Radhë kilometrike mjetesh në aksin rrugor Milot-Balldren. Prej orësh, qytetarët janë përballur me bllokim të këtij aksi, për shkak të fluksit të lartë të mjeteve që vijnë nga Rana e Hedhun, Shëngjini e Velipoja. Trafiku ka nisur që prej orës 17:00 dhe ka vijuar deri pas mesnate.
Report Tv sjell pamjet, ku dallohet fluksi i lartë i mjeteve në këtë aks, ndërsa shkak është bërë largimi i pushuesve të cilët kanë kaluar fundjavën në Shëngjin, te Rana e Hedhun apo Velipojë. Një ndikim të madh ka dhënë edhe festivali ndërkombëtar i muzikës elektronike UNUM, që u mbajt prej datës 5 qershor në zonën turistike të Tales dhe Shëngjinit me mijëra pjesëmarrës nga e gjithë bota. Festivali është mbyllur sot, më 8 qershor, dhe pjesëmarrësit janë larguar nga Shëngjini, duke sjellë fluks në aksin Milot-Balldren.
Kjo situatë kaotike vjen dhe nga vënia në funksion e rrugës Shëngjin-Velipojë, ku segmenti Milot-Balldre dhe rruga e Shëngjinit nuk e përballojnë këtë fluks të jashtëzakonshëm mjetesh, pasi janë rrugë të ngushta. Shpeshherë ka pasur edhe bllokim total të këtij aksi rrugor, ku për të përshkuar më pak se 15 kilometra rrugë, qytetarët dhe pushuesit janë detyruar të presin deri në katër apo pesë orë, si në rastin e sotëm që pushuesit kanë pritur në trafik me orë të tëra.
Ndërkohë në terren janë forca të shumta policie, të rendit dhe asaj rrugore të cilët po punojnë për lehtësimin sadopak të lëvizje. Ndërkohë që nga ana tjetër duhet thënë se janë këshilluar drejtuesit e automjeteve që të përdorin edhe rrugët dytësore, siç është aksi i vjetër që lidh Lezhën me Milotin, por edhe akset e tjera dytësore në ishull Shëngjin dhe të tjera për të shmangur trafikun e rënduar.
Ky është vetëm fillimi i një trafiku që pritet t’i shoqërojë këto akse gjatë gjithë këtij sezoni veror.
Komente

Eshte bllokuar fare ka 6 ore! Paaftesi e madhe tmerr! Kam njerez te bllokuar ne trafik! Nuk funksionon asgje!!!! Keshtu do presim turistet??? Eshte per te ardhur keq! Papergjegjshmeri dhe paaftesi uleritese!
Përgjigju