'Bombat' e Shaqir Vukajt që trondisin edhe sot politikën shqiptare

2 Qershor 2022, 12:48| Përditesimi: 2 Qershor 2022, 12:50

  • Share

Ngjarjet tragjike shqiptare të pas rrëzimit të komunizmit vijnë herë pas here në publik në forma të ndryshme. E sa herë vijnë, ato ngjallin interes, polemika e natyrisht përplasje në opinion.

Ka një “traditë” tashmë që në median shqiptare, kur ka një “përvjetor” sillen shikime e opinione për ngjarjet më të rënda.

Fakt është që këto qasje kanë ardhur prej njerëzve që ngjarjet i kanë parë nga këndvështrime të tyre, por që nuk kanë qenë aktorë e protagonistë të rëndësishëm. Në Shqipëri mungon zhanri i memuarëve të protagonistëve të ngjarjeve, çka në Perëndim është rutinë. Ish-kryeministri Italian, Matteo Renzi, që nga ikja prej postit të kryeministrit ka shkruar 3 libra, të cilët janë ngjitur në listën e më të lexuarve në shkallë kombëtare.

Tek ne ka qenë Presidenti Bamir Topi, që i ka sjellë publikut një kontribut të rëndësishëm dokumentar mbi zhvillimet më dramatike në vend. Në një libër mbi presidencën e tij, ku natyrisht hyjnë Gërdeci dhe 21 janari si pika kulminante, dhe mbi zgjedhjet e Tiranës ku ai ka qenë dëshmitar i dorës së parë, Presidenti Topi ka sjellë histori që kanë marrë vlerë potenciale për të zbardhur ngjarjet, të cilat politika i fsheh me manovrat e saj.

Shaqir Vukaj, një diplomat e politikan i rëndësishëm i viteve të para pas rrëzimit të komunizmit, sjell librin e dytë pas atij mbi shënimet nga Moska për çështjen e Kosovës.

Vukaj, ka qenë një protagonist i dorës së parë të zhvillimeve politike pas rrëzimit të komunizmit, ku përveçse deputet në dy legjislatura ka qenë Nënkryetar i Parlamentit të Shqipërisë, ministër i Mbrojtjes, Ministër i Ekonomisë dhe Tregtisë, ambasador në Moskë dhe ambassador në Pragë.

Kryetar i parë i Partisë Socialistë të Shkodrës, pas prillit të tmerrshëm të viit 1991, Shaqir Vukaj ishte njeriu që e futi PS-në në zgjedhjet e 22 marsit 1992 në Shkodër, çka konsiderohej një tabu. Qyteti, ku në fakt lindi e majta shqiptare, pas 2 prillit u kthye në një “tokë e frikshme” për secilin që quhej socialist. Përndryshe ishe pa punë, ose i sulmuar në shoqëri. Universiteti “Luigj Gurakuqi”, Radio “Shkodra”, apo çdo institucion i qytetit kishte përfafuar “inkuzicionin” e ri- me fjalën e madhe “antikomunizëm”. Shto këtu edhe egërsinë e mazhorancës, që me fjalën e Sali Berishës President gjëmonte: “Shkodra nuk i do socialistët”.

Vukaj ka sjellë në zgjedhjet e 1992, listën më të mirë që PS ndër vite e kanë pasur në qarkun e Shkodrës. Edhe pse s’fituan, kandidatët e Partisë Socialistë për Shkodrën ishin model për të përfshirë trurin e inteligjencën në politikë. Përveç Shaqir Vukajt, që ishte kryetar i PS-së, kandidatë për deputetë të PS në Shkodër  ishin: poeti i madh Frederik Reshpja, i burgosur prej regjimit komunist, futbollisti e trajneri i shquar i kombëtares kuqezi, Medin Zhega, mjeku i talentuar dhe mjaft popullor onkolog në Shkodër, Skënder Zaimaj, por edhe mjaft intelektualë të tjerë.

PD, i fitoi të gjithë deputetët në Shkodër, por të vetmit që u njohën në publikun e gjerë ishin Pjetër Arbnori i cili ishte kryetar Kuvendi dhe Ali Spahia kryetar i grupit parlamentar të PD-së. Të tjerët as i njohu, as i mban mend njeri.

Vukaj nuk qëndroi shumë në Shkodër,  pasi në vitin 1992 u zgjodh nënkryetar i Parlamentit, e kështu qëndroi në Tiranë, por duket se etjen për të treguar të vërtetën e tij, e ka mundur sensi i “rehatisë” që pengon shumë nga politikanët që të rrëfejnë në publik ata ç’kanë parë, dëgjuar apo mendojnë për zhvillimet në vend.

E Shaqir Vukaj, në librin:  “Nga gjakosja e Shkodrës  (Pranverë 1991) tek pergjakja e Shqipërisë (Pranverë 1997)”, nuk lë gjë pa thënë për atë që ai ka parë, dokumentuar dhe regjistruar në shënimet e tij, që i mban në mënyrë permanente.

Një nga ngjarjet më të rëndësishme e dramatike të postkomunizmit shqiptar është 2 prilli 1991, një tragjedi që solli 4 të vrarë, shumë të plagosur, por edhe sot ne nuk dimë kush i vrau, kush urdhëroi vrasjen e tyre dhe si rrodhi realisht ngjarja.

