Politikë

Blushi mbron kryetarin: Avokati i Popullit faktoi shkeljen e ligjit nga SPAK dhe Policia për rrëmbimin e Metës! U zhdukën provat (VIDEO)

28 Gusht, 14:43| Përditesimi: 28 Gusht, 15:17

  • Share

Prokuroria e Posaçme dhe Policia shkelën ligjin dhe nuk patën asnjë provë për arrestimin më 21 tetor 2024 të presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

Kështu u shpreh sot në një deklaratë për mediat, Sekretari i Përgjithshëm i PL-së, Tedi Blushi, i cili mori në mbrojtje kryetarin duke iu referuar një hetimi nga Avokati i Popullit. Teksa renditi shkeljet e SPAK-ut dhe Policisë, ai theksoi se do e vijonin betejën deri në fund.

“Kjo është një betejë për demokracinë, për dinjitetin njerëzor, për lirinë e të gjithë shqiptarëve dhe për të ardhmen evropiane të Shqipërisë dhe në emër të tyre ne do vijojmë të çmontojmë të gjitha akuzat politike të këtij procesi kriminal dhe politik, në Tiranë dhe në Strasburg, standardet e të cilit u vulosën me rrëmbimin kriminal të 21 tetorit 2024”, tha Blushi.

Ai e cilësoi skandal arrestimin e paligjshëm, me urdhër të tre prokurorëve të SPAK-ut, Altin Dumani, Arben Kraja e Sotir Kllapi, për të cilët tha se “e kanë mbështetur urdhrin e tyre për arrestimin e Ilir Metës në një ligj të shfuqizuar 4 vite më parë, e konstatuar kjo edhe nga Avokati i Popullit”.

Blushi hodhi akuza edhe ndaj qeverisë dhe kryeministrit Rama, si ideatorë të “rrëmbimit të Metës”.

Deklarata e plotë e Sekretarit të Përgjithshëm të PL, Tedi Blushi:

“Publikimi i gjetjeve shumë të rënda nga Avokati i Popullit lidhur me rrëmbimin kriminal të ish-Presidentit të Republikës, Ilir Meta në 21 tetor të vitit të kaluar, është një akt zyrtar që trondit thellë shtetin e së drejtës dhe ndërgjegjen demokratike të çdo qytetari shqiptar që ndihet i ekspozuar, i frikësuar dhe i pambrojtur përballë një regjimi represiv dhe antikushtetues, që me kapjen e institucioneve dhe me të tilla praktika kriminale të hetimit, shantazhit, dhunës, rrëmbimit, arrestimit dhe burgosjes së liderëve të opozitës, synon të vrasë pluralizimin politik e demokracinë për të legalizuar paligjshmërinë e tij.

Konstatimi i shkeljeve shumë të rënda ligjore nga Avokati i Popullit, të tilla si përdorimi i forcave speciale me maska, të paidentifikuar dhe të armatosur rëndë, për të dhunuar dhe rrëmbyer, nëpërmjet trajtimit degradues dhe poshtërues, në mungesë të çdo dokumentacioni procedural apo më keq akoma të zhdukjes së çdo prove institucionale, si në rastin e liderit opozitar të Partisë së Lirisë, Z. Meta përbëjnë jo vetëm një dhunim flagrant të lirive dhe të drejtave të njeriut, por një atentat të pastër politik dhe kriminal ndaj demokracisë dhe vet shtetit të së drejtës.

Ky akt i dënueshëm ligjërisht nuk është thjesht një incident policor.

Është zbatim i një urdhri politik kriminal, antikushtetues, një skenar i paramenduar i Edi Ramës, i vënë në zbatim nga SPAK dhe Narkopolicia, për të poshtëruar, frikësuar dhe eliminuar zërat opozitarë përmes mjeteve të neveritshme represive, të denja vetëm për diktaturat.

I gjithë kuadri ligjor, që është shkelur haptas, tregon se ekzekutimi i urdhrit të “Arrestit në burg”, që u krye nga forcat speciale të policisë, lëshuar nga SPAK, është i paligjshëm, denigrues, degradues dhe në kundërshtim flagrant të Kushtetutës, të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe standardeve demokratike ndërkombëtare.

Skandali që udhëheq gjithë këtë arrestim të paligjshëm është vet urdhri i tre prokurorëve të SPAK-ut, Altin Dumani, Arben Kraja e Sotir Kllapi të cilët e kanë mbështetur urdhrin e tyre për arrestimin e Ilir Metës në një ligj të shfuqizuar 4 vite më parë, e konstatuar kjo edhe nga Avokati i Popullit.

