ROMË - Mbrëmja e 14 majit 2025 do mbahet mend për Bolognan e futbollit dhe tifozët e saj, pasi pas plot 51 vitesh klubi kuqeblu fitoi Kupën e Italisë për herë të tretë në histori.
Në finalen e "Olimpicos" djemtë e Vincenzo Italianos fituan 1-0 kundër Milanit, për të "firmosur" trofeun dhe një sezon të dështuar të rivalëve. Paçka se fundjavën e kaluar Milani i mposhti 3-1 në kampionat, mbrëmja e finales ishte me tjetër fytyrë për Bolognan.
Pjesa e parë u mbyll pa gola, ndërsa duhej minuta e 53-të që zvicerani Dan Ndoye të shënonte golin e vetëm të sfidës, i cili solli edhe trofeun. Në fund të ndeshjes festa ishte legjitime për Bolognan, ndërsa nuk munguan as lotët e gëzimit në kampin kuqeblu.
Nga ana tjetër kishte zhgënjim për një sezon që u nis me pritshmëri të larta dhe duket se do mbyllet pa një vend në Champions League.
Me këtë sukses Bologna e çon në tre numrin e trofeve të Kupës së Italisë, teksa Milani dështoi për të marrë trofeun e gjashtë, duke qenë finalja e dhjetë e luajtur.
Bologna fitoi Kupën e Italisë për herë të tretë në histori. Pjesë e kuqebluve është edhe Davide Calabria, që pas disa muajve me Bolognan fiton trofeun që mungonte prej 51 vitesh në vitrinën e klubit.
Calabria në janar la Milanin dhe kaloi te Bologna në huazim, duke fituar Superkupën në fillim të këtij viti me kuqezinjtë. Dikur edhe kapiten i Milanit, Calabria sheh një sezon të çuditshëm me dy trofe, një me Milanin dhe një me Bolognan.
Tanimë 28-vjeçari mbetet pa kontratë dhe do ketë mundësinë që të zgjedhë ofertën më të mirë, duke mos përjashtuar mundësinë që të vijojë karrierën te Bologna.
Trajneri i Milanit foli pas humbjes në finalen e Kupës së Italisë kundër Bolognas. "Mund të kishim bërë më shumë, por këto janë ndeshje që vendosen në detaje. Në çdo duel duhet të japësh gjithçka dhe të mendosh se është ai vendimtar, kjo është pak a shumë një pasqyrë e të gjithë sezonit", tha Conceiçao, që duket se do bëjë gati valixhet për një largim në fundin e sezonit.
“Pjesa e parë ishte e ekuilibruar, me dy raste shënimi”, ishin fjalët e trajnerit të Milanit për 'Sportmediaset'.
“Në pjesën e dytë sigurisht që mund të kishim bërë më shumë. Duhet ta përgëzojmë kundërshtarin sepse fitoi, por pas golit pati shumë pak lojë. Arbitri në disa situata… Por nuk dua të them asgjë tjetër, përndryshe do të thonë se po kërkoj justifikime. Fituam Superkupën, arritëm në fund të Kupës së Italisë.
Tani le të përpiqemi ta përfundojmë këtë kampionat me dinjitet. Më vjen keq për tifozët, është një zhgënjim për ta dhe për të gjithë. Mund të kishim bërë më shumë, por këto ndeshje vendosen nga detajet.
Zëvendësimet? Në fund të ndeshjes ke një mijë gjëra në kokë, mendoj se bëra atë që duhej të bëja. E përgatita mirë, edhe nëse duke parë prapa ke disa shqetësime, është normale”.
Duke u kthyer te analiza e ndeshjes: “Shpesh nxitoheshim në veprimet tona, kishim përgatitur një ndeshje paksa të ndryshme. Megjithatë, 20-25 minutat e para ishin të mira, pastaj sigurisht që mund të kishim bërë më shumë. Ishte një ndeshje shumë e vështirë, me shumë duele. Ishte paksa një pasqyrë e këtij sezoni, sigurisht që ka zhgënjimin e humbjes së shansit për të fituar një titull në një sezon të vështirë. Sidoqoftë, urime Bolognas”.
Së fundmi, ai nuk zbulon asgjë për të ardhmen: “A do të shihemi vitin tjetër? Do të shihemi të dielën në Romë për të luajtur ndeshjen e kampionatit”.
Komente
