Politikë

Blushi i PL: Edi Rama është kryepiromani i Shqipërisë, zjarret të qëllishme për t’i hapur rrugë krijimit të resorteve dhe parcelave me kanabis

15 Gusht, 15:01| Përditesimi: 15 Gusht, 16:40

  • Share

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka akuzuar Kryeministrin Edi Rama si fajtor të zjarreve në vend.

Në një deklaratë për mediat nga selia e partisë, Blushi e konsideroi Ramën si “kryepiromanin e Shqipërisë”.

“Edi Rama, arkitekti i shkatërrimit barbar, urban dhe mjedisor të Shqipërisë, është kryepiromani, nxitësi i vetëm dhe kryesor i flakëve, që prej javësh po djegin vendin cep më cep. Fillimisht, si Kryetar i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama inkurajoi prishjen nëpërmjet djegies me zjarr të shtëpive të vjetra tiranase, për t’i hapur rrugën betonizimit të kryeqytetit nëpërmjet një vale ndërtimesh kaotike kullash dhe pallatesh shumëkatëshe, që po e përvëlojnë, kanë shkatërruar çdo hapësirë të gjelbër e publike, i kanë marrë frymën dhe i kanë ndryshuar përfundimisht fizionominë historike këtij qyteti. Më pas, si Kryeministër, ky model i piromanisë institucionale u zgjerua në nivel kombëtar, me shkatërrimin sistematik të pyjeve dhe kullotave, që digjeshin nga organizatat kriminale me lejen e Edi Ramës për t’u shndërruar në parcela për kultivimin e hashashit, në funksion të strategjisë shtetërore të “Rilindjes” për kanabizimin e plotë të vendit”.

Sipas Tedi Blushit, zjarret në vend janë të qëllimshëm për të krijuar hapësirat e nevojshme për ndërtimin e resorteve. Madje sipas tij, kjo do të shërbejë edhe për krijimin e parcelave të reja të kanabisit.

“Shqipëria po digjet jo vetëm për të krijuar terrenin e favorshëm për ndërtimin e resorteve, hapjen e parcelave të reja të kanabisit si shpërblim për bandat elektorale me të cilat vrau zgjedhjet më 11 Maj, por raportime të besueshme nga komunitetet në terren bëjnë me dije se veçanërisht në zonat që shohin nga deti dhe ku ka diell më shumë se gjysmën e vitit, po krijohen terrenet e favorshme, për një tjetër biznes fitimprurës, sigurisht për oligarkët dhe klientët strategjikë të qeverisë, ndërtimin e parqeve fotovoltaike. Piromani i vërtetë i Shqipërisë është Edi Rama, sepse ai e ka ngritur djegien, shkatërrimin urban dhe mjedisor dhe mashtrimin në një sistem qeverisës”, tha Blushi ndër të tjera.

Sekretari i Përgjithshëm i PL duket se është në një linjë me shefin e tij, Ilir Meta, i cili një ditë më parë nga qelia e paraburgimit, përmes një statusi në Facebook aludoi se zjarri në Syrin e Kaltër në Delvinë ishte për t’i hapur rrugë betonizimit.

V.GJ /r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A e zgjidh emergjencën e zjarreve në Shqipëri blerja e avionëve zjarrfikës?