Bojkotuan Begajn, opozita e copëtuar në zgjedhjen e presidentit të ri! Zero shpresë unifikimi

5 Qershor 2022, 16:49| Përditesimi: 5 Qershor 2022, 16:59

  • Share

Bajram Begaj nuk mori bekimin e opozitës me votë për të qenë kreu i shtetit, por qasja që treguan ndaj zgjedhjes së Presidentit të Ri, konfirmoi sërish se opozita e vecanërisht  Partia Demokratike e ka të vështirë gjetjen e rrugës së unifikimit.

Përballë një mazhorance tërësisht të unifikuar, pati disa grupime të opozitës. I pari, ai që në shifra rezultoi më e madhi, grupi parlamentar i Partisë Demokratike që bojkotoi seancën për zgjedhjen e presidentit.

Nën drejtimin e Enkelejd Alibeajt, 30 deputetë nuk morën pjesë në seancë.

Alfred Rushaj, Andia Ulliri, Arbi Agalliu, Bledjon Nallbati, Dashnor Sula, Dhurata Çupi, Emilja Koliqi, Enkelejd Alibeaj, Eralda Bano (Tase), Fatjon Veizaj, Flamur Hoxha, Flutura Açka, Gazment Bardhi, Greta Bardeli, Helidon Bushati, Ilda Dhori, Jorida Tabaku, Kastriot Piroli, Xhelal Mziu, Kreshnik Çollaku, Lefter Gështenja, Lindita Metaliaj, Lulzim Basha, Merita Bakiu, Orjola Pampuri, Ramadan Likaj, Saimir Korreshi, Seladin Jakupllari, Zef Hila, iu bashkuan thirrjes së tij. 

Ndonëse kishte deklaruar se me votë, do të jepte kundërshtimin e tij, Sali Berisha me grupin e tij të deputetëve shkoi në Kuvend, por votën kundër, pavarësisht retorikës politike nuk e dha.

Bashkë me deputetë të tjerë, Flamur Nokën, Oerd Bylykbashin, Luciano Bocin, Belind Këllicin, Albana Vokshin,Ina Zhupën, Tritan Shehun, Luan Bacin, Edi Palokën, Edmond Spahon, Isuf Celën e Kasëm Mahmutajn, u mjaftuan me simbolikën e ngritje së kartonit të kuq.

Njëjtë si Komisioni i Rithemelimit, në seancën për zgjedhjen e presidentit shkuan, por nuk votuan edhe deputetët Ervin Salianji e Grida Duma. Në mesin e tyre, surprizë ishin edhe Ferdinand Xhaferraj dhe Agron Gjekmarkaj që refuzuan kërkesën e Alibeajt.

Vendimi i Berishës u ndoq edhe një pjesë e aleatëve, Fatmir Mediu, Agron Duka, Dashamir Shehi dhe Vangjel Dule.

Por një pjesë tjetër e opozitës, respektoi procesin ndonëse vendimi politik ishte për të votuar kundër. 3 deputetët e LSI dhe 3 të PDIU morën pjesë në proces, prej të cilëve, rrodhi edhe një votë!

Krah ndarjes së opozitës, Bajram Begaj prodhoi edhe një ndarje të re, të atyre që pas 24 korrikut u projektuan si udhëheqësit e aksionit të opozitës, Ilir Metës e Sali Berishës, i cili doli kundër vendimit të presidentit në detyrë për ti hapur rrugën kushtetuese zgjedhjes së Begajt në krye të shtetit.

Precedenti i krijuar me zgjedhjen e presidentit të ri, rrezikon të njëjtën sjellje të opozitës edhe në sfidat e radhës parlamentare, në planin e afërt të së cilave janë reforma zgjedhore dhe ndarja e re administrative e vendit.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?