Anija e kontejnerëve 'Maersk Campton'

Bloomberg: Anijet me 800 ton mbetje të dyshuar toksike po kthehen në Shqipëri, dyshohet se vijnë nga një kompani pranë metalurgjikut në Elbasan! Hetohet si u transportuan pa autorizim

19 Gusht, 17:38| Përditesimi: 20 Gusht, 07:38

  • Share

Bloomberg i ka kushtuar sot një tjetër shkrim lidhur me dy anijet me 100 kontejnerë ku mendohet se ndodhen mbi 800 ton me mbetje industriale të dyshuara të rrezikshme. Bloomberg shkruan se ngarkesat do të kthehen në Shqipëri ndërsa autoritetet shqiptare po hetojnë si u transportuan nga porti pa autorizim. Dy anijet kanë dalë nga porti i Durrësit në korrik 2024

Shkrimi i plote

Zyrtarët shqiptarë po hetojnë  si 800 ton mbetje industriale të dyshuara të rrezikshme u transportuan nga porti i saj pa autorizim, me destinacion Azinë Juglindore, pasi ngarkesa e dyshuar do të kthehet mbrapsht.

Ndërkohë, një anije A.P. Moller-Maersk A/S që transporton disa nga ngarkesat e dyshuara shkarkoi kontejnerët në Singapor gjatë fundjavës, pasi fillimisht kishte lundruar pranë portit përpara se të kthehej për t’u ankoruar në një lëvizje të pazakontë.

Rreth 40 kontejnerë që grupet mjedisore pretendojnë se përmbajnë mbetje toksike pluhuri do të transferohen në një anije MSC Mediterranean Shipping Company SA që do t’i dërgojë ato në Evropë, sipas faqes së internetit të gjurmimit të ngarkesave detare të MSC.

Maersk tha se po punon me autoritetet e Singaporit dhe MSC për të kthyer ngarkesën në Shqipëri. Për momentin, sipas të dhënave të gjurmimit,  kontejnerët do të mbërrijnë në portin Gioia Tauro të Italisë në fund të shtatorit.

Edhe 60 kontejnerët e tjerë me mbetje të dyshuara që janë aktualisht në bordin e anijes tjetër të Maersk dhe që do të mbërrijë në Singapor më vonë këtë muaj, do të kthehet gjithashtu në Evropë, tha Maersk.

Zyrtarët e Singaporit thanë se “po lehtësojnë kthimin e këtyre kontejnerëve” sipas Konventës së Bazelit të Kombeve të Bashkuara, një pakt global i nënshkruar nga shumë ekonomi të zhvilluara që kërkon që vendet të japin pëlqimin për kalimin e mbetjeve në rrugën e tyre.

“Kemi marrë informacion për transportin nga dy anije Maersk të disa kontejnerëve që raportohet se përmbajnë mbetje të rrezikshme të padeklaruara” – tha Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe Autoriteti Detar dhe Portual i Singaporit në një deklaratë të përbashkët në përgjigje të një pyetjeje të Bloomberg. 

“Ne kemi informuar Maersk, e cila na ka informuar se do t’i dërgojnë kontejnerët përsëri në vendin e eksportit.”

Zyrtarët punuan për të ndaluar dërgesën që kur Basel Action Network, një organizatë jofitimprurëse me bazë në SHBA që gjurmon tregtinë toksike, informoi Tajlandën në fillim të këtij muaji se kontejnerët që ajo beson se janë të mbushura me pluhur potencialisht të dëmshëm të furrave me hark elektrik po shkonin në portin e saj.

Bloomberg News nuk mundi të verifikonte në mënyrë të pavarur se çfarë po transportonin anijet. Kompanitë që eksportojnë dhe marrin kontejnerët nuk janë identifikuar. MSC nuk iu përgjigj kërkesave për koment. Maersk tha se asnjë nga kontejnerët nuk ishte deklaruar se përmban mbetje të rrezikshme, përndryshe do të kishte refuzuar t’i transportonte ato.

Ambientalistët kanë punuar për të penguar fluksin e mbetjeve nga vendet e zhvilluara për në Tajlandë dhe në vende të tjera të Azisë Juglindore që nga plastika e ndotur deri te mbetjet industriale dhe elektronike që shpesh janë të mbushura me toksina.

Udhëtimi i kontejnerëve të dyshuar ka vënë alarmin në shumë vende që kur u ngarkuan në portin shqiptar të Durrësit në korrik, me destinacion përfundimtar Tajlandën ku planifikohej të shkarkoheshin në fund të këtij muaji. Tajlanda refuzoi të pranonte dërgesën pasi u njoftua për përmbajtjen e saj të rrezikshme.

Kur anijet iu afruan Cape Toën, zyrtarët e Afrikës së Jugut gjurmuan anijet dhe ndërmorën një operacion që përfshinte marinën, policinë, autoritetet portuale dhe departamentin e mjedisit për të kryer një inspektim të plotë kur anijet të ankoroheshin, tha një zëdhënës i Departamentit të Pyjeve, Peshkimit dhe Mjedisit.

Pas komunikimit me Maersk, kompania i tha Afrikës së Jugut se anijet nuk kishin në plan të ankoroheshin atje dhe do të vazhdonin rrugën për në Singapor.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit e Shqipërisë nuk kishte dhënë autorizim për eksportin e mbetjeve të dyshuara të rrezikshme, thotë zëdhënësi Erjon Uka. Forcat ligjzbatuese shqiptare po kryejnë hetime me Zyrën Kundër Mashtrimit të Bashkimit Evropian për “rrethanat dhe të gjitha lidhjet logjistike që kanë kryer këtë transport të dyshuar nga Evropa në Azinë Juglindore”, tha ai.

Mbetjet dyshohet se vijnë nga kompani ndërkombëtare që operon pranë një kompleksi metalurgjik në Elbasan, pranë Durrësit, tha ai.

Pluhuri i furrës, i cili kërkon trajtim, është një produkt mbetjesh i rrezikshëm që zakonisht vjen nga riciklimi i skrapit të çelikut dhe përmban okside metalike toksike si kadmiumi dhe krom që janë të dëmshëm për shëndetin dhe mjedisin.

“Konventat ndërkombëtare dhe legjislacioni vendas në përputhje me to, parashikojnë një sërë detyrimesh për prodhuesit dhe transportuesit e mbeturinave të tilla”, tha Uka. “Zbatimi i këtyre detyrimeve është gjithashtu objekt i hetimeve në vazhdim.

/Bloomberg/ 

S.G//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?