Kultura

Bobby Solo, legjenda e muzikës italiane, koncert në Tiranë! Në skenë edhe kantautori i njohur Marco Zappa

4 Qershor, 13:51| Përditesimi: 4 Qershor, 15:57

  • Share

Në Itali por edhe në Evropë njihet si artisti që solli rokun amerikan të Elvis Preslit në kontinentin e vjetër, i famshëm u bë edhe për këngët lirike ndër të cilat, “Una lacrima sul viso” apo “Zingara”, të shitura në miliona kopje, dhe mbrëmjen e së martës erdhën live për puiblikun nostalgjik shqiptar. 

Legjenda e muzikës italiane Bobby Solo i dhuroi për herë të parë një koncert publikut shqiptar në Pallatin e Kongreseve në Tiranë.

Emocionet e përballjes së parë me fansat e tij shqiptarë, Bobby  Solo i rrëfen për mikrofonin e Report Tv.

“Jam shumë i lumtur këndoj në Shqipëri. Në Itali, shumë miq shqiptarë vijnë të më dëgjojnë në koncerte. Iu pëlqen rock n’roll, jazz-i, blues dhe këngët e mia të vjetra.”, - thotë ai.

Ndërsa rrëfen për fillimet e tij muzikore dhe këngët që i pëlqen të dëgjojë së shumti, e që nuk janë pak, artisti shprehet se mbi gjithçka i pëlqen muzika e mirë, porse muzika amerikane është ajo që e ka ndikuar krejtësisht.

“Fillova prej Elvisit, por pas 10 vitesh u përpoqa të kuptoj nëse Elvisi, stili i tij ishte i veti apo ishte ndikuar nga lloje të tjera këngësh dhe zbulova, që kur ishte 10-12 vjeç, ai dëgjonte muzikë kishtare, blues, country etj. Unë bleva gjithë disqet që ai dëgjonte gjatë moshës 12-15 vjeçare dhe krijova për veten time një kulturë me muzikë amerikane.”

Bobby Solo thotë se i pëlqen të kthehet sërish në Shqipëri, pavarësisht se në axhendën e tij ka shumë turne.

“Jam 80 vjeç dhe besoj është pak shumë për moshën time, por në Itali, popullariteti im është i madh dhe më pëlqejnë shumë.”

Në koncertin që zgjati më shumë se 2 orë në Pallatin e Kongreseve, në skenë u ngjit fillimisht një tjetër legjendë, kantautori i famshëm italo-zviceran, Marco Zappa. I martuar me një shqiptare nga Pogradeci, Zappa ia kushtoi koncertin thuajse tërësisht lidhjeve të tij me Shqipërinë.

“Do të jetë një program i dedikuar së shumti Shqipërisë. Unë kam më tepër se 12-13 vjet që vij shumë shpesh në Shqipëri. Jam shumë mik i shqiptarëve. Jam me grupin tim, ku është pjesë edhe Iliri, një baterist nga Tirana. Në këtë koncert në një pjesë të madhe do të ketë shumë pjesë që i kam shkruar në Shqipëri, për miq shqiptarë apo situata shqiptare. Do të ketë edhe instrumente si çiftelia shqiptare, që do të përfaqësohen.”, - thotë Zappa.

I njohur edhe si ndjekës i Bitëllsave, ai këndoi edhe mjaft këngë të tyre.

Koncerti erdhi me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës, ndërsa artistët ishin të ftuar nga Qendra “Shqipëria Evropiane”, e drejtuar nga Ilir Yzeiri.

B.G/K.T./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria barazoi me Serbinë, sa shanse ka për të shkuar në Botëror?