Politikë

Blushi i PL kërkon hetim ndërkombëtar për ‘rrëmbimin’ e Ilir Metës: Nuk krahasohet as me burgosjen e Navalnit në Rusi, të lirohet!

7 Korrik, 15:22| Përditesimi: 7 Korrik, 15:32

  • Share

Partia e Lirisë kërkon hetim ndërkombëtar për arrestimin me 21 tetor 2024 të kryetarit të saj Ilir Meta, në atë aksion që e quan rrëmbim të paprecedentë, që kalon edhe atë të navalnit në Rusi.

Sekretari i Përgjithshëm i PL, Tedi Blushi, doli sot në një deklaratë të radhës për mediat, ku akuzoi edhe drejtësinë që është vendosur nën kontrollin dhe keqpërdorimin e qeverisë, duke mbajtur në izolim të paligjshëm kreun e partisë.

“Nuk ekziston më asnjë dyshim: rrëmbimi kriminal i Ilir Metës është i motivuar politikisht, i orkestruar në mënyrë kriminale nga një regjim që po përpiqet të eliminojë opozitën dhe t’i mbyllë gojën çdo zëri kritik përpara zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025 dhe pas tyre. As regjimet autoritare nuk i kanë lejuar vetes akte të tilla. As regjimi i Vladimir Putinit nuk e ka arrestuar Aleksei Navalnyn në këtë mënyrë, në mënyrë kaq brutale, barbare dhe të poshtër. Çdo element i këtij “operacioni” është shkelje e hapur e nenit 25 të Kushtetutës dhe nenit 3 dhe 5 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, tha Blushi mes të tjerash.

Blushi këmbënguli në lirimin e Metës nga paraburgimi, duke pretenduar edhe dhunimin e tij pas arrestimit dhe se PL nuk do ndalet deri në fund në betejën e nisur.

Deklarata e plotë e Tedi Blushit:

“Partia e Lirisë dënon me vendosmërinë më të madhe aktin terrorist shtetëror politik të Narkoqeverisë, që keqpërdor institucionet e drejtësisë si armë kundër kundërshtarëve të saj politike, duke vijuar të mbajë në izolim ekstrem, pa fakte dhe pa prova penale, me masa represive që shtohen çdo ditë, liderin e saj, Presidentin Ilir Meta.

Sot, në Shqipëri, vend kandidat për anëtarësim në familjen europiane, nën sytë e BE-së dhe me heshtjen e turpshme të një pjese të drejtësisë, po përsëritet një skenar i egër kundër opozitës, që synon të instalojë një autokraci funksionale.

Procesi kriminal fund e krye farsë ndaj Presidentit të Partisë së Lirisë u vulosën që me rrëmbimin e tij kriminal, më 21 tetor 2024, në mes të ditës, nga forca paramilitare të maskuara dhe të armatosura rëndë, pa asnjë identifikim ligjor apo vendim gjykate, që nuk treguan asnjë urdhër-arresti.

Ky nuk ishte një arrestim – ky ishte një rrëmbim i pastër politik dhe i paprecedent në një vend që pretendon të jetë demokraci dhe kandidat për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.

Trajtimi i ish-Presidentit të Republikës, i tërhequr zvarrë, i dhunuar përpara publikut dhe i mbajtur në kushte degraduese, përfaqëson një nga shkeljet më flagrante të dinjitetit njerëzor dhe të parimeve themelore të shtetit të së drejtës në Shqipëri.

Nuk ekziston më asnjë dyshim: rrëmbimi kriminal i Ilir Metës është i motivuar politikisht, i orkestruar në mënyrë kriminale nga një regjim që po përpiqet të eliminojë opozitën dhe t’i mbyllë gojën çdo zëri kritik përpara zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025 dhe pas tyre.

Për fat të keq, mënyra se si u ekzekutua ky operacion ka kaluar çdo kufi të imagjinueshëm.

As regjimet autoritare nuk i kanë lejuar vetes akte të tilla. As regjimi i Vladimir Putinit nuk e ka arrestuar Aleksei Navalnyn në këtë mënyrë, në mënyrë kaq brutale, barbare dhe të poshtër.

Përkundrazi, siç mund ta konstatoni lehtësisht regjimi autoritar i Putinit u kujdes në dukje të arrestonte Navalnyn me forca të rregullta policie, të identifikuara, që i paraqitën atij një urdhër-ndalimi, i lejuan të drejtën të prononcohej edhe për mediat e të takonte bashkëshorten e tij, u shoqërua pa dhunë, pa u tërhequr zvarrë, pra formalisht me procedura të rregullta.

Ndryshe nga rasti Navalny, autoritetet shqiptare nuk kanë bërë asnjë përpjekje formale për të justifikuar masat ekstreme të përdorura, nuk kanë vërtetuar asnjë rrezik të pretenduar nga z. Meta, nuk kanë respektuar as të drejtat procedurale minimale, nuk kanë komunikuar vendim gjykate, nuk kanë dhënë asnjë sqarim ligjor, nuk i kanë dhënë të drejtën të kontaktojë avokatin.

