Partia e Lirisë kërkon rritjen e financimit të Arsimit me 5% të buxhetit. Nisma u prezantua ditën e sotme nga Sekretari i Përgjithshëm i partisë, Tedi Blushi, gjatë një konference për mediat.
Ai deklaroi se PL do të depozitojë në nisje të legjislaturës së re të Kuvendit të Shqipërisë edhe projektligjin për rritjen e financimit për Arsimin.
Ndërsa vuri në dukje problematikat me shpopullimin, varfërinë, gjendjen sociale dhe atë arsimore, Blushi tha se ka nevojë për ndryshim thelbësor, pasi qeveria e Edi Ramës kishte dështuar.
“Ndaj, për të nxjerrë arsimin nga gremina ku ai sot gjendet, Partia e Lirisë kërkon me vendosmëri dhe me nisjen e legjislaturës së re të Kuvendit do të depozitojnë për miratim në Kuvend, projektligjin për nivelin dysheme të investimit në arsim dhe kërkim shkencor në nivelin 5% të PBB, si dhe që ligjet kryesore të arsimit të miratuar me shumicë të cilësuar në Parlament, bashkë me strategjitë e arsimit, programet, kurikulat dhe politikat arsimore”, tha Blushi mes të tjerash.
Numri dy i PL tha se ka përkeqësim në të gjitha fushat dhe treguesit në Shqipëri dhe ndryshimi ishte i nevojshëm dhe emergjent.
Deklarata e plotë e Tedi Blushit:
“Përkeqësimi i të gjithë treguesve të arsimit në Shqipëri, veçanërisht të arsimit të lartë, janë thellësisht shqetësuese dhe një sinjal i fortë alarmi
Sulmit frontal të Edi Ramës mbi arsimin e lartë, poshtërimi dhe përdhosja, degradimi i qëllimshëm, zbrazja dhe mbyllja e dhjetëra degëve, rënia e pandalshme në rankimet ndërkombëtare të universiteteve tona, rrenimi i kerkimit shkencor, instrumentalizimi mjeran i rektoreve dhe dekaneve, i ka mbetur vetëm akti final, mbyllja fare e universiteteve nga kjo qeveri anti-arsim.
Arsimi universitar është jetik për të ardhmen e vendit, por nuk është kështu për Edi Ramën, armikun e dijes, të shkencës dhe të kërkimit shkencor.
Edhe vet raporti i fundit i Bordit të Akreditimit të Qeverisë nxjerr në pah realitetin e hidhur dhe tanimë të pranuar se pas 13 vitesh qeverisje të pandërprerë të Edi Ramës, sistemi ynë universitar është i degraduar, i paorientuar dhe i shkëputur nga nevojat reale të zhvillimit të vendit dhe të tregut të punës.
Qeveria, që për më shumë se një dekadë ka reklamuar propagandë për gjoja reforma në arsim, sot vetëpranon, ndonëse në mënyrë të vonuar, se sistemi është në rënie të lire dhe degradim total.
Të dhënat zyrtare, tregues që mendohet të jenë edhe më të zymtë, janë alarmante:
40% më pak studentë, por 2.5 herë më shumë programe studimi, një shembull flagrant i keqmenaxhimit dhe mungesës së planifikimit strategjik. Në një vend me më pak se 120 mijë studentë, 1300 programe janë absurde dhe prodhojnë vetëm diplomë, por jo dije.
Më pak se 40% e programeve të akredituara në 12 vite, ndërsa 95% e tyre janë në sektorin jo publik, cka dëshmon dështim i plotë të mekanizmit të kontrollit të cilësisë.
43% e stafit akademik janë ende vetëm me diplomë master, ndërkohë që çdo vit prodhohen dhjetëra doktorë të rinj jashtë vendit, që nuk përthithen nga universitetet publike shqiptare për shkak të nepotizmit dhe mungesës së një politike të rekrutimit të bazuar në meritë.
Mbi 46% e stafit pedagogjik me kohë të pjesshme dhe kjo vetëm për shkak të mungesës së financimit për vende të plota pune, një tjetër pasojë e drejtpërdrejtë e politikave të dështuara buxhetore dhe mungesës së vizionit në sektorin e arsimit.
Qeveria ka dështuar të vendosë themelet e një sistemi universitar modern dhe ndërkombëtarisht të krahasueshëm. Përkundrazi, ka prodhuar një ligj për arsimin e lartë që, pas 10 vitesh zbatim, ka sjellë më shumë kaos se rregull, më shumë marketing se substancë, dhe më shumë rrënim se reformë.
Mungesa e investimeve është thelbi i dështimit të gjoja reformës në arsim. Me vetëm 0.45% të GDP-së për arsimin e lartë, Shqipëria është në fund të listës në Europë. Ky është një mesazh i qartë politik, që kjo qeveri nuk e vlerëson arsimin, nuk i vlerëson pedagogët, studentët dhe të rinjtë, përkundrazi, nuk e subvencionon dhe nuk i mbështet ata, sepse nuk beson te dija si motor zhvillimi.
Të gjitha dështimet në arsim e kanë origjinën te mashtrimi fillestar i kësaj qeverie. Premtimi i dhënë në vitin 2013 dhe i pambajtur kurrë për buxhetin sa 5% e PBB-së ka prodhuar vetëm një sistem që prodhon vetëm regres.
Sot arsimi financohet me më pak se 2.2% të PBB, pedagogët janë të keqpaguar dhe financimi i kërkimit shkencor me vetëm 0.05% të GDP-së nuk motivon asnjë prej tyre.
Kjo ndodh sepse banda e "Rilindjes" në pushtet është kthyer në një armike të arsimit, e mundësive dhe e të së ardhmes së të rinjve shqiptarë.
Shqipëria ka buxhetin më të ulët në rajon për arsimin dhe Qeveria refuzon të rrisë pagat për pedagogët dhe profesorët sepse prioriteti I vetëm madhor i saj nuk është arsimi, nuk janë petagogët, nuk janë studentët, por inceneratorët, koncensionet, PPP-të, rrugët e florinjta dhe tenderat sekretë.
Prandaj dhe ndryshimi është një domosdoshmëri.
Nuk ka mundësi më të mirë për të frenuar shpopullimin e vendit nga të rinjve, se sa investimi në arsim.
Ndaj, për të nxjerrë arsimin nga gremina ku ai sot gjendet, Partia e Lirisë kërkon me vendosmëri dhe me nisjen e legjislaturës së re të Kuvendit do të depozitojnë për miratim në Kuvend, projektligjin për nivelin dysheme të investimit në arsim dhe kërkim shkencor në nivelin 5% të PBB, si dhe që ligjet kryesore të arsimit të miratuar me shumicë të cilësuar në Parlament, bashkë me strategjitë e arsimit, programet, kurikulat dhe politikat arsimore.
Arsimi duhet kthyer në përparësi kombëtare për të ndalur fenomenin e shpopullimit dhe garantuar zhvillimin e qëndrueshëm, progres dhe një të ardhme të sigurt europiane".
Komente