Ata e kanë bazuar ligjshmërinë e urdhrit te ligji nr.8331, datë 21.04.1998 “Për ekzekutimin e vendimeve penale”, ndërkohë që ky ligj është shfuqizuar me miratimin dhe hyrjen në fuqi të ligjit nr.79/2020 “Për ekzekutimin e vendimeve penale”.

Rrjedhimisht, Urdhri i lëshuar nga Prokuroria e Posaçme dhe çdo veprim i kryer nga agjentët e pretenduar policisë, të cilët ekzekutuan këtë urdhër, duhet të konsiderohet i pavlefshëm, që nga fillimi i tyre.

Skandali i radhës, që nxjerr zbuluar SPAK-un si organizatë kriminale në shërbim të Edi Ramës, është fakti se Gjykata ka urdhëruar Prokurorinë e Posaçme, Byronë Kombëtare të Hetimit dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë të ekzekutojnë vendimin për ndalimin e Z. Meta dhe jo njerëz me maska, të identifikuar më vonë si Forca Operacionale. (Lexo faqe 11 Avokati i Popullit)

Vendimi i qëllimshëm dhe politik, me vetëdije të plotë dhe ne shkelje të urdhri të Gjykatës, nga ana e SPAK për të shmangur Byronë Kombëtare të Hetimit nga urdhri i ekzekutimit, siç konstaton me shumë të drejtë Avokati i Popullit, dhe delegimi vetëm te Narkopolicia i rrëmbimit të Ilir Metës provon jo vetëm bashkëfajësinë dhe koordinimin e këtyre dy institucioneve për të realizuar atë krim të shëmtuar, por provon se me lejen e SPAK, Narkopolicisë i është lënë dorë e lirë të kryejë atë akt terrorist që tronditi mbarë opinionin publik, të rrëmbimit e dhunimit të z. Meta, duke u kujdesur edhe për sa më shumë shou, në mënyrë që të kënaqnin çmendurinë e urdhëruesit politik Edi Rama.

Ky rast nuk është vetëm për Ilir Metën. Është një paralajmërim për çdo qytetar që nesër mund të përfundojë me pranga, i dhunuar dhe i rrëmbyer nga banditë me maska, mbështetur mbi ligje të shfuqizuara prej vitesh, të tilla si neni 55 “Për Agjitacion dhe Propagandë”, vetëm pse guxon të flasë apo të jetë kritik me Qeverinë.

Partia e Lirisë vlerëson maksimalisht konstatimet e Avokatit të Popullit si një institucion i pavarur kushtetues, i cili me profesionalizëm ka evidentuar edhe të tjera shkelje flagrante të lirive dhe të drejtave të njeriut dhe të procedurave ligjore gjatë ndalimit dhe shoqërimit të Presidentit Ilir Meta.

Nga gjetjet e Avokatit të Popullit del qartë se kemi të bëjmë me një aksion të paligjshëm, arbitrar dhe të paprecedentë, i cili përbën jo vetëm një akt të rëndë të dhunës institucionale, por edhe një rrembim politik të orkestruar nga Edi Rama, të kryer në bashkëpunim nga SPAK dhe Narkopolicia e Shtetit, në shkelje të ligjit, të Kushtetutës, të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe të çdo standardi demokratik.

Shoqërimi pa dokumentacion ligjor, mungesa e kamerave trupore, përdorimi i forcave speciale me maska dhe pa identifikim, mungesa e çdo procesverbali zyrtar, trajtimi i padenjë dhe prangosja pa arsye brenda ambienteve të policisë, janë elementë që diskreditojnë rëndë integritetin e shtetit ligjor dhe cenojnë themelet e të drejtave të njeriut në vend – thekson Avokati i Popullit, duke konfirmuar denoncimet shumë të drejta dhe të vërteta të Presidentit Meta dhe të Partisë së Lirisë.

Në nenin 28 të Kushtetutës janë përcaktuar garancitë e të drejtat e personit që i hiqet liria, ndër të cilat: e drejta të njoftohet menjëherë për shkaqet e masës së ndalimit, si dhe për akuzën që i bëhet, e drejta të komunikojë menjëherë me avokatin, si dhe t'i jepet mundësia për realizimin e të drejtave të tij.

Në bazë edhe të akteve të brendshme, në ligjin nr. 79/2020 “Për ekzekutimin e vendimeve penale", neni 3, ndër parimet kryesore gjatë ekzekutimit të vendimit penal përcakton trajtimin human dhe respektimin i të drejtave dhe dinjitetit të personit të arrestuar, të paraburgosur ose të dënuar.

Por një regjim represiv, ku Narkopolicia e SPAK, janë ulur në gjunjë para Edi Rama, nuk pyetet as për Kushtetutë, as për ligje dhe as për KEDNJ.

