Në zgjedhjet e ardhshme lokale Partia e Lirisë do të kandidojë me siglën e saj dhe jo bashkë me PD-në, ndërsa në Kavajë ka dyshime të forta se u vodhën votat nga brenda dhe jashtë koalicionit.
Kështu u shpreh sot në ‘Studio Live’ të Report Tv, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi.
I sapozgjedhur deputet nga lista e sigurt e koalicionit PD-ADSHM për qarkun e Tiranës më 11 maj, ai pranoi se dështuan të merrnin rezultat pozitiv në zgjedhjet që i cilësoi të vjedhura nga Edi Rama. Blushi bëri autokritikë edhe për dështimin që ta nxirrte kryetarin Ilir Meta si deputet të Kuvendit, duke marrë një rezultat votash të dobët në listën e hapur të Tiranës. Blushi tha se votat e PL-së ishin vjedhur dhe ndaj kërkonin verifikim nëpërmjet ankimimit.
Ai nënvizoi se bashkëpunimi me PD-në është pozitiv dhe do vijojë, teksa u përgjigj edhe për akuzat e Monika Kryemadhit ndaj tij për pasurinë, duke nënvizuar se “jetoj te shtëpia e vjehrrit”.
Blushi tha se Ilir Metës nuk ia merr askush partinë dhe do jetë për dekada lideri i saj, ndërsa hodhi poshte spekulimet për gjendjen shëndetësore dhe psikologjike, duke e cilësuar në “topformë” dhe “pilot”.
“Raporti i PE damkos qeverinë për manipulimin dhe standardet e zgjedhjeve. Raporti i zotit Gahler e shprehu qartë përfshirjen e shtetit dhe krimit në zgjedhjet e 11 majit. Me trenin bullgar nuk mund të shkosh dot në BE. Kemi rastin e Njësisë nr. 9 në Tiranë apo rastin e Peqinit, me trenin bullgar. Evidencat janë në dritën e diellit dhe ku 130 mijë fletët e votimit që nuk dihet se ku janë, sikurse 130 mln eurot e inceneratorit të Tiranës. Kemi raste ku bandat ditën e zgjedhjeve dhe më tej, sikurse në Vorë, ku bandat morën peng qendrën e votimit atje. Madje edhe qeveria i inkurajoi, me në krye kryeparlamentaren Elisa Spirolaki, duke i pajisur ata edhe me bexha nëpërmjet Ilirjan Celibashit. Rezultati i zgjedhjeve nuk është shprehje e vullnetit të qytetarëve, por i diktuar me laps e letër nga Edi Rama. Nuk ka ende asnjë hetim për rastin e Vorës, as nga ana e Task-Forcës apo SPAK dhe nuk ka ende asnjë sqarim sot e kësaj dite se çfarë ndodhi atë ditë dhe kush ishin ata persona”, tha Blushi për ‘Studio Live.
Ai i qëndroi kërkesës dhe dyshimeve se rezultati në Kavajë ishte i deformuar, por nuk akuzoi PD-në dhe komisionerët e saj, edhe pse shumë kandidatë të opozitës kanë dalë publikisht dhe akuzojnë për vjedhje votash brenda koalicionit.
“Kemi dyshime të arsyeshme se vullneti i qytetarëve të Kavajës është ndryshuar. Një makineri shtetërore ka ndërhyrë dhe kush tjetër, është çështje vullneti politik, narkomazhorancë, ku edhe SPAK-u veproi vetëm pas zgjedhjeve, madje u shoqëruan vetëm disa persona. Kreu i SPAK nuk guxon të thotë emrat e krerëve të bandave, kjo do të thotë shumë. Krerët e organizatave kriminale janë të lirë, janë arrestuar vetëm disa bedelë. Altin Dumani nuk i sheh ata siç nuk sheh krimin intelektual apo inceneratorët. Ka pasur ngërçet e veta në momente të caktuara, por në vija të përgjithshme bashkëpunimi i koalicionit ka qenë shumë i mirë dhe pozitiv. Madje dua t’i falenderoj të gjithë numëruesit dhe komisionerët që i qëndruan ballë situatave, madje edhe ata që votuan presidentin Meta janë heronj, pasi kanë refuzuar presionet, shantazhet, kërcënimet etj”, tha drejtuesi i PL-së në mungesë të Ilir Metës, i cili qëndron i paraburgosur prej 21 tetorit 2024.
Por a ka krisje mes PD dhe PD-së dhe a do shkojë opozita në Parlament në muajin shtator, apo do e bojkotojë.
