Editorial

Bollino: Përgjimet e Veliajt si Dosja 184! Çfarë do të kishin dëgjuar prokurorët nëse do të përgjonin edhe Berishën gjatë zgjedhjeve apo pas arrestimit?

7 Prill, 12:26| Përditesimi: 7 Prill, 13:05

  • Share

Përgjimet telefonike të bëra ndaj Erion Veliajt ndërsa ndodhej në qelinë e burgut të Durrësit, kujtojnë ato të realizuara me urdhër të prokurorit Besim Hajdarmataj ndaj socialistëve të angazhuar në fushatën elektorale në Dibër në vitin 2016. Historiku i dosjes së famshme 184, e dorëzuar nga vetë prokurori tek Partia Demokratike dhe më pas e publikuar në faqet e gazetës gjermane Bild, i ngjan si dy pika uji dosjes me përgjimet e Erion Veliajt që përfundoi në faqet online të Syri dhe të një portal hibrid që është vegla e klaneve të ndryshme. Në të dyja rastet, prokurorët që i kishin autorizuar dëgjuan biseda me shkelje etike, por nuk konstatuan asnjë vepër penale, dhe vetëm për këtë arsye, ato përgjime duhej të mbeteshin të mbyllura në sirtaret e Drjtësisë. Por, përkundrazi, të dyja dosjet u bënë publike në të njëjtën mënyrë (pra mediatikisht), dhe si për rastësi, të dyja i shërbyen më shumë Partisë Demokratike në fushatën e saj politike sesa gjykatave. I vetmi ndryshim është se përgjimet e Hajdarmatajt të botuara ishin transkriptuar në mënyrë të plotë, me të gjitha zërat e përfshirë në bisedë, gjë që e bënte përmbajtjen më të qartë. Ndërsa në përgjimet ndaj Erion Veliajt të përgatitura nga SPAK, gjenden vetëm disa fraza të shkëputura dhe jo e gjithë biseda, çka vë seriozisht në dyshim edhe vlerën e tyre gjyqësore.

Nuk ka qytetar apo gazetar në botë që nuk ëndërron të dëgjojë bisedat telefonike të komshiut apo të një politikani, dhe pikërisht për këtë arsye, kjo superfuqi që shkel privatësinë në mënyrë kaq të rëndë, i është besuar ekskluzivisht nga ligji filtrit dhe ndjesisë së përgjegjësisë së një gjyqtari. Në demokracitë liberale, prej vitesh diskutohet mbi përdorimin gazetaresk të përgjimeve: Cilat dhe kur mund të publikohen? Nëse ka mendime të ndryshme për përdorimin e përgjimeve që përbëjnë prova penale, askush nuk ka dyshim se përgjimet që nuk përbëjnë prova për ndonjë krim duhet të mbeten sekrete. E megjithatë, edhe nga ato që publikohen, duhet të hiqen pjesët “jo të rëndësishme” ose ato që përfshijnë qytetarë që nuk kanë asnjë lidhje me hetimin penal. Pra përgjimet duhet të anonimizohen si në fakt bëhen edhe në gjykata shqiptare apo KLSH kur botojnë vendimet e tyre. 

Në rastin e dosjes 184, ashtu si në rastin e përgjimeve të Erion Veliajt, ky parim themelor i civilizimit juridik u shkel brutalisht. Nuk është për t’u habitur që mbrapa kësaj dhune, bashkë me ndonjë përfaqësues të drejtësisë, qëndron gjithmonë Partia Demokratike, lideri i së cilës, Sali Berisha, nuk ka treguar asnjëherë në jetën e tij ndonjë respekt për të drejtat e njeriut, e aq më pak për të drejtat e kundërshtarëve të tij politikë. Ai dhe gazetarët e tij përdorin vetëm urrejtjen si instrument vlerësimi, duke iu bindur një instinkti pothuajse shtazor që i përket epokave më të errëta të historisë njerëzore. Por a është normale që edhe drejtësia — dhe në veçanti drejtësia e re — të bëjë të njëjtin gabim?

Kur u publikua dosja 184, e përbërë ekskluzivisht nga përgjime të eksponentëve socialistë të angazhuar në fushatë, u ngrit pyetja: çfarë do të kishte dëgjuar prokuroria nëse do të përgjonte edhe telefonatat e eksponentëve të Partisë Demokratike të mobilizuar në të njëjtën fushatë? Do të kishte dëgjuar biseda ndryshe dhe më shumë etike? Të njëjtën pyetje e bëj edhe sot: çfarë do të kishte dëgjuar SPAK nëse do të përgjonte telefonatat e Sali Berishës apo të dhëndrit të tij ditët pas arrestimit? Duke pasur parasysh se në publik u lëshuan në një linçim të pakontrolluar ndaj gjyqtarëve, prokurorëve dhe gazetarëve, çfarë thoshin në telefon gjatë bisedave që i konsideronin private dhe konfidenciale? Vleresonin SPAK-un dhe kërkonin që media të mos përfshihej në mbrojtjen e familjeve të e tyre? Nëse vëllai apo gruaja e Erion Veliajt nuk duhej të flisnin me gazetarët, çfarë ka thënë Argita në telefon me gjithë gazetarët dhe bashkëpunëtorët, para se të bënte dhjetëra e dhjetëra dalje në të gjitha televizionet shqiptare? Çfarë ka thënë Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi në telefon para se të publikonte sulmet, shantazhet, konferencat, mitingjet ndaj Drejtësisë së re? 

Për fat të keq, nuk mund t’i japim përgjigje kësaj pyetjeje, sepse ashtu si Hajdarmataj zgjodhi të përgjonte vetëm eksponentët socialistë atëherë, edhe sot SPAK ka zgjedhur të përgjojë vetëm Erion Veliajn. Askush nuk e ka shkelur privatësinë telefonike të PD-së atëherë, ashtu siç askush nuk e ka shkelur sot privatësinë telefonike të familjes Berisha. Ose të paktën këto përgjime nuk janë bërë publike nga askush.Edhe një herë një dopio standard i prokurorisë ka favorizuar të njëjtën palë politike. Prandaj moralistët që pushtojnë studiot televizive dhe mediat online, përfshirë ato të financuar nga donatorët pa asnjë trasparencë, në vend që të japin leksione mbi etikën, më mirë të reflektojnë mbi njëanshmërinë e një pjese të drejtësisë që është shumë më e rrezikshme dhe më e rëndë se sa njëashmëria e të akuzuarit. Apo, në të kundërtën,  të heshtin fare.

xy/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Produktet e kontaminuara, si e vlerësoni sigurinë ushqimore në Shqipëri?