Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku në një reagim në rrjete sociale, shpreh keqardhjen për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Hamburg të Gjermanisë, ku humbën jetën 4 punëtorë shqiptarë, teksa shton se katër djemtë ikën për një jetë më të mirë.
Këtë ngjarje ajo e lidh me situatën aktuale të politikës shqiptare e veçanërisht me Komisionin e Ekonomisë ku teksa po diskutohej projektbuxheti 2024 grupi i Rithemelimi bllokoi sërish punimet duke e zhvendosur mbledhjen online. Përmes reagimit të saj Tabaku lë të kuptohet se është kundër kaosit të krijuar nga Rithemelimi, pjesë e të cilit tashmë është edhe Gaz Bardhit që dikur e ka mbështetur. Betejë e opozitës siç nënvizon Tabaku duhet të jenë propozimet për të bindur qytetarët se çfarë duhet të bëjnë më mirë, për të shmangur edhe largimet jashtë vendit për një jetë më të mirë si në rastin e katër shqiptarëve që ndërruan jetë duke punuar në të zezë në një zonë industriale të Hamburgut, ku u shemb skela dhe një vinç që i zuri poshtë.
"I lehtë i qoftë dheu 4 djemve të nënave të këtij vendi që nuk u japin më gëzim familjeve të tyre. 4 djem të nënave shqiptare, 4 baballarë a vëllezër humbën sot jetën duke punuar në një kompleks ndërtimi në Gjermani me leje të përkohshme pune, mbas një udhëtimi me peripeci, me punë të pasigurtë, 3 muaj këtu e 3 muaj atje për më shumë mundësi për familjet e tyre nga Mati e Dibra.
Askush nuk largohet me dëshirë nga familja, askush nuk lë fëmijët e prindërit me dëshirë kjo ndodh në kushte ekstreme varfërie, në kushte ekstreme ekonomike kjo ndodh nga pamundësia për të siguruar një jetë më të mirë për familjen këtu.
Ndërkohë që parlamenti duhet të diskutojë buxhetin, kur shikon miliona euro në kontrata koncesionare marramendëse të gjitha kryekëput korruptive, në ndërkohë shqiptarët janë të detyruar të largohen në kërkim të një jete më të mirë. Këtë kanë nevojë sot të dëgjojnë qytetarët se çfarë do bëjmë ne ndryshe, më mirë më shumë se si do e ndalojmë këtë largim masiv, se si do krijojmë punë e mundësi për të gjithë e jo pakicën! Kjo është beteja e opozitës", shkruan ajo.
Lajmi kryesor:
VIDEO/ Rithemelimi nuk heq dorë nga dhuna e kaosi! Tensione në Konferencën e Kryetarëve, bllokon edhe 'Ekonominë'
B.K/ReportTv.al