Blinken: NATO kritike për mbrojtjen e SHBA-së dhe Evropës

13 Nëntor, 16:26| Përditesimi: 13 Nëntor, 16:29

  • Share

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, e siguroi NATO-n të mërkurën se administrata e presidentit Joe Biden do të forcojë mbështetjen për Ukrainën dhe aleancën ne periudhën e mbetur të mandatit të saj. Zoti Blinken i bëri këto premtime gjatë një vizite në selinë e NATO-s në Bruksel, ku u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të aleancës, Mark Rutte.

Zoti Blinken tha se Presidenti Biden është i përkushtuar që SHBA të dërgojë në Ukrainë çdo ndihmë të përcaktuar për të deri më 20 janar, duke iu referuar datës së inaugurimit të Presidentit të zgjedhur, Donald Trump.

“Synimi i kësaj vizite është të përqendrojmë përpjekjet tona për t’u siguruar që Ukraina të ketë fondet, municionet dhe forcat e mobilizuara për të luftuar në mënyrë efektive në vitin 2025, ose për të qenë në gjendje të negociojë për paqen nga një pozicion force”, tha ai.

Zoti Blinken theksoi gjithashtu angazhimin e administratës deri në ditën e fundit të mandatit të saj, për të forcuar aleancën.

“Presidenti Biden do të përdorë çdo ditë për të vazhduar të bëjë atë që kemi bërë gjatë këtyre katër viteve të fundit, që është forcimi i kësaj aleance që është kaq kritike për sigurinë e Shteteve të Bashkuara, sigurinë e vendeve në mbarë Evropën”, tha ai.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte theksoi se paqëndrueshmëritë në Evropë, Lindjen e Mesme dhe Indo-Paqësor janë gjithnjë e më shumë të ndërlidhura.

"Ne e dimë prej disa kohësh që Kina përmes anashkalimit të sanksioneve, përmes mallrave me përdorim të dyfishtë që dërgohen në Rusi, po ndihmon përpjekjet e luftës. Dhe sigurisht, Irani po e bën një gjë të tillë me teknologjinë e dronëve dhe dërgimin e tyre në Rusi. Rusia po e paguan atë dhe kjo ndihmon Iranin të vazhdojë përpjekjet për të destabilizuar Lindjen e Mesme dhe madje edhe përtej Lindjes së Mesme”, tha ai.

Zoti Blinken tha se për këtë arsye aleancat janë të rëndësishme.

"Po shohim gjithnjë e më shumë se sa e lidhur është siguria midis këtyre teatrove të ndryshëm, teatrit euroatlantik, teatrit Indo-Paqësor, Lindjes së Mesme. Dhe është kritike që të gjejmë mënyra për të bashkëpunuar gjithnjë e më ngushtë së bashku. NATO-ja ka forcuar vitet e fundit marrëdhëniet me partnerët e Indo-Paqësorit dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë në javët dhe muajt e ardhshëm."

Fitorja e Presidentit të zgjedhur Donald Trump ka ngjallur shqetësime lidhur me vazhdimësinë e angazhimit të SHBA-së me partnerët.

Zoti Trump herë pas here ka qenë kritik ndaj aleancës dhe mbështetjes për Ukrainën dhe Tajvanin, dy demokraci nën kërcënim që varen nga mbështetja ushtarake e SHBA-së për t'i bërë ballë Rusisë dhe Kinës.

Zoti Trump ka shfaqur pak interes për rolin e SHBA-së si shtyllë e aleancave strategjike me demokracitë evropiane dhe ato indo-paqësore./VOA

S.B/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?