Për 2 prillin kanë folur shumë deri tani, por Shaqir Vukaj në librin e tij jep një pamje krejt të re, krejt të freskët e natyrisht tronditëse. Ai e ka parë 2 prillin nga pak metra dhe e transmeton në mënyrë dinamike, si të jetë një roman “i verdhë” i George Simenon. Ku ka “bomba” që nuk ishin thënë më parë publikisht. Në Shkodër fliteshin natyrisht, por askush nuk ka pasë guximin t’i dokumentojë. Shaqir Vukaj rrëfen si dëshmitar ose si rrëfimtar i të dhënave që i janë transmetuar, të cilat i tregon me burime të “blinduara”.

2 prilli i rrëfyer nga Shaqir Vukaj është krejt ndryshe nga ai që deri më sot na është dhënë nga dëshmitarë apo aktorë afër ngjarjes. Na sjell një panoramë direkte, vertikale të zhvillimeve, por edhe një dimension tjetër të panjohur, atë të armëve kundër policisë nga njerëz të grupit protestues. Shaqir Vukaj, këtë dëshmi, e tregon me një referencë dy burimshme, duke dhënë të gjithë dinamikën.

2 prilli i Shaqir Vukajt nuk është i vagullt, as spekulativ, madje fare akuzues, por rrëfyes deri në detaje i zhvillimeve njerëzore në Shkodër. Madje autori tregon një marrëdhënie të afërt me një nga dëshmorët e 2 prillit, vrasja e të cilit është më shumë se enigmatike-është tejet e dyshimtë. E këtë dyshim, Shaqir Vukaj e rrëfen me referenca preçize.

Përgjakja e Shkodrës vjen në libër me disa dimensione, duke ju kthyer para në kohë, për të ndihmuar kronikën që të vijë tek e vërteta. E në këtë logjikë, Vukaj ka një përfundim që në Shkodër e gjen rëndom: Përgjakja e Shkodrës nuk ishte spontane, por e komanduar dhe e dirigjuar. Nga brenda dhe nga jashtë sipas tij. Edhe për këtë ka mjaft rrëfime e analiza interesante, që natyrisht secili nxjerr përfundimin e vet.

Si parantezë, në takimin e promovimit të librit të Shaqir Vukajt, që u mbajt në Muzeun Kombëtar, foli edhe Tanush Mulleti, një personazh mjaft i njohur në vend, nipi i Qazim Mulletit, i cili ka jetuar shumicën e kohës në Shkodër.

Mulleti, foli me respekt për Shaqir Vukajn, por nuk ndau të njëjtin mendim për 2 prillin 1991, për të cilin dha një këndvështrim ndryshe edhe si protagonist i ngjarjes. E në fakt, kjo është logjika e një botimi, të zgjojë diskutimet që deri tani kanë ardhur nga kënde të ndara; njëri gozhdës e tjetri patkoit.

Por “bombat”e vërteta të Shaqir Vukajt vijnë më pas, pikërisht me tragjedinë e vitit 1997. Është realisht një nga dëshmitë më të plota për këtë kohë të tmerrshme. Që madje ka edhe referenca nga axhanset e mediave më të rëndësishme botërore. Për këtë kohë, Vukaj, ka një ditar preçiz, i cili është panoramë e gjerë e zhvillimeve, jo vetëm nga këndi i ministrit të Mbrojtjes së qeverisë së Pajtimit Kombëtar, por edhe më gjerë.

Ku ka referenca e shifra të frikshme. Një nga to? Njëra përshembull: Mbi 100 miliardë lekë, shifra e dëmeve në ushtrinë shqiptare nga grabitjet e ndodhura gjatë vitit 1997. e padalë deri tani dhe që përbën lajm të madh madje. E që me kursin e kohës shkon tek 670 milionë dollarë amerikanë.

Por natyrisht nuk është e vetmja, pasi ka shumë të dhëna krejt të panjohura mbi zhvillimet e frikshme të asaj kohe, ku Vukaj ka regjistruar edhe zhvillimet në PD edhe në PS, të cilat i jep siç janë shkruar në atë kohë, pra pa logjikën e vonesës në fazë.

Është krejt e pakuptueshme që media kryesore shqiptare e trajtoi këtë libër dëshmi shumë të rëndësishme në pjesën më të vogël të saj. Televizionet kryesore nuk ju afruan, ndërkohë që thërrasin në emisione edhe njerëz mitomanë që nuk kanë ç’tregojnë realisht.

Po a ka dëshmi më të qartë sesa një aktor i dorës së parë; ministër dy herë dhe nënkryetar Parlamenti, i cili është aktual pasi flet edhe për krisjet e lojrat e Sali Berishës me Perëndimin. E është pikërisht atëherë kur SHBA, Britania e Madhe dhe vendet e BE-së i vunë vulën Sali Berishës si një tiran. Që një vit më parë u ngulit me “Non Grata”-n e qeverisë së SHBA. Vendim që realisht ka nisur që në mesin e viteve 90 të shekullit të shkuar, e këtë e tregon qartësisht Shaqir Vukaj….TemA

B.K./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Bobi: 03/06/2022 00:46

    Kemi pare deshmite me video te Enver Hoxhes. Jo ato "publiket" por te fshehtat. Dhe e dime se ne fakt komunizmi si sistem dhe pasuesit e tij, perfshire "kuadrin" qe qeveris sot, fytyre te vertet ka ligesine, arrogancen, imoralitetin, dhunen ekstreme, shkaterrimin e cdo mendje apo ideje pozitive apo kritike sepse ajo eshte baza ku mbeshtetej ai regjim dje ky sot:ne INJORANCEn e njerzve.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?