“Ka pasur edhe problematika të natyrave të ndryshme dhe cedime, por nuk është momenti për t’i analizuar, sepse ka ndodhur një masakër elektorale në krahun tjetër, pasi Rama po tenton të spostojë vëmendjen nga ajo që ka ndodhur. Por i panë ndërkombëtarët, kemi raportet dhe rezolutat. Ne nuk i pranojmë zgjedhjet dhe nuk i lëmë hapësirë Ramës nga ana tjetër, duke përsëritur gabimin e djegies së mandateve, që nuk është gabim por tradhti kombëtare. Betejën tonë sigurisht që do e bëjmë në Parlament, asnjë hapësirë Ramës, nuk do e gëzojë dot këtë mandat, nuk do ta mbyllë dot. Për këtë të jeni të bindur”, u shpreh Blushi, duke shigjetuar edhe ish-kryetaren Monika Kryemadhi (te ish-LSI).
Por a do vijojë koalicioni zgjedhor mes PD dhe PL në të ardhmen apo pas krisjes për Kavajën do të kenë rrugë të ndara?
“Do e qartësojmë këtë moment për zgjedhjet e ardhshme lokale, nëse do jemi bashkë me PD apo jio. Ne kemi nisur analizën, ndaj falenderoj votuesit e zotit Meta dhe të gjithë numëruesit. Sigurisht që patëm edhe ne gabimet tona, pasi ceduam në disa raste, sikurse listat që shkuan nga PL te patronazhistët e Edi Ramës. Kemi ndezur motorët e fushatës së ardhshme të zgjedhjeve lokale, do garojë me siglën e saj për këshillat bashkiakë dhe do marri rezultat që do kalojë parashikimet tuaja. Do kandidojmë me siglën tonë, por nuk ka asnjë çarje me PD-në. Herën e kaluar PD s’e kishte vulën e saj, ndaj edhe kandiduam së bashku. Po bëhen përpjekje për të krijuar një konflikt artificial mes PL dhe PD-së. Ne kemi mbajtur qëndrimin tonë, ashtu sikurse edhe presidenti Ilir Meta, duke denoncuar përpjekjet e Ramës deri edhe në marrjen peng të PD-së. Zoti Meta dha kontributin e tij dhe e shpëtoi nga marrja peng të Partisë Demokratike nga Rama”, nënvizoi sekretari i përgjithshëm i PL.
Blushi iu përgjigj edhe akuzave të Kryemadhit për pasurinë e tij dhe se është pronar i tre shtëpive, teksa merr edhe benefite shtetërore.
“Tedi Blushi nuk ka asnjë shtëpi, jetoj në një apartament të ndërtuar që në kohën e Enver Hoxhës, që është e vjehrrit të tij, pra që nuk është e imja. Me të ardhurat e mia modeste nuk kam pasur mundësi që të jem pronar i një shtëpie time. Nuk kam asnjë kompleks për të thënë këtë, jam shumë i qetë në lidhje me pasurinë time, pasuria ime është familja ime, pastërtia ime morale”, tha ai për Report Tv.
Deputeti i ardhshëm i Parlamentit shoi edhe spekulimet për gjendjen shëndetësore dhe psikologjike të kryetarit Meta në paraburgim, duke nënvizuar se në ping-pong nuk e ka mundur ende askush atje brenda.
Blushi bëri edhe autokritikë që dështoi për ta bërë deputet Metën, duke thënë se kryetari brenda në burg mori më shumë vota në qendrën e tij sesa ata jashtë.
“Metën e kam takuar tre ditë më parë, gjendja e tij është top-formë, ka paramentra shëndetësore të një piloti. Nuk ka dalë askush që ta mund në ping-ong brenda atyre ambienteve. Gjendja është shumë e mirë, komunikoj pothuajse çdo ditë, por takimet janë të caktuara nga IEPV te “Jordan Misja”. Por të mos kenë asnjë shqetësim për gjendjen e tij shëndetësore. Dua të them se zoti Meta mori në qendrën e tij të votimit më shumë vota atje brenda sesa ne që ishim jashtë atyre ambienteve. Por ne që ishim jashtë, përfshi edhe mua, që kam edhe përgjegjësinë kryesore, nuk ia dolëm dot. Ne kemi filluar analizën, do korrigjojmë gabimet që bëmë në këto zgjedhje dhe mendoj se në betejën e afërt zgjedhore elektorale do kemi rezultate shumë të mira”, tha ai.
Por a mund të ketë PL një kryetar të ri në mungesë të Metës dhe a mund të largohet nga drejtimi i partisë pas problemeve me drejtësinë?
“Kjo është një shaka e madhe sepse askush nuk e ka menduar këtë gjë apo ta mendoj, sepse zoti Meta është lider i padiskutueshëm i kësaj partie. Nuk ka vend për një debat të tillë dhe s’ka pse bëhet. Edhe në konventë pati kandidatë që mendonin se mund të konkurronin me zotin Meta dhe rezultati u pa vetë. Lidershipi i tij është i padiskutueshëm, ai është e do të jetë për dekada të tjera në krye të asaj partie”, përfundoi Blushi.
Komente