Thellësisht kriminal dhe skandaloz është fakti se për shoqërimin e Ilir Metës, NarkoPolicia ka zhdukur çdo provë dhe të gjithë praktikën e arrestimit.

Nga mbikëqyrja e regjistrit të mbajtur në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë nga ekspertët e Avokatit të Popullit, nuk rezulton e pasqyruar ose më saktë është zhdukur  mbajtja e Z. Meta në cilësinë e të shoqëruarit.

Për sa më sipër, rezulton se dokumentimi i veprimeve procedurale të shoqërimit të z. Meta nuk ka qenë në përputhje me ligjin, thekson Avokati i Popullit

Situata e konstatuar nga Avokati i Popullit është sa skandaloze dhe kriminale nga ana e Policisë së Shtetit.

Për shoqërimin e Ilir Metës, Policia ka zhdukur çdo provë dhe të gjithë praktikën e arrestimit.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit nuk disponon dhe nuk ka vënë në dispozicion të institucionit të Avokatit të Popullit, kopje të dokumentacionit të mbajtur për shoqërimin, për të provuar veprimet e kryera nga ana e punonjësve të policies, duke faktuar tanimë edhe zyrtarisht mashtrimin publik të Drejtorit të Policisë, Ilir Proda, i cili edhe me “Kthim përgjigje” drejtuar Partisë së Lirisë, mashtron pastër për të justifikuar brutalitetin dhe dhunën e përdorur sepse e vërteta qëndron krejtë ndryshe.

Afërmendsh, fakti që SPAK-u nuk hetoi kallëzimin e bërë në datën 6 dhjetor 2024 nga Partia e Lirisë ndaj Policëve që kryen rrëmbimin në mësin e rrugës më kryesore të Tiranës, tregon jo vetëm mungesën e përgjegjësisë, por edhe bashkëfajësimin në këtë akt kriminal.

Më i rëndë është akoma pohimi publik i SPAK para gjykatës se arrestimi i Z. Meta u krye në përputhje të ligjit.

Pra kjo vërteton edhe njëherë se ish-Presidenti Z.Ilir Metaj u rrëmbye dhe dhunua qëllimisht në mesin e një prej rrugëve kryesore të Tiranës me urdhër politik të partisë në pushtet  dhe fakti që nuk pati asnjë reagim apo hetim qoftë edhe administrativ për policët (banditë) vërteton se jemi përpara një situate krejt të paprecedent për një shtet të së drejtës, që ndodh vetëm në vende diktatoriale apo regjime autokratike, ku mafia ka kapur jo vetëm shtetin, por edhe drejtësinë.

SHKELJET E LIGJIT GJATË AKSIONIT

Maska operacionale e fytyrës përdoret nga punonjësit e policisë që kryejnë operacione policore me rrezikshmëri të lartë, me qëllim mosdekonspirimin e identitetit të tyre. Kur maska operacionale e fytyrës përdoret nga strukturat operacionale të hetimit të krimit, duhet të shoqërohet edhe me mbajtjen e jelekut me shenjat dalluese të Policisë së Shtetit. Maska e fytyrës përdoret nga të gjithë punonjësit e policisë në shërbime operacionale në rastet:

E zbulimit, shkatërrimin (asgjësimin) e lëndëve narkotike në terren.

Ndalimit dhe arrestimit të personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Kontrollit të banesave kur fshihen persona me rrezikshëmri të lartë shoqërore apo të kërkuar nga policia.

Po ashtu, përdorimi i maskës operacionale të fytyrës nga punonjësit e policisë me veshje civile, nuk lejohet pa përdorimin e jelekut operacional me shenja dalluese policore.

Pra, sikurse parashikohet më lart, kjo lloj uniforme (maskë dhe jelek) mund të përdoret vetëm për rastet e përcaktuara në mënyrë shteruese në këtë urdhër dhe jo gjithnjë, sidomos në rastet kur kemi të bëjmë me ndalimin dhe shoqërimin e personave që kanë një status të lartë publik dhe kanë mbajtur detyrat më të larta shtetërore në vend, pa rekorde se paraqesin rrezikshmëri shoqërore, sikurse janë ish-Presidenti Ilir Metaj.

Mbështetur në kuadrin ligjor e nënligjor të cituar më lart, si dhe në kthimin e përgjigjes të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nuk gjendet e argumentuar pse ndalimi dhe arrestimi i shtetasit Ilir Metaj është cilësuar si operacion special dhe paraqiste rrezikshmëri të lartë shoqërore për përfshirjen e Forcës Speciale Operacionale.

Në informacionin e dërguar, nuk është argumentuar gjithashtu nga Policia e Shtetit, duke qenë se kanë ndërhyrë Forca Speciale Operacionale, se cila ka qenë domosdoshmëria e prangosjes dhe  rrethimit nga forcat e shumta të policisë.

