Elvis Demçe

Bota

Itali/ Bombë në shtëpinë e bosit Elvis Demçe, hapet hetimi: Kush po kërcënon ‘Zotin’ e mafies shqiptare?

25 Korrik, 20:01| Përditesimi: 25 Korrik, 20:06

  • Share

Një mjet shpërthyes artizanal, gati për të plasur, u la vetëm pak metra larg banesës së familjes së Elvis Demçes. Nuk është vetëm një kërcënim. Është një mesazh i qartë: armëpushimi, nëse ndonjëherë ka ekzistuar, ka përfunduar. Lufta mes grupeve kriminale të mafies së re romake nuk është më e heshtur. Nuk njeh më as rregulla – madje as ato të pashkruarat. Sepse ajo bombë u vendos në zemër të jetës private të bosit shqiptar, i cili aktualisht ndodhet i burgosur në Ascoli. Pikërisht aty ku jetojnë edhe fëmijët e tij.

Ngjarja ndodhi më 15 korrik, një ditë pas operacionit të Njësisë Hetimore të Karabinierëve që zbardhi një front të ri: nga burgu, Demçe jepte urdhra për rrëmbime personash me qëllim marrjen e informacioneve mbi një ish-partner të kthyer në rival, Fabrizio Fabietti. Për të realizuar këtë, ai mbështetej te një grup i përzier latino-amerikanësh dhe shqiptarësh – të njëjtët që më 11 maj 2024 tentuan të vrisnin shefin e trafikut në zonën e Tor Bella Monaca, Giancarlo Tei, një vend ku mbiemrat vlejnë më shumë se numrat e identitetit.

Pas këtij atentati, pikat e shpërndarjes së drogës në qytet u ndezën nga tensionet. Dy muaj më vonë, një bombë shpërtheu në një apartament në Borghesiana, ku banonte një i dënuar tunizian i lidhur me grupet shqiptare.

Jemi përballë një përplasjeje të vjetër mes mbetjeve të grupit kriminal të Ponte Milvio – grup që më parë drejtohej nga Fabrizio Piscitelli, i njohur si “Diabolik”, i vrarë me një plumb pas koke më 7 gusht 2019, në mes të ditës, në Parkun e Ujësjellësve të Romës.

Që prej asaj dite, harta e krimit në Romë është bërë fluide, e paparashikueshme. Kufijtë mes aleancave dhe tradhtive janë zhdukur. Kronikat e përditshme tregojnë pjesën tjetër të historisë: përplasje, të shtëna me armë, tentativa vrasjesh, eksplozivë. Roma po digjet mbi hirin e një paqeje kriminale që kurrë nuk u nënshkrua vërtet.

Fillimisht u publikuan lajmet për hetimet mbi Demçen dhe urdhrat e tij nga burgu. Vetëm një ditë më pas shpërtheu bomba – e hedhur para portës së banesës, me një fitil që për fat nuk funksionoi siç duhej. Ishte gruaja e Demçes që e gjeti. Prokuroria Antimafia ndjek situatën në heshtje, por me shumë vëmendje. Sepse në Romë, rastësitë rrallëherë janë vërtet të tilla. Dhe sepse deshifrimi i skemave të krimit të organizuar është bërë gjithnjë e më i ndërlikuar.

Demçe ka më shumë se një armik – aq sa edhe planet që ka ndërtuar. “Kam ndërtuar një film që ti do ta kuptosh vetëm kur të ndodhë gjithçka... gjithçka është gati, vetëm se ata ende nuk e dinë”, kishte thënë dikur. Prokurorët dyshojnë se i referohej një tjetër lufte: asaj me Giuseppe Molisso, një figurë e rëndësishme e klanit të Michele Senese. Por Demçe nuk duket se e tremb. “Çfarë xhaxhi Michele… kush dreqin e ka parë ndonjëherë...”, shkruante në një bisedë të përgjuar. Megjithatë, ai nuk e njeh si të vetën këtë bisedë. Në disa letra të dërguara në redaksi, ai ka mohuar çdo përgjegjësi apo konflikt ndaj “Zotit Michele Senese”.

Lista e armiqve nuk përfundon me Molisso. Aty përfshihen edhe Leandro Bennato dhe Ermal Arapaj – edhe ky shqiptar, sot armik i Demçes. Disa vite më parë, ata përplaseshin për kontrollin e pikave të drogës, me bomba dhe armë. Pastaj erdhën arrestimet. Por tani, zjarri po rindez flakët e vjetra nën hi.

Emri i Elvis Demçes del kudo ku ka flakë, dhunë dhe dominim. Ka viktima të rrëmbimeve, të afërm të të zhdukurve, dhe miq të të vrarëve. Si Francesco Vitale, një DJ nga Bari, i cili u hodh nga ballkoni i një pallati në Magliana, teksa përpiqej të shpëtonte nga një rrëmbim. Zyrtarisht, Demçe nuk ka lidhje me ngjarjen. Por në rrugë, mes klaneve, e vërteta është tjetër. Dhe përhapet më shpejt se provat.

Dhe së fundmi, një tjetër emër përmendet – me zë të ulët, por gjithnjë e më shpesh: Giancarlo Tei. Kreu i padiskutueshëm i një prej pikave më fitimprurëse të trafikut në Tor Bella Monaca. Një figurë urëlidhëse mes klaneve kalabreze dhe shqiptarëve të Ponte Milvio, ku dikur bënte pjesë edhe Demçe. Dyshimet janë të shumta. Të njëjtët persona që një vit më parë tentuan të vrisnin Tein, sot figurojnë të përfshirë në rrëmbime, nën urdhrat e bosit shqiptar.

Drejtësisë i duhen prova. Në rrugë, mjafton një emër i pëshpëritur. Një aleancë e prishur. Një bombë para shtëpisë./ La Repubblica

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Lui: 25/07/2025 20:35

    O GAZETARËËËË, ju lutem mos u vendosni epitete glorifikuese këtyre lloj njerëzish. Ju lutem sepse ju ndërsa jepni lajmin duke përdorur këto lloj epitetesh “zoti” padashje i promovoni si shembuj dhe idhuj. Thashë padashje, por mund të jetë edhe me dashje(uroj që jo). Jo vetëm nuk duhet t’i promovoni, por përkundrazi duhet t’i përçmoni duke përdoru epitete vulgare e përçmuese. Ju gazetarë jeni njëra nga shtyllat e emancipimit shoqëror. Prandaj përzgjidhini fjalët me kujdes duke treguar që jeni kundër promovimit të këtyre kriminelëve dhe të jeni pro emancipimit të shoqërisë. JU LUTEM…, është shumë e rëndësishme.

    Përgjigju
    • Fshatari i informuar: 26/07/2025 08:56

      Behet me dashje nga agjenturat e huaja permes agjenteve te tyre.

    • Alo: 26/07/2025 07:51

      Shumë dakord!

  • Sondazhi i ditës:

    Si mendoni se po menaxhohet situata me zjarret?