Pamje nga një sulm në Teheran

Bota

‘Blof’, miqësi dhe ndërmjetësimi i Al Thani: Si u arrit marrëveshja mes Iranit dhe Izraelit

25 Qershor, 08:49| Përditesimi: 25 Qershor, 09:41

  • Share

Po sikur të ketë qenë një operacion i koordinuar që në fillim, për t’i dhënë mundësi të gjithë protagonistëve të shpëtonin “fytyrën”, në mos edhe të pretendonin fitoren? Është një pyetje që këto orë po e bëjnë pothuajse të gjithë, nga diplomatët te ekspertët e sigurisë, duke përfshirë edhe ushtarakët, dhe përgjigjja pozitive është pothuajse unanime. Nuk ka mungesë të atyre që dyshojnë se presidenti amerikan Trump dhe kryeministri izraelit Netanyahu janë marrë vesh për strategjinë e ndjekur në “Luftën e 12 ditëve” që në janar, me nisjen e administratës së re. Megjithatë, të gjitha burimet e përfshira në ndërmjetësime janë të bindura se të paktën në ditët e fundit ka pasur koordinim, në mos një inskenim, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje që të shmangte një luftë rajonale, për të mos thënë botërore.

Hapin e parë e hodhën amerikanët, duke vepruar në dy fronte. I pari ishte Izraeli, me të cilin i dërguari special Steve Witkoff mbajti kontakte të vazhdueshme, derisa ndërhyri vetë Trump, përfshirë edhe telefonatën e ashpër me të cilën i kërkoi Netanyahut të mos bënte lojëra dhe të ndalte avionët në fluturim. U diskutua shumë mbi faktin nëse kryeministri ishte tallur me presidentin, duke e detyruar të bënte atë që donte ai, por të paktën në orët e fundit të krizës nuk do të ketë shkuar pikërisht kështu.

Pas bombardimeve të së dielës në mëngjes mbi tre qendrat bërthamore të Fordow, Natanz dhe Isfahan, Trump u gjend në pozitën për të shtyrë drejt de-përshkallëzimit, sidomos ndaj Netanyahut, i cili u “kënaq” pikërisht me sulmin ndaj centraleve. Por në atë moment duhej bindur Irani të luante lojën, pa reaguar me hakmarrje që mund të shkaktonin një konflikt më të madh, për shembull nëse do të vriste ushtarë amerikanë. Witkoff qëndroi vazhdimisht në kontakt me ndërmjetësit që kishte takuar gjatë negociatave në Romë, Doha dhe vende të tjera, edhe pse të arrihej tek udhëheqësi shpirtëror Khamenei ishte bërë e vështirë.

Në atë pikë hyri në lojë emiri i Katarit Al Thani, që ndodhej në një pozicion unik, pasi prej muajsh ndërmjetëson mes Iranit, SHBA-së dhe Izraelit për të ndalur luftën në Gaza, ose të paktën për të lehtësuar shkëmbimet e pengjeve dhe të burgosurve. Doha kishte një pozicion të favorshëm falë këtyre marrëdhënieve, por edhe një rrezik të madh, sepse i varur nga transporti detar në ngushticën e Hormuzit për eksportin e gazit, do të shkatërrohej ekonomikisht nga një luftë rajonale. Al Thani atëherë mori iniciativën.

Sipas New York Times, të hënën në mëngjes Këshilli i Lartë për Sigurinë Kombëtare të Iranit u mblodh për të diskutuar si të përgjigjej ndaj sulmeve amerikane, pasi Khamenei kishte dhënë urdhër për këtë. Që në atë rast doli në pah linja për të goditur SHBA-në, por pa shkaktuar dëme që do t’i përfshinin ata në një konflikt të drejtpërdrejtë me Teheranin, pak a shumë siç ndodhi pas vrasjes së kreut të pasdaranëve Qasem Soleimani, i eliminuar nga vetë Trump gjatë mandatit të tij të parë. Shënjestra u vu mbi bazën al Udeid sepse është selia e Komandës Qendrore Amerikane për rajonin, dhe pikërisht aty ishin menaxhuar bombardimet mbi qendrat bërthamore. Por ajo ndodhet në Katar, vendi me të cilin Republika Islamike ka marrëdhënien më të mirë në rajon, dhe mendonin se do ta menaxhonin më mirë një sulm aty se ndaj Arabisë Saudite, Bahreinit apo Emirateve. Al Thani e kuptoi këtë dhe e pranoi. Teherani e paralajmëroi me shumë kohë përpara si atë, ashtu edhe Trumpin, për raketat që do të vinin, për të garantuar që ato të kapeshin dhe për të demonstruar vullnetin për de-përshkallëzim. Emiri protestoi publikisht, duke thirrur ambasadorin iranian, por nuk reagoi ushtarakisht. Përkundrazi, të hënën në mbrëmje kontaktoi me drejtuesit iranianë për t’i këshilluar të pranonin armëpushimin amerikan, pasi ishte një mundësi e madhe për një dalje dinjitoze. Mesazhe të ngjashme iu përcollën Republikës Islamike edhe nga Italia.

Rezultati ishte armëpushimi, që i jep mundësi Netanyahut të thotë se ka dobësuar Iranin, Trumpit të pretendojë se ka shkatërruar programin bërthamor, dhe Khamenei-t të pohojë se i ka rezistuar armiqve. Në të vërtetë, regjimi mbijeton kështu, ruan një pjesë të uraniumit të pasuruar dhe aftësinë për të rinisur garën drejt armatimit bërthamor. Përveç nëse nuk pranon të hyjë në një negociatë të vërtetë, ndoshta me ndihmën e Katarit, për një zgjidhje përfundimtare./La Repubblica

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se rinumërimi i pothuajse gjysmës së votave është farsë e kotë?