Politikë

Bllokimi i fondeve të IPARD, Blushi: Goditje e madhe për fermerin! Korrupsioni, e vetmja pengesë për integrimin dhe SPAK s’ka vullnet ta hetojë

1 Gusht, 14:48| Përditesimi: 1 Gusht, 15:17

  • Share

Vendimi i Komisionit Europian për të refuzuar sërish dhënien e fondeve IPARD për Shqipërinë është një akuzë e rëndë dhe një shuplakë publike ndaj Qeverisë së korruptuar të Edi Ramës dhe prokurorisë speciale të kapur prej tij, SPAK-ut.

Kështu u shpreh sot mes të tjerash numri dy i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi.

Reagimi vjen pas një ekskluzive që Report Tv publikoi më 30 korrik, ku Komisioni Evropian sqaroi se '112 milionë eurot e IPARD III do të zhbllokohen kur të garantohet mbrojtja e tyre'. 

Sekretari i Përgjithshëm i subjektit politik vuri në dukje se ‘korrupsioni ka kapur për fyti vendin’, teksa bujqësia dhe fermerët janë në krizë të rëndë për shkak të kësaj qeverie.

“Me një shtet të rrënuar nga korrupsioni dhe me këtë drejtësi të kapur, Shqipëria nuk ka dhe nuk mund të ketë vend në Bashkimin Europian”, tha ai mes të tjerash.

Blushi kërkoi që koha e llogaridhënies të nisë me emra konkretë, pasi paratë europiane të destinuara për fermerin shqiptar, shkuan në xhepat e krimit të organizuar dhe miqve të qeverisë, teksa kërkoi që SPAK të hetonte këto raste.

Deklarata e plotë e Tedi Blushit:

“Korrupsioni shtetëror që ka mbërthyer për fyti Shqipërinë është pengesa më e madhe dhe e vetme për integrimin në Bashkimin Europian.

Vendimi i Komisionit Europian për të refuzuar sërish dhënien e fondeve IPARD për Shqipërinë është një akuzë e rëndë dhe një shuplakë publike ndaj Qeverisë së korruptuar të Edi Ramës dhe prokurorisë speciale të kapur prej tij, SPAK-ut.

Bujqësia shqiptare, ky sektor kaq i madh, kaq i rëndësishëm dhe kaq jetik për vendin, po përballet me një krizë shumë të rëndë si kurrë ndonjëherë në historinë e Shqipërisë për shkak të qeverisë plackitëse dhe të korruptuar.

Sikur të mos mjaftonte deri tani nënfinancimi në ekstrem i bujqësisë nga Buxheti i Shtetit, duke e renditur Shqipërinë të fundit në rajon dhe Europë dhe sidomos me një diferencë skandaloze të mbështetjes krahasuar me fqinjët, tani bujqësisë se rrënuar në mbijetesë vijon për të dytin vit radhazi t’i ndërpritet edhe ndihma financiare nga Bashkimi Europian për shkak të korrupsionit shpërthyes.

Kapja totale e shtetit dhe drejtësia me regji do të sjellin pasoja edhe më të rënda për vendin dhe qytetarët tanë sepse korrupsioni dhe pushteti me çdo cmim janë të vetmet qëllime të "Rilindjes".

Skandali i zhdukjes së miliona eurove të destinuara për fermerët shqiptarë, por që përfunduan te inceneratorët që nuk ekzistojnë, është një krim shtetëror

Këto fonde europiane, që duhet të shkonin për zhvillimin e bujqësisë dhe mbështetjen e fermerëve, përfunduan në xhepat e një organizate mafioze që vepron për llogari të pronarit të vërtetë faktit të inceneratorëve, Edi Ramës, që vijon të vjedhë me këtë mega-aferë me bekimin e plotë dhe heshtjen kriminale të drejtësisë së kapur, që çdo zhvatje të Kryeministrit e konsideron afërmendsh si “krim intelektual të vështirë për t’u hetuar”.

Nuk mund të ketë integrim europian me një regjim që e përdor shtetin si instrument të grabitjeve dhe që e ka kthyer korrupsionin në dogmë qeverisëse.

Nuk ka anëtarësim në BE për një vend ku SPAK jo vetëm që nuk lufton korrupsionin, por bëhet mburojë dhe garant i tij.

Edi Rama, Frida Krifca dhe kupola politike e këtij regjimi janë përgjegjësit e drejtpërdrejtë të kësaj vjedhjeje barbare të fondeve europiane IPARD, për të cilën Altin Dumani, si në çdo dosje ku del emri i Kryeministrit, nuk guxon të nisë asnjë hetim serioz.

Fermeri shqiptar në veçanti dhe bujqësia në tërësi po goditen barbarisht nga kjo qeveri.

Çdo euro e vjedhur, çdo subvencion i refuzuar është një goditje ndaj jetesës së përditshme të mijëra fermerëve të ndershëm që punojnë tokën, që luftojnë për të mbijetuar, që shpresojnë në një të ardhme më të ndershme, por që kjo qeveria u akordon një buxhet më të vogël se bakshishi i vjedhjes në tunelin e Llogarasë,

Me një shtet të rrënuar nga korrupsioni dhe me këtë drejtësi të kapur, Shqipëria nuk ka dhe nuk mund të ketë vend në Bashkimin Europian.

Koha e llogaridhënies duhet të nisë me emra konkretë, me akuzë të qartë dhe me largimin e menjëhershëm të një qeverie që ka tradhtuar interesin kombëtar për interesat e saj mafioze dhe klienteliste”.

A.Q/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Deri në 3 vite burg për braktisjen e kafshëve, si e vlerësoni?