Kronikë

Dha ushqime e përfitime ekonomike në këmbim të votës në zgjedhjet e 2021, përgjimet 'fundosën' sekserin! SPAK e kalon për gjykim

11 Janar, 10:16| Përditesimi: 11 Janar, 11:37

  • Share

TIRANË- Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim, Gazmend Canajn, i cili akuzohet se përmes ushqimeve dhe favorizimeve të tjera të paligjshme u ka blerë votën disa personave për një subjekt politik të cilin ai mbështeste në zgjedhjet parlamentare të 2021.

Sipas SPAK, rezulton e provuar se Gazmend Canaj iu ka dhënë ushqime dy personave dhe ju ka ofruar përfitime të paligjshme 3 shtetasve në këmbim të votës së tyre në favor të subjektit politik që Canaj mbështeste. Ndaj Canajt rëndon akuza për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, ndërsa SPAK ende nuk ka dhënë informacion se për cilin subjekt politik vepronte. 

Prokuroria e Posaçme ka në dorë përgjimet telefonike, përmes të cilave, sipas SPAK provohet se Canaj iu ka ofruar në mënyrë të drejtpërdrejtë personave të ndryshëm përfitime ekonomike që ata të votojnë në mbështetje të subjektit politik që Gazmendi mbështeste në zgjedhjet parlamentare në qarkun e Tiranës.

Gazmend Canaj rezulton i përfshirë edhe në një dosje tjetër, që ka të bëjë me tjetërsim pronash në Kadastër. Hetimi ndaj kësaj skeme ka nisur pas dyshimeve për blerje votash në zgjedhjet e 25 prillit 2021. Gazmend Canaj dhe disa persona të tjerë kryesnin rolin e sekserit, me qëllim tjetërsimin e pronave.

Në dosjen e siguruar aso kohe nga Report Tv, flitet edhe për një shifër prej 2 milion lekë, ku me mesazhe telefonike Besnik Hyka, zyrtar i Kadastrës, i dërgon Gazmend Canaj me përmbajtjen: "Gazi 2 milion lekë i ke në dorë, vetëm nxirr certifikatën e tokës, i kam futur dokumentet“.

Njoftimi i plotë

Në përfundim të hetimeve paraprake, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në datën 10.01.2024 ka dërguar për gjykim procedimin penal nr.116/1 viti 2022 në ngarkim të pandehurit:

Gazmend Canaj, akuzuar për kryerjen e veprës penale: “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328  i Kodit Penal.     

Nga analiza një e nga një dhe në unitet të provave të administruara gjatë hetimit (përgjimet telefonike dhe deklarimet e personave që kanë dijeni për veprën penale) provohet tej dyshimit të arsyeshëm të bazuar në prova se, i pandehuri Gazmend Canaj iu ka ofruar në mënyrë të drejtpërdrejtë personave të ndryshëm përfitime ekonomike që ata të votojnë në një mënyrë të caktuar, në mbështetje të subjektit politik që Gazmendi mbështeste në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare në qarkun e Tiranës, të datës 25 prill 2021.

Rezulton e provuar se i pandehuri Gazmend Canaj iu ka ofruar dhe dhënë ushqime shtetasve G. K. dhe E. G. si dhe ju ka ofruar përfitime të paligjshme shtetasve S. K., R. C. dhe F. R., kundrejt votës së tyre dhe të afërmve të tyre, në favor subjektit politik që Gazmendi mbështeste.

SI.E./KT/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?