Elbasan- Gjykata e Elbasanit ka lënë sot (31 Tetor) në masën e sigurisë detyrim me paraqitje 3 protestuesit e arrestuar në Tiranë, pas protestës së 29 tetorit të organizuar nga opozita me bllokimin e rrethrrotullimeve kryesore, mes tyre dhe i Bradasheshit.
Në total policia njoftoi dje se janë arrestuar 4 protestues, 1 në Tiranë e 3 në Elbasan. Ndërsa po hetohen në gjendje të lirë 194 protestues si dhe 16 deputetë janë kallëzuar penalisht në SPAK.
Arrestimet për llogari të Elbasanit u bënë mbrëmjen e të martës dhe mëngjesin e të mërkurës.
Tre opozitarët Edi Pojani, Hamza Lamçja dhe Arben Pjetri ranë në pranga për veprat penale "organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, "pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit" dhe "mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik".
Gjyqtarja e Elbasanit Yrfet Shkreli la në fuqi masën e kërkuar nga prokurori Gjergji Ceka. Në seancën e cila u zhvillua me dyer të mbyllura, jashtë u vu re pjesëmarrja e lartë e efektivëve të policisë dhe eksponentëve të Partisë Demokratike në Elbasan.
Deri me tani nga protesta e opozitës në Elbasan janë proceduar 20 persona në gjendje të lirë dhe 3 persona janë shpallur në kërkim. Një ditë parë kreu i PD në Elbasan, Blendi Himçi dhe deputeti Tomorr Alizoti, e cilësuan arrestimin e protestuesve të padrejtë, duke i bërë thirrje organeve ligjzbatuese ta çmojnë të jashtëligjshëm atë.
Gjithashtu nën hetim për protestën në Bradashesh janë edhe 3 deputetët e opozitës Tomorr Alizoti, Edmond Spaho dhe Qani Xhafa, gjithashtu të kallëzuar në SPAK bashkë me 13 kolegë të tjerë.