SHBA- Ka zgjatur disa orë një nga krizat më të rënda të fluturimeve në Amerikë. Agjencia amerikane e Aviacionit urdhëroi linjat ajrore të ndalojnë të gjitha ngritjet në fluturim mëngjesin e së mërkurës. Sipas autoriteteve amerikane, një problem në serverat qendror solli anulimin e mijëra fluturimeve, teksa qindra avionë të tjerë mbetën në ajër për orë të tëra. Për rastin reagoi vetë presidenti amerikan Joe Biden.
“Avionët mund të ulen në mënyrë të sigurt, por jo të ngrihen. Nuk e dimë ende shkakun", u tha Biden gazetarëve.
Problemi u raportua fillimisht rreth orës 6 të mëngjesit me orën amerikane dhe zgjati deri në mesditë. Rreth 25 mijë avionë u parkuan nëpër të gjitha aeroportet e Amerikës për shkak të dështimit tw sistemit qendror të serverave. Shtëpia e Bardhë ka bërë thirrje për hetim të plotë të rastit, ndërsa ka njoftuar se nuk kemi të bëjmë me sulm kibernetik.
Miliona pasagjerë udhëtojnë përditë brenda Amerikës dhe jashtë saj. Kjo krizë ka pasur ndikim edhe te aeroporte të tjera ndërkombëtare, që kanë pasur vonesa në mbërritje ose ngritje të avionëve në fluturim.