Donald Trump dhe Vladimir Putin

Bota

Bloomberg: SHBA dhe Rusia po punojnë për një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, Moska do ‘fiksonte’ aneksimet

8 Gusht, 19:21| Përditesimi: 8 Gusht, 19:28

  • Share

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia synojnë të arrijnë një marrëveshje për të ndaluar luftën në Ukrainë. Kjo do t’i lejonte Moskës të mbante territorin e fituar gjatë pushtimit, duke e ngrirë luftën dhe duke i hapur rrugën një armëpushimi. Kështu raporton Bloomberg, duke cituar burime që thonë se Uashingtoni po punon për të siguruar pëlqimin e Kievit dhe aleatëve të tij evropianë.

Marrëveshja e mundshme do të diskutohet gjatë një takimi të planifikuar mes presidentëve Donald Trump dhe Vladimir Putin, javën e ardhshme. Rusia kërkon njohjen e kontrollit të saj mbi Krimenë dhe të gjithë Donbasin, përfshirë tërheqjen e trupave ukrainase nga zonat që aktualisht janë nën kontrollin e Kievit. Si pjesë e marrëveshjes, Moska do të ndalojë ofensivën në rajonet Kherson dhe Zaporizhzhia, por nuk është e qartë nëse do të tërhiqet nga territori i pushtuar, përfshirë termocentralin bërthamor të Zaporizhzhias.

Kjo nismë shihet si përpjekje e Trump për të përmbushur premtimin e tij për paqe të shpejtë në Ukrainë, por vjen me rreziqe të mëdha për Kievin, i cili mund të përballet me një marrëveshje “merre ose lëre”. Ukraina kërkon garanci sigurie dhe ruajtjen e presionit ekonomik ndaj Rusisë përmes sanksioneve.

Trump ka paralajmëruar se do të vendosë tarifa ndaj vendeve që blejnë naftë ruse nëse Moska nuk pranon armëpushimin deri të premten. Ai ka deklaruar se është i gatshëm të takohet me Putinin, edhe pa praninë e presidentit ukrainas Zelenskiy.

Ndërkohë, Ukraina nuk e pranon humbjen territoriale dhe thekson se, sipas kushtetutës, nuk mund të heqë dorë nga tokat e saj. Zyrtarë perëndimorë mbeten skeptikë për gatishmërinë reale të Putinit për paqe, duke dyshuar se Moska synon vetëm të fitojë kohë për të rindërtuar forcat e saj.

Takimi Trump-Putin mund të shënojë një kthesë të madhe në konfliktin që ka hyrë në vitin e katërt. Megjithatë, pa dakordësinë e Ukrainës dhe aleatëve të saj evropianë, çdo marrëveshje mbetet e pasigurt.

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A po i liron hapësirat publike aksioni i qeverisë?