Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, hodhi akuza të forta ndaj drejtësisë së re dhe qeverisë “Rama” ditën e sotme, se po persekutojnë presidentin e partisë, Ilir Meta, i arrestuar dhe paraburgosur me vendim të GJKKO-së që prej 21 tetorit 2024.
Në një dalje për mediat ditën e sotme, numri dy i PL-së denoncoi se Meta është ndaluar në shkelje të ligjit që të takohej me motrën dhe fëmijët.
Blushi e cilëson “vepër të Altin Dumanit dhe Edi Ramës”, duke nënvizuar edhe mbajtjen në qeli tej afateve të paraburgimit të kryetarit dhe në shkelje të të drejtave të njeriut, pa asnjë fakt dhe provë.
Edhe në lidhje me zhvillimet më të fundit, ku SPAK ka njoftuar prova të reja ndaj Metës dhe Monika Kryemadhit për një kartë bankare, Blushi mbajti të njëjtin qëndrim sikurse reagimi i kryetarit në rrjetet sociale:
“Ilir Meta mban përgjegjësi vetëm për Ilir Metën dhe për askënd tjetër, edhe pse prokurorët e Ramës i kërkojnë Ilir Metës të mbajë përgjegjësi për kushërinjtë, shokët dhe shoqet e të tjerëve”.
Në fund ai i bëri thirrje institucioneve ndërkombëtare, Këshillit të Evropës dhe DASH-it amerikan që të mbrojnë të drejtat e njeriut në Shqipëri.
Deklarata e plotë e Tedi Blushit:
“Në vijim të procesit kriminal, tërësisht farsë dhe politik, të urdhëruar personalisht nga Edi Rama në Asamblenë e Partisë Socialiste dhe të firmosur nga Altin Dumani, që kulmoi me rrëmbimin terrorist dhe vijon me mbajtjen pa fakte dhe prova penale prej 8 muajsh në izolim ekstrem, një tjetër akt primitiv dhe hakmarrës është ndërmarrë sot ndaj Presidentit të Partisë së Lirisë, Z. Ilir Meta, pak ditë pasi po në shenjë hakmarrje, ai u dënua me 10 ditë mosushtrim të aktiviteteve sportive, vetëm pse dha një intervistë të realizuar live nga kabina e paraburgimit.
Në shkelje flagrante të ligjit për të paraburgosurit, Presidentit Meta i është ndaluar sot takimi javor i planifikuar me motrën dhe fëmijët, gjoja sikur ky takim është ezuaruar nga unë si Sekretar i Përgjithshëm, një mashtrim ordiner dhe i fëlliqur, si i gjithë ky proces.
Ndalimi i takimit me motrën dhe fëmijët, që është një e drejtë dhe aspak privilegj për çdo të paraburgosur, dëshmon hakmarrjen primitive të Altin Dumanit dhe Edi Ramës, që i tmerrojnë të vërtetat e Ilir Metës edhe kur ato thuhen nga kabinat telefonike të paraburgimit.
Kjo hakmarrje primitive dhe oridinere, që u dëshmua edhe ditën e votimit më 11 Maj, kur ngjyrat kuqezi të Presidentit Meta tmerruan Altin Dumanin dhe Edi Ramën që urdhëruan moslejimin e gazetarëve as të filmonin momentin e votimit të z.Meta, ndodh fill pas sqarimit shterues që Presidenti i Partisë së Lirisë bëri sot lidhur me lajmet e rreme të sponsorizuara me paratë e pista të inceneratorit që nuk ekziston në televizionet e regjimit.
Titrat e lëshuara nga regjimi, njësoj si raketat e Ajatollahut, për të bombarduar opinionin publik me fakte të paqëna, morrën sot sqarimin shterrues të Presidentit Meta
Por edhe njëherë theksojmë se nuk ka asnjë provë dhe asnjë fakt penal ndaj tij dhe se në shkelje flagrante të ligjit, të Kushtetutës, të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, ai vijon të mbahet në izolim ekstrem dhe vijojnë t’i zgjaten qëllimisht hetimet edhe me 3 muaj, ndonëse në 27 Maj i është komunikuar akuza dhe është marrë i pandehur.
Jo 6 vite, por edhe 600 vite te hetojne per 32 vite jete publike dhe politike te Ilir Metes kurre nuk kane per te gjetur nje fakt apo prove, jo ne toke por edhe ne cdo planet tjeter qe te cojne leterporosi, qe ta implikoje ate ne raport me ligjin. E kunderta eshte e vertete, z. Meta ka deshmuar gjithmone se eshte shembull i respektimit korrekt te ligjit dhe Kushtetutes.
Asnjë akt i paligjshëm, as nuk ka ndodhur dhe as nuk mund të ndodhë nga Ilir Meta, as në Republikën e Shqipërisë, as në SHBA dhe as në një vend tjetër.
Opinioni publik do ta shohë këtë gjatë gjykimit në themel, që nuk mund të jetë i mbyllur si “listat e mbyllura,” por do të jetë i hapur për qytetarët, ku ne do të çmontojmë akuzat e shërbëtorëve të Edi Ramës dhe ku të gjithë do t’i shohin edhe “dëshmitarët” të Edi Ramës. Ilir Meta mban përgjegjësi vetëm për Ilir Metën dhe për askënd tjetër, edhe pse prokurorët e Ramës i kërkojnë Ilir Metës të mbajë përgjegjësi për kushërinjtë, shokët dhe shoqet e të tjerëve.
Partia e Lirisë i bën thirrje të gjithë institucioneve ndërkombëtare, Këshillit të Europës, Parlamentit Europian, Departamentit Amerikan të Shtetit dhe organizatave që mbrojnë liritë dhe të drejtat e njeriut të reagojnë me forcë dhe dënojnë me ashpërsi këtë shkelje flagrante dhe recidiviste të të drejtave të njeriut, të ligjit, të Kushtetutës dhe Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, qe nisi me hetimin politik, vijoi me rrembimin terrorist çnjerezor dhe denigrues, nga bandite me maska, te armatosur rende dhe pa dokument identifikimi, vazhdon me mbajtjen e izolim ekstrem pa fakte dhe pa prova penale, hakmarrje primitive qe here shfaqet duke i hequr te drejten te filmohet kur voton, qe vazhdon me denimin me 10 dite per te mosushtruar aktivitet sportiv e se fundmi me mohonim e se drejtes per t'u takuar me familjaret, sic e parashikon qartesisht ligji".
Komente
