donbas ka lënë të vrarë më shumë se 13,200 persona, ka detyruar që të zhvendosen më se një milionë të tjerë si dhe ka prekur Ukrainën dhe banorët e saj në shumë mënyra.

Tani, mundësia e një pushtimi më të gjerë ka rikthyer në qendër të vëmendjes çështjen e posedimit të armëve.

Më 29 janar, Qeveria ukrainase lejoi anëtarët e rinj të Njësive të Mbrojtjes Territoriale të përdorin armë të gjuetisë. Ukraina së fundmi ka krijuar 25 njësi të tilla, një për pothuajse çdo provincë.

Yaroslav Yemelyanenko, kreu i Shoqatës së Operatorëve Turistikë të Çernobilit, është një posedues i pasionuar i armëve: Ai posedon pesë armë zjarri dhe mbron pikëpamjen se “ne nuk mund të mbështetemi te shteti që të na mbrojë”.

Kur bëhet fjalë për një ofensivë të mundshme ruse, ky është një opinion mjaft i përhapur, sugjerojnë sondazhet.

Një sondazh mbarëkombëtar i realizuar në janar nga Qendra Razumkov, me seli në Kiev, gjeti se 56 për qind e ukrainasve besonin se as presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy as autoritetet e tjera nuk “po bënin përpjekje të mjaftueshme për të parandaluar një pushtim të shkallës së gjerë” ose “po organizonin mbrojtjen e vendit” nëse ndodh ndonjë ofensivë.

Instruktori i vetëmbrojtjes, Oleksiy Martynenko, është një tjetër avokues i posedimit të armëve, pjesërisht sepse “ligjzbatuesit nuk mund të bëjnë mjaftueshëm për të mbrojtur të gjithë”, tha ai.

Në profesionin e tij, ai sheh rritje të “civilëve që po e shqyrtojnë mundësinë e blerjes së armëve si mënyrë për të mbrojtur shtetin e tyre”, tha Martynenko.

Rritja e shqetësimeve për mundësinë e një pushtimi të ri rus, sipas tij, ka nxjerrë në pah që “shumica e njerëzve nuk dinë se si të përdorin një armë”.

Maratynenko citoi Jeff Cooperin, marisin e ndjerë amerikan dhe ekspertin e armëve të vogla, i cili ka thënë se “të kesh një armë nuk të bën person të armatosur, ashtu sikurse të kesh një piano nuk të bën muzikant”.

Për disa në Ukrainë, rreziqet nga posedimi i armëve tejkalojnë përfitimet e mundshme, të paktën për ata që nuk janë të trajnuar që t’i përdorin armët siç duhet.

Tetyana, një instruktore e mjekësisë taktike dhe ndihmës së parë, vitin e kaluar e shiti pushkën e saj të gjuetisë pasi ishte e bindur se ajo nuk do të ishte shumë efektive në luftime.

Shumica e pushkëve të gjuetisë “janë për distanca të shkurtra… dhe nëse një person nuk ka përvojë në përdorimin e tyre nga një distancë e afërt ose e largët dhe nuk ka qëlluar kurrë më parë mbi një person, atëherë arma ka shumë gjasa që ta vendosë përdoruesin e saj në një arkivol”, tha ajo.

Tetyana i tha Donbas.Realities të Radios Evropa e Lirë se ajo nuk është kundër që civilët të kenë armë, por se armët duhet të jenë në duart e atyre që dinë t’i përdorin ato.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme të Ukrainës, në qarkullim janë pothuajse 1.5 milion armë zjarri në shtetin me 44 milionë banorë. Rreth 70,000 armë shiten çdo vit, ka thënë gjatë këtij muaji Shoqata e Poseduesve të Armëve për Neë Voice of Ukraine. Sipas kësaj shoqate, për të marrë një leje për posedim të një arme, mesatarisht duhet pritur një muaj.

Vyacheslav Zhuravlyov, një ish-nënkolonel në njësinë kundër terrorizmit në Agjencinë e Sigurimit të Shtetit, është një tjetër avokues i posedimit të armëve. Ai tha se duhet të ketë persona profesionistë që do të trajnonin siç duhet personat që blejnë armë “dhe çdo gjë tjetër do të ishte në rregull”.

Në rast të një ofensive të madhe ruse, prospektet do të ishin të zymta.

Dhe Oleksiy Byk, një vullnetar në zonën e luftës në Donbas, tha se armët e paligjshme janë po ashtu një problem serioz. Por, ai beson se krahasuar me vitin 2014, Ukraina tani është shumë më e përgatitur në rast se do të ketë një përshkallëzim të agresionit të Rusisë.

“Ne kemi mësuar nga gabimet. Veteranët kanë armë të ligjshme dhe po iu nënshtrohen trajnimeve”, tha ai. “Ne nuk do të ikim, nuk kemi ku të ikim. Kjo është toka jonë dhe ne do ta mbrojmë”.

J.GJ.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?