TIRANE-Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme informon të gjithë shqiptarët që ndodhen në Austri, të cilët tejkalojnë qëndrimin e lejuar në hapësirën Schengen dhe dëshmojnë se për shkak të situatës së Covid-19 e kanë të pamundur lëvizjen, nuk do të penalizohen.
Gjithashtu, autoritetet austriake kanë informuar se shtetasit e vendeve të tjera, nuk do të lejohen të hyjnë në Austri duke filluar nga dita e sotme, datë 20 mars 2020, me përjashtim të atyre që kanë lejeqendrimi të vlefshme në Austri.
Në vëmendje të shtetasve shqiptarë, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme bën me dije se nga data 20 mars 2020, autoritetet serbe kanë informuar mbylljen e kufijve të territorit të Serbisë, me qëllim evitimin e përhapjes së virusit Covid-19. Për pasojë, shtetasit e vendeve të tjera, nuk do të lejohen të hyjnë në Serbi.
Gjithashtu, ministria e Jashtme e Shqipërisë informon se autoritetet sllovene nuk do të lejojnë hyrjen në Slloveni për 30 ditët e ardhshme, të shtetasve të vendeve të tjera, me përjashtim të atyre që kanë lejeqendrimi të vlefshme në Slloveni.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme informon të gjithë shtetasit shqiptarë që tejkalojnë qëndrimin e lejuar në Zvicër për shkak të situatës COVID-19 se nuk do të penalizohen.
Sipas autoriteteve zviceriane, derisa situata të kthehet në një gjendje normale, qytetarët që nuk mund të largohen nga Zona e Shengenit ose Zvicra për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19, para skadimit të vizave të tyre ose lejeve të qëndrimit, ose skadimit të një qëndrimi 90-ditor dhe pa mënyra të tjera kthimi, lejohen të qëndrojnë në zonën Shengen.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme në bashkëpunim dhe me autoritetet zviceriane, rekomandon të gjithë shtetasit shqiptar që janë në këto kushte t’i raportojnë pranë zyrave të migrimit kantonal në Kantonin ku po qëndrojnë.