AKU ka bllokuar katër ngarkesa produktesh: lëngje frutash, pije energjike dhe kripë në pikat kufitare Morinë, Hani i Hotit dhe Durrës. Mësohet se bëhet fjalë për një ngarkesë me 20.4 ton lëngje frutash nga subjekti ALFA.sh, që vinin nga Serbia. Siç njofton Autoriteti Kombëtar i ushqimit, kjo sasi e lëngjeve ishte drejt skadimit.
Ndërkohë, janë kthyer në vendin e origjinë edhe dy ngarkesa të mëdha kripe për përdorim të përditshëm, 2.7 ton “Krip Himalaje” e kompanisë " Lindi AL" nga Maqedonia dhe 21 ton kripë nga Gjermania. Kjo sasi e madhe kripe u bllokua pasi ka rezultuar se etiketat e produkteve nuk përmbanin të dhënat kryesore si: niveli i jodit, data e skadencës dhe e prodhimit.
Gjatë një tjetër kontrolli në doganën e Hanit të Hotit janë kthyer në vendin e origjinës edhe 4043 kg pije energjike RED BULL, të cilat vinin nga Rumania nga "Barcen Distribution shpk". Kjo ngarkesë kishte mangësi dokumentacioni, e cila nuk u plotësua edhe pasi iu bë e ditur kompanisë që kryente importin e këtij produkti.