Blofi i Bashës, ‘sekuestrimi i pasurive’ u miratua që në 2014

25 Shtator 2018, 07:13| Përditesimi: 25 Shtator 2018, 12:45

  • Share

Platforma e shpallur ditën e djeshme nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, për konfiskimit e pasurive të personave publikë, të përfshirë në afera me tendera dhe koncesione, është adresuar dhe reflektuar në një ligj të miratuar që në vitin 2014 nga Parlamenti Shqiptar.

Konkretisht, sekuestrimi dhe konfiskimi i pasurive të paligjshme të zyrtarëve të të gjithë nivele në Shqipëri është vendosur me ligjin nr. 24/2014, i cili bëri disa ndryshime të rëndësishme në ligjin nr. 10 192, datë 3.12.2009, i njohur ndryshe si ligji anti-mafia.

Deri në mars të vitit 2014, ligji parashikonte vetëm sekuestrimin e pasurive produkt i trafiqeve, grupeve kriminale, organizatave terroriste, grupeve të armatosurave, gjobëvënësve etj. Me ligjin e 2014, në fushën e veprimit të ligjit anti-mafia, u përfshinë të gjitha veprat penale të formave të korrupsionit, duke futur në fushën e veprimit të ligjit anti-mafia të gjithë funksionarët dhe zyrtarët shqiptarë, të të gjitha niveleve.

Veprat penale

Shqiptarja.com publikon të gjitha veprat penale të përfshirë në fushën e veprimit të ligjit anti-mafia, ku zyrtarëve që i kanë kryer apo i kryejnë këto vepra penale, u konfiskohet pasuria.

Në vitin 2014, si objekt i ligjit anti-mafia janë përfshirë korrupsioni aktiv në sektorin privat, parashikuar në nenin 164/a të Kodit Penal, korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike, parashikuar në nenin 244 të Kodit Penal, korrupsioni aktiv i nëpunësve të huaj publikë, parashikuar në nenin 244/a të Kodit Penal, korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë, parashikuar në nenin 245 të Kodit Penal, korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë, parashikuar në nenin 260 të Kodit Penal, korrupsioni aktiv i dëshmitarit, i ekspertit ose përkthyesit, parashikuar në nenin 312 të Kodit Penal, korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të organeve të drejtësisë, parashikuar në nenin 319 të Kodit Penal si dhe korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë, parashikuar në nenin 319/ç të Kodit Penal. Ndryshimi i rëndësishëm erdhi për shkak të presionit në rritje të SHBA-BE, për të ashpërsuar luftën kundër korrupsionit. Ndërkaq, për zbatimin në mënyrë sa më afektive dhe serioze të ligjit anti-mafia janë projektuar Byroja Kombëtare e Hetimit, Prokuroria e Posaçme dhe Gjykata Speciale, ku të gjitha së bashku përbëjnë atë që quhet SPAK.

Konfiskimi i pasurive

Me ndryshimet e 2014 parashikohet konfiskimi dhe sekuestrimi i pasurive të paligjshme të të gjithë personave publikë. Në ligj vepron edhe mbi personat e afërt të tyre, ku përfshihen bashkëshorti, fëmijët, të paralindurit, të paslindurit, vëllezërit, motrat, ungjërit, emta, nipërit, mbesat, fëmijët e vëllezërve dhe të motrave, vjehrri, vjehrra, dhëndri, nusja, kunata, kunati, bashkëjetuesi, thjeshtri, thjeshtra, njerku dhe njerka). Ligji përfshin çdo person tjetër të lidhur me zyrtarët e korruptuar. Masat parandaluese mund të kërkohen dhe ndaj trashëgimtarëve të personit, subjekt i zbatimit të këtij ligji, por, në çdo rast, jo më vonë se 5 vjet nga data e vdekjes. Ligji zbatohet edhe për pasuritë e personave, të krijuara përpara hyrjes në fuqi të këtij ligjit. 

Nenet e korrupsionit të përfshirë në ligjin anti-mafia

Neni 164/a

Korrupsioni aktiv në sektorin privat

Premtimi, propozimi ose dhënia, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çdo lloj përfitimi të parregullt, për vete ose për persona të tjerë, personit që ushtron funksion drejtues në shoqëri tregtare ose punon në çdo pozicion në sektorin privat, për të kryer ose moskryer një veprim në kundërshtim me detyrën ose funksionin e tij, dënohet me burgim nga tre muaj deri në tre vjet.