Avokati i Popullit: Momenti i ndalimit të ish kryetarit të Kuvendit dhe ish-Presidentit e kryetarit të një nga partive politike opozitare nuk i plotëson kushtet e trajtimit dinjitoz, detyrim ky i Policisë së Shtetit sipas aktetve rregullatore në fuqi Po ashtu, përdorimi i prangave brenda ambienteve të Drejtorisë Vendore Tiranë të Policisë së Shtetit përbën trajtim denigrues në kuptim të jurisprudencës së GJEDNJ.

Avokati i Popullit: Ata ishin të paarmatosur dhe nuk paraqisnin dukshëm asnjë rrezik publik në autostradë në makinën e tyre, që makina pa mbishkrime policore dhe policë me maska dhe pa shenja dalluese policore të shfaqnin sjellje jo dinjitoze ndaj këtij personaliteti për publikun, duke i tërhequr ata tej përdorimit të forcës nga makina, me një trajtim degradues dhe poshtërues. Nga ana tjetër, policia, duke moszbatuar të tëra detyrimet me rigorozitet, si në frymë por edhe në gërmë, mund të sjellë pasoja serioze për integritetin e sistemit të drejtësisë dhe zbatimit të ligjit në vend, duke cenuar të gjithë procesin, për të cilin interesi publik është i lartë.

Avokati i Popullit: Z. Metaj duhej të ishte informuar menjëherë në momentin e ndalimit në lidhje me arsyen e ndalimit dhe arrestimit të tij, duke vënë në dispozicion urdhrin përkatës të prokurorit nga punonjësit e policisë. Këtij shtetasi duhet t'i ishin bërë me dije të drejtat e tij, si dhe t'i ishte dhënë mundësia e komunikimit me avokatin mbrojtës.

Partia e Lirisë kërkon me vendosmëri:

Ndërhyrje urgjente të Gjykatës Kushtetuese, për të konstatuar shkeljet flagrante të të drejtave themelore të qytetarit Ilir Meta dhe për të rikthyer ligjshmërinë në vend duke i dhënë fund masës absurde, kriminale dhe politike të arrestit me burg për Presidentin e Partisë së Lirisë;

Një hetim të pavarur ndërkombëtar mbi mënyrën kriminale të arrestimit dhe përgjegjësit e këtij rrëmbimi politik;

Reagim të menjëhershëm të institucioneve ndërkombëtare të mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të Njeriut, veçanërisht të Këshillit të Europës dhe Bashkimit Evropian, të Komisionit kundër Torturës, për këtë precedent të rrezikshëm për demokracinë në Shqipëri.

Kjo për shkak se me aktin e rrëmbimit janë shkelur të paktën 10 nene të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut:

Neni 2 – E drejta për jetë (në lidhje me rrezikun ndaj jetës dhe sigurisë në paraburgim).

Neni 3 – Ndalimi i torturës ose trajtimeve ç’njerëzore ose degraduese.

Neni 5 – E drejta për liri dhe siguri.

Neni 6 – E drejta për një proces të rregullt.

Neni 10 – Liria e shprehjes (në lidhje me ndalimin e komunikimit publik).

Neni 11 – Liria e tubimit dhe asocimit.

Neni 14 – Ndalimi i diskriminimit (për shkak të funksionit politik).

Neni 3 i Protokollit nr. 1 – E drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur (në kuptimin e pengesës në ushtrimin e funksionit opozitar).

Neni 14 – Ndalimi i diskriminimit (për shkak të funksionit politik).

Këto veprime përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë për lirinë dhe sigurinë e çdo qytetari shqiptar, si dhe një shenjë alarmante e kapjes dhe politizimit të institucioneve të zbatimit të ligjit nga Edi Rama.

Ne dënojmë fuqishëm këtë akt dhune shtetërore dhe kërkojmë urgjentisht përgjegjësi politike dhe penale për të gjithë ata që urdhëruan dhe zbatuan këtë operacion të paligjshëm kriminal.

Drejtësia nuk mund të ndërtohet mbi shkeljen e ligjit. Nëse shkelet ligji për një ish-President, nuk ka më asnjë garanci për qytetarin e zakonshëm.

Kjo është një betejë për demokracinë, për dinjitetin njerëzor, për lirinë e të gjithë shqiptarëve dhe për të ardhmen evropiane të Shqipërisë dhe në emër të tyre ne do vijojmë të çmontojmë të gjitha akuzat politike të këtij procesi kriminal dhe politik, në Tiranë dhe në Strasburg, standardet e të cilit u vulosën me rrëmbimin kriminal të 21 tetorit 2024”.

A.Q/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Aksidentet e rënda rrugore, a duhen ashpërsuar dënimet në Kodin Penal?