Një tjetër makinë e blinduar është bllokuar në Shkodër këtë të diel. Leonard Gjeka banues në fshatin Ishull, Shëngjin, është ndaluar nga policia e Shkodrës e cila ka konstatuar se Audi i blinduar me të cilin po lëvizte nuk kishte autorizim.
Gjeka u shoqërua në komisariat dhe është gjobitur, ndërsa automjetit tip “Audi” është bllokuar për të nisur më pas procedurat e konfiskimit.
"Shërbimet e Patrullës së Përgjithshme, gjatë zbatimit të planit të masave për parandalimin e kriminalitetit dhe për goditjen e paligjshmërive, në qytetin e Shkodrës, kanë konstatuar dhe shoqëruar në ambientet e DVP Shkodër, një automjet të blinduar. Pas verifikimeve rezultoi se drejtuesi i automjetit, shtetasi L. Gj., banues në fshatin Ishull, Shëngjin, Lezhë, qarkullonte i papajisur me autorizim të lëshuar nga organi kompetent", njofton policia.
Gjeka njihet për arratisjen e tij në burgun e Melburnit në Australi në vitin 2014. Atëherë nga mediet Gjeka përshkruhej si dinak, shumë i dhunshëm dhe i përfshirë edhe në konflikte që kishin agravuar deri në përdorimin e armëve të zjarrit.
Po në Shkodër dy ditë më parë u bllokua makina e blinduar e Safet Bajrit që po ashtu nuk kishte autorizim.