Neni 244

Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike

Premtimi, propozimi ose dhënia, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çfarëdo përfitimi të parregullt, personit që ushtron funksionin publik, për vete ose për persona të tjerë për të kryer ose mos kryer një veprim, që lidhet me detyrën ose funksionin e tij, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.

Neni 244/a

Korrupsioni aktiv i nëpunësve të huaj publikë

Premtimi, propozimi ose dhënia, drejtpërdrejt a tërthorazi, i çdo lloj përfitimi të parregullt, për vete ose për persona të tjerë, nëpunësit të huaj publik, nëpunësit të një organizate publike ndërkombëtare, anëtarit të një asambleje të huaj publike apo anëtarit të një asambleje ndërkombëtare parlamentare, për të kryer ose për të mos kryer një veprim, që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohen me burgim, nga gjashtë muaj gjer në tre vjet.

Neni 245

Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë

Premtimi, propozimi ose dhënia, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çfarëdo përfitimi të parregullt, funksionarëve të lartë shtetërorë ose të të zgjedhurve vendorë, për vete ose për persona të tjerë për të kryer ose mos kryer një veprim, që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohen me burgim nga një deri në pesë vjet.

Neni 260

Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë

Kërkimi ose marrja, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çdo lloj përfitimi të parregullt apo i një premtimi të tillë, për vete ose për persona të tjerë, ose pranimi i një oferte a premtimi që vjen nga përfitimi i parregullt, nga funksionari i lartë shtetëror ose i zgjedhuri vendor, për të kryer ose mos kryer një veprim që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohet me burgim nga katër deri në dymbëdhjetë vjet.

Neni 312

Korrupsioni aktiv i dëshmitarit, i ekspertit ose përkthyesit

Premtimi, propozimi ose dhënia, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çfarëdo përfitimi të parregullt, për vete ose për persona të tretë, dëshmitarit, ekspertit ose përkthyesit, për të siguruar deklarime ose dëshmi, ekspertim ose përkthim të rremë ose për të refuzuar kryerjen e detyrimeve të tyre përpara organeve të ndjekjes penale dhe gjykatës, dënohen me burgim deri në katër vjet.

Neni 319

Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të

Premtimi, propozimi ose dhënia, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çfarëdo përfitimi të parregullt, për vete ose për persona të tjerë, gjyqtarit, prokurorit ose çdo punonjësi tjetër të organeve të drejtësisë, për të kryer ose mos kryer një veprim, që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohen me burgim nga një vit deri në katër vjet.

Neni 319/ç

Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë

Kërkimi ose marrja, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çdo lloj përfitimi të parregullt ose i një premtimi të tillë, për vete ose për persona të tjerë, ose pranimi i një oferte a premtimi, që vjen nga përfitimi i parregullt, nga gjyqtari, prokurori ose funksionarë të tjerë të organeve të drejtësisë, për të kryer ose mos kryer një veprim që lidhet me detyrën e funksionin e tij, dënohen me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • redi: 25/09/2018 15:42

    Kodi penal ka percaktuar qarte , qe pasurite e vena ne rruge kriminale ,konfiskohen kushdo qofte . Basha kur flet nuk llogjikon, por zbaton ato udgezime qe i kane dhene . Opozita eshte alternative e qeverise , por fhe kontrollorja me forte e veprimtaruse se saj . Bisnesmenet nuk merren me Bashen, se e dine qe i ka per show , se ndryshe do ta kishin paditur ,per presion karshi bisnesit tyre . Ai nuk vjen ne pushtet ,se populli nuk e beson . Opozita pa zgjedhur nje figure te pa cenuar , te afte dhe te ndershme qe te krijoj besim , nuk vjen ne pushtet . Sa per deklaratat per terheqehe zvarre per kryeministrin , ose venie minash bisnesmeneve qe jane kryer pune publike , eshte pa aftesia ose frika e organeve ligjzbatuese, qe lejojn keto deklarata publike

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?