Bolonja– Tension i madh në qendër të Bolonjës mbrëmjen e së hënës gjatë demonstratës së thirrur nga grupi “Palestinezët e Rinj” për të shënuar 7 tetorin, një vit pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit. Pavarësisht ndalimit zyrtar, qindra persona u mblodhën në Piazza del Nettuno, ku që në fillim policia ndërhyri duke sekuestruar megafonin dhe altoparlantët e protestuesve.
Forcat e rendit, të pajisura me automjete të blinduara, rrethuan dhe izoluan aktivistët, duke i penguar të zhvillonin tubimin e planifikuar. Situata u tensionua kur disa protestues filluan të brohorisnin kundër ndërhyrjes së policisë: “Kjo është demokracia italiane që pengon demonstratat”, u dëgjua të thuhej me megafon.
Pas bllokimit në Piazza del Nettuno, protestuesit tentuan të marshonin drejt Piazza Maggiore, duke brohoritur “Palestina e lirë” dhe “na lejoni të kalojmë”. Forcat e policisë i ndaluan përsëri, duke shpallur përmes altoparlantëve: “Marshim i paautorizuar, shpërndahuni.”
Në orët e mbrëmjes, situata degjeneroi në përleshje në Via Rizzoli, ku policia përdori shkopinj gome dhe topa uji për të shpërndarë turmën. Pas përplasjes, një grup prej rreth një mijë protestuesish u tërhoq në drejtim të kampusit universitar, duke kaluar nga Via Rizzoli dhe Strada Maggiore drejt Piazza Verdi.
Në disa rrugë u ngritën barrikada me kontejnerë plehrash për të ngadalësuar përparimin e policisë, ndërsa raportohet se një gazetar është goditur me shkop gome gjatë përleshjeve.
lajm në përditësim...
Komente
