Kryeministri Edi Rama

Politikë

Rama intervistë për ‘Bloomberg’: Zoti e shpëtoi Trump për të zgjuar Europën! Jam mik me Kushner, marrëveshja për Sazanin nuk është finalizuar

10 Prill, 12:43| Përditesimi: 10 Prill, 13:06

  • Share

Në një intervistë për median amerikane “Bloomberg”,  kryeministri Edi Rama e përshëndeti presidentin amerikan, Donald Trump duke e cilësuar si “i mirë për të gjithë” – duke portretizuar trajtimin e ashpër të presidentit ndaj aleatëve të SHBA-së – si një mundësi për një Bashkim Evropian që ka humbur rrugën për të rizbuluar fuqinë e tij (mojo) – dhe për të ndërtuar ndikimin e tij global.

Deklaratat e Ramës, të bëra në një intervistë në Tiranë, bien në sy jo vetëm për shkak se ai është një socialist që e ka vendosur integrimin e Shqipërisë në BE deri në vitin 2030 si qëllim historik të mandatit të tij, por edhe sepse, në mënyrë të pazakontë, figura e Trump po luan një rol të rëndësishëm në fushatën elektorale shqiptare.

Shqipëria, një nga vendet më të varfra të Europës, është përballur me korrupsion të përhapur dhe dyshime për depërtim të parave të pista nga krimi i organizuar, çka e ka bërë rrugën drejt BE-së të vështirë. Rama, që synon të zgjatet për të katërtin mandat radhazi pas 12 vitesh në pushtet, tha se blloku europian është bërë “shumë vetë-referencial” dhe “egoist”, dhe duhet të mësojë të përballet me fuqitë e tjera në një kohë trazirash globale dhe luftrash tregtare të nisura nga SHBA-të.

“Kur Trump thotë se Zoti e shpëtoi për ta bërë Amerikën sërish të madhe, ai tregon vetëm gjysmën e historisë,” tha Rama nga selia e Partisë Socialiste të martën. “Gjysma tjetër është që Ai e shpëtoi Trump-in gjithashtu për ta zgjuar Europën dhe për ta detyruar të reagojë.”

Edhe pse nuk ka sondazhe të besueshme përpara zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, Shqipëria nuk është i vetmi vend i Ballkanit ku administrata Trump dhe rrethi i tij kanë shfaqur interes. Në Serbi, presidenti Aleksandar Vuçiç priti djalin e Trump-it në mars; në Rumani, nënpresidenti amerikan JD Vance kritikoi zhvillimin e zgjedhjeve presidenciale; ndërsa i dërguari i posaçëm i Trump-it, Ric Grenell, ka ndjekur nga afër zhvillimet në Ballkanin Perëndimor që nga mandati i parë.

Në Shqipëri, Rama përballet me sfidën e Partisë Demokratike të qendrës së djathtë, të drejtuar nga Sali Berisha – ish-president dhe ish-kryeministër – non grata nga SHBA për korrupsion të dyshuar. Berisha ka angazhuar Chris LaCivita, ish-menaxher i fushatës presidenciale të Trump-it, për ta këshilluar në përpjekjet për fitore më 11 maj.

Një nga sulmet ndaj Ramës lidhet me marrëdhënien e tij me Alexander Soros, djali i investitorit miliarder George Soros – figurë e urryer për shumë mbështetës të linjës MAGA – të cilin Rama e konsideron mik. Në shkurt, LaCivita postoi në platformën X një foto të Ramës me Soros-in e ri, shoqëruar me komentin: “Kukulla dhe dhe mjeshtri i kukullave”.

Ndërkohë, Rama ka zgjeruar kontaktin e tij me rrethin e brendshëm të Trump.Më herët këtë vit, Jared Kushner, dhëndri i ish-presidentit dhe këshilltar në mandatin e parë, mori miratimin paraprak nga qeveria shqiptare për një resort luksoz prej 1.4 miliardë dollarësh në një ish-bazë ushtarake.

Projekti në Ishullin e Sazanit, në jug të Shqipërisë, pranë pikës ku takohen Adriatiku dhe Joniani, mori dritën jeshile pak ditë para inaugurimit të Trump në janar. Ai është ndër projektet më ambicioze të Kushner në Ballkan, përfshirë edhe një hotel Trump të planifikuar në Beograd.

Rama, një artist dhe ish-basketbollist, mohoi se miratimi i projektit ishte për të fituar pikë në Uashington. Sipas tij, Kushner e vizitoi për herë të parë ishullin në vitin 2021, së bashku me bashkëshorten Ivanka Trump dhe Ric Grenell.

“Në atë kohë, nuk ishte një vendim që do të na sillte ndonjë favor politik në SHBA,” tha Rama. “Ishin të tjerë në pushtet dhe nuk ishte aspak e qartë që Trump do të fitonte.”

Autoritetet shqiptare janë ende në proces diskutimesh me ekipin e Kushner-it dhe marrëveshja nuk është përfundimtare. “Nuk është se ia dhamë ishullin dhe mbaroi – është një partneritet,” tha Rama. “Mund të ecë më shpejt, mund të ecë më ngadalë, por varet nga dakordësia mes palëve. Ata kanë mbështetjen tonë të plotë, por duhet të biem dakord.”

Rama e cilësoi marrëdhënien me Kushner si personale. “Është një privilegj të flas me Kushner-in dhe do të isha shumë i lumtur ta quaja mik,” tha ai. “Nuk e di nëse ai më quan mik, por unë e quaj mik.”

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Kujtim: 10/04/2025 13:26

    Dmth induem une per ta finalizuar.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Fushata për 11 majin, a i besoni premtimet e partive politike?