Drejtori i klubit të Kukësit Nderim Nexhipi, i cili merr pjesë si përfaqësues i klubit verilindor në mbledhjet e Ligës Profesioniste, thotë se bojkotit po i vjen fundi. Për Report Tv Nexhipi saktëson se deri në mesin e javës së ardhshme skuadrat do të kenë zbritur në fushë, për t’iu përkushtuar më pas vetëm lojës së futbollit.
“Është fakt që kam qenë në mbledhje sepse ato kanë qenë të shumta në javën e fundit dhe të gjithë jemi të mendimit se bojkoti po përfundon. Shpresojmë që nga takimi I fundit mes Dukës dhe Kryeministrit janë zgjidhur disi gjërat dhe shpresojmë që kjo të marrë tani një kahë tjetër dhe qeveria të plotësojë kushtet që kërkohen pasi janë në të mirë të futbollit.”
Së fundmi ka qarkulluar një hipotezë se kampionati mund të mos nisë deri në janar. Është disktuar kjo hipotezë në mbledhjen e Ligës?
“Nuk është disktuar dhe të them të drejtën po shpresojmë që kjo të zgjidhet shumë shpejt. Ndoshta nuk do të fillojë këtë fundjavë, por shpresoj që në mesin e javës tjetër të fillojë.”
Në merkaton e verës Kukësit iu larguan 18 futbollistë, 9 nga formacioni, por Nexhipi thotë se pavarësisht kësaj klubi do të luftojë për titullin kampion.
“Është fakt që janë larguar shumë lojtarë dhe kanë ardhur lojtarë të rinj. Me dy afrimet e fundit që janë Ibrahimi dhe Taipi besoj se ekipi është plotësuar.”
Me këto ndryshime objektivi mbetet i njëjti fitimi i titullit kampiona?
“Jo, tani është viti im I treti në Kukës dhe ambiciet e klubit dihen gjithmonë. Kemi një president që çdoherë investon, çdo herë kërkon rezultat dhe normalisht edhe tituj.”