TIRANË- Pronarët e “jet ski” protestuan këtë të martë para godinës së Policisë së Shtetit. Ata kërkojnë zhbllokimin e ativitetit të tyre, i bllokuar pas ngjarjes së Himarës, ku efektivi Arjan Tase goditi për vdekje me gomone 7-vjeçren Jonada Avdia.
Ata thonë se asnjë njoftim shkresor nuk ka ardhur për bllokimin e aktivitetit, por komunikim përmes celularit që të mos dalin në det. Humbjet janë të pallogaritshme sipas tyre, ndërsa plotësojnë të gjithë dokumentacionin e duhur.
Të gjithë motorat janë me licensë, ne duam përgjigjie se nuk dimë arsyen se nuk kanë dhënë asnjë shkresë. Kanë marrë në telefon duke thënë mbyllni motorët. Po të shohësh historikun e secilit prej nesh e vërteton se nuk kemi qenë asnjëherë problematikë. Dëmet janë shumë të mëdha sepse ne nuk po fitojmë gjë. Skafet janë në det. Nga bizneset tona nuk ka pasur asnjëherë incidente.
Një grup prej katër personash u pritën në takim nga kreu i Kufirit dhe Migracionit, Saimir Boshnjaku. Ai u premtoi pronarëve të jet skive se brenda tre ditësh situata do të zgjidhej dhe se në fokus të kontrolleve janë vendqëndrimet e këtyre mjeteve ujore.
"Brenda dy tre ditëve besoj se do ketë një zgjidhje. Nga policia kufitare ka bashkëpunim maksimal", tha ai.
Në aksionin e nisur nga Policia e Shtetit që në ditën e ngjarjes së Himarës janë sekuestruar më shumë se 200 jet ski në të gjithë vijën bregdetare. Ata synojnë normalizimin e paligjshmërisë dhe evitimin e ngjarjave të tilla. Pas bllokimit të mjeteve, pronarët e subjekteve të mjeteve lundruese në Velipojë kanë reaguar duke deklaruar se kanë 14 vite në këtë aktivitet dhe se ky moslejim pa asnjë shkresë zyrtare është i papranueshëm, pasi ato paguajnë taksa si biznes, ndërsa sipas tyre në plazhin e Velipojës nuk është regjistruar asnjë incident, qoftë dhe minimal. Edhe në Vlorë, të shtunën pronarë e administratorë të mjeteve lundruese dolën në protestë pasi prej disa ditësh si pasojë tragjedisë së ndodhur në Himarë, është ndaluar përdorimi i tyre.
Vendimet e policisë për të mos lejuar motorët lundrues vijnë pas ngjarjes së rëndë që u regjistrua më 2 gusht në plazhin e Potamit në Himarë, ku Arjan Tase duke drejtuar gomonen ka goditur për vdekje një 7-vjeçare. E mitura Joanda Avdia ishte duke u larë në det ku është përplasur fillimisht nga pjesa ballore e gomones dhe më pas trupi i saj është prerë nga helikat duke ndërruar jetë në vend. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00. Drejtuesi i gomones ishte shefi i policimit në komunitet në Elbasan, ndërsa drejtuesi i Policisë së Shtetit, Gledis Nano e përjashtoi Arjan Tasen përfundimisht nga policia. Tase akuzohet për veprën penale "vrasje me dashje në mënyrë indirekte", nga e cila rrezikon 10-20 vite burg.
Kreu i Policisë Kufitare, Sajmir Boshnjaku priti në një takim pronarët e ‘jet skive’, pas vendimit të bllokimit derisa të kryhen kontrollet. Pas takimit, një prej përfaqësuesve, Skerdilajd Xhametaj tha se u kanë premtuar se kjo situatë do zgjidhet brenda dy-tre ditëve.
“Thjesht bëhet një kontroll i vendbazimeve sesi janë të ndërtuara. Kjo na u tha, kjo u bisedua. Shumë shpejt, se na thanë që agjencitë rajonale janë mbledhur për të bërë një zgjidhje të situatës. Pas incidentit me vajzën e vogël në Himarë po ngrihet edhe një rikontroll i dytë për të parë kush është i saktë. Brenda dy tre ditëve besoj se do ketë një zgjidhje. Nga policia kufitare ka bashkëpunim maksimal, kjo na u tha nga drejtori i përgjithshëm”, tha Skerdilajd Xhametaj.
Po per cfar duhen ato zhurmuesa qe rrezikojne jeten e pushuesve me njerez te pa pergjegjshem qe i perdorin
Përgjigju