Çdo element i këtij “operacioni” është shkelje e hapur e nenit 25 të Kushtetutës dhe nenit 3 dhe 5 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Ndërkohë për çështjen Navalnyy etj. kundër Rusisë, GJEDNJ u shpreh: “…se Gjykatat vendase nuk kishin bërë asnjë përpjekje, për të verifikuar masën e rrezikut, që përbënin aplikuesit, nëse ishte e nevojshme, për t’i ndaluar ata; Edhe nëse prezumohet, që aplikuesit nuk i ishin bindur urdhrit për ndalim, nuk kishte arsye për t’i arrestuar ata. Masat shtrënguese të marra kishin një potencial serioz, për të penguar mbështetësit opozitarë, në marrjen pjesë, në përgjithësi, në debatin e hapur politik. Efekti pengues i këtyre sanksioneve ishte fuqizuar më tej, nga fakti që ato kishin, si objektiv figura të njohura publike, heqja e lirisë së të cilëve, kishte tërhequr vëmendje të gjerë të mediave. Kështu, ndërhyrja nuk ishte e nevojshme, në një shoqëri demokratike. Ka shkelje të nenit 5 të KEDNJ, edhe në lidhje me shoqërimin e panevojshëm, në rajonin e policisë dhe mungesën e shkaqeve, për ndalimin e tyre”.

Imagjinoni se çfarë damke të zezë do t’i vendosë Shqipërisë, Gjykata e Strasburgut lidhur me rrëmbimin terrorist dhe trajtimin çnjerëzor që Narkopolicia e Edi Ramës i bëri Presidentit të Partisë së Lirisë.

Skandaloz dhe kriminal është gjithashtu fakti se asnjë masë, qoftë edhe më miminale disiplinore nuk u ndërmorr ndaj kapuçonëve maskëzinj që rrëmbyen Presidentin e Partisë së Lirisë, të cilët përkundrazi u graduan siç ishte rasti i Vilson Balës, që u “gradua” drejtor i Policisë së Durrësit.

Më kriminale është edhe fakti që drejtësia me regji nuk nisi asnjë hetim për rrëmbimin e Presidentit Meta edhe pse Narkodrejtori i Policisë së Shtetit, Ilir Proda ka mashtruar publikisht duke pretenduar se Presidentit të Partisë së Lirisë në momentin e ndalimit iu komunikua urdhër-arresti, ç’ka është fund e krye një mashtrim dhe falsifikim, sepse kjo ka ndodhur në ambientet e Drejtorisë së Tiranës disa orë pasi rrëmbimi i Z. Meta ishte bërë fakt.

SPAK dhe afërmendsh gjykatat e kapura dhe të vendosura nën shantazhin e përgjimeve nga Altin Dumani, mbyllën sytë dhe askush sot nuk mban përgjegjësi ligjore për këtë akt kaq të rëndë.

Pra rrëmbimi kriminal, hetimi kriminal dhe izolimi kriminal i Presidentit Meta nuk është asgjë tjetër veçse një akt terrori shtetëror politik i një qeverie të kapur, që përdor institucionet e drejtësisë si armë kundër kundërshtarëve të saj, si përpjekje për ta

Është një përpjekje e dëshpëruar për të imponuar heshtjen përmes frikës. Është një sinjal i qartë se pushteti në Shqipëri ka kaluar nga demokracia formale në autokraci funksionale.

Urdhri për arrestimin e Ilir Metës, Partia e Lirisë kërkon me vendosmëri:

Ndërhyrje urgjente të Gjykatës Kushtetuese, për të konstatuar shkeljet flagrante të të drejtave themelore të qytetarit Ilir Meta dhe për të rikthyer ligjshmërinë në vend duke i dhënë fund masës absurde, kriminale dhe politike të arrestit me burg për Presidentin e Partisë së Lirisë;

Një hetim të pavarur ndërkombëtar mbi mënyrën kriminale të arrestimit dhe përgjegjësit e këtij rrëmbimi politik;

Reagim të menjëhershëm të institucioneve ndërkombëtare, veçanërisht të Këshillit të Europës dhe Bashkimit Evropian, për këtë precedent të rrezikshëm për demokracinë në Shqipëri.

Ne nuk do të heshtim. Ne nuk do të frikësohemi. Ne nuk do të ndalemi.

Kjo është një betejë për demokracinë, për dinjitetin njerëzor, për lirinë e të gjithë shqiptarëve dhe për të ardhmen evropiane të Shqipërisë dhe në emër të tyre ne do vijojmë të çmontojmë të gjitha akuzat politike të këtij procesi kriminal dhe politik, në Tiranë dhe në Strasburg”.

A.Q/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Nis aksioni për lirimin e hapësirave publike, si e vlerësoni?