Itali- Karabinierët e Trevisos, me mbështetjen e SIO të Batalionit të 4-të Mestre dhe Stacionit të Karabinierëve të Mogliano Veneto, përfunduan një operacion kundër trafikut të drogës.
Operacioni ka nisur mbrëmjen e së hënës dhe u konfirmua nga autoritetet në median e vendit fqinj. Fillimisht ishte ndaluar një shtetas shqiptar në Bolonja.
Në bazë të informacioneve të mbledhura, karabinierët “sulmuan” në shtëpinë e tij në Preganziol, në “Via Vasco de Gama”.
Dy shqiptarë të tjerë, të moshës 32-vjeçare, janë kapur në befasi brenda ambienteve. Njëri prej të dyve ishte tashmë i njohur për policinë për precedentë të mëparshëm, të lidhur me trafikun e drogës. Në momentin e ndërhyrjes, të dyshuarit po tentonin të “pastronin” shtëpinë e bashkëpunëtorit të arrestuar.
Gjatë kontrollit personal, lokal dhe automjeteve, karabinierët gjetën mbi 20 mijë euro cash, të fshehura në një çantë shpine, rreth 350 gram kokainë të pastër, e ndarë në tre blloqe dhe e fshehur brenda një makine të parkuar pranë shtëpisë, shkruan "Giornale Nordest".
U sekuestrua automjeti, droga, paratë dhe materiale të tjera të vlerësuara për hetimin. Dy të arrestuarit u transferuan në burgun e Trevisos.