Foto nga postimi i Edi Ramës

Sociale

Bonusi i bebes, 237 mijë fëmijë përfituan që prej vitit 2019

1 Gusht, 07:55| Përditesimi: 1 Gusht, 08:17

  • Share

Më shumë se 237 mijë fëmijë kanë përfituar bonusin e bebes prej fillimit të programit të qeverisë në janar 2019,  njoftoi sot kryeministri Edi Rama.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë shprehet se për fëmijën e parë, bonusi është 40 mijë lekë, për fëmijën e dytë është 80 mijë lekë dhe për fëmijën e tretë është 120 mijë lekë.

“Mirëmëngjes dhe me njoftimin e këndshëm se më shumë se 237 MIJË fëmijë kanë përfituar bonusin e bebes prej fillimit të programit të qeverisë në janar 2019, duke mbështetur familjet e reja me 40,000 lekë për fëmijën e parë, 80,000 për fëmijën e dytë dhe 120,000 lekë për fëmijën e tretë, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama në Facebook.

Ndërkohë nga viti i ardhshëm nuk do të ketë më bonus për bebet që do të lindin, por pagesë mujore deri në moshën 5 vjeçare. Qeveria ka planifikuar që për fëmijën e parë pagesa do të jetë 5 mijë lekë në muaj ose 60 mijë lekë në vit, (300 mijë në 5 vite) nga 40 mijë lekë në total që është çeku aktual.

Për fëmijën e dytë skema e re parashikon pagesë 7 mijë lekë në muaj deri në moshën 5 vjeçare ose 84 mijë lekë në vit, nga 80 mijë lekë që është pagesa aktualisht. Ndërsa për fëmijën e tretë pagesa mujore do të jetë 10 mijë lekë, ose 120 mijë lekë në vit ose 600 mijë lekë për 5 vitet e para të bebes. Kurse bonusi sot për beben e tretë është 120 mijë lekë.

Ndryshimi i skemës bëhet për të stimuluar rritjen e lindjeve, pasi treguesit demografikë në vend janë në trend negativ. Çdo vit po regjistrohen më pak lindje referuar shifrave zyrtare. Kështu në tremujorin e parë të këtij viti erdhën në jetë 4.662 bebe, nga 5.428 bebe të lindura në të njëjtën periudhë vjet.

Nga rënia e lindshmërisë buxheti i shtetit ka kursyer para, pasi në gjashtëmujorin e parë janë shpenzuar 500 milionë lekë për bonusin e bebeve nga 900 milionë lekë në të njëjtën periudhë vjet.

Rënia e lindjeve e shoqëruar me emigrim po dëmton ekonominë e vendit, pasi mungon fuqia punëtore dhe nga ana tjetër mosha mesatare e vendit po rritet me ritme të shpejta.

Xh.K/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Prokuroria, GJL e Dhoma Avokatisë kundër Kodit Penal, a duhet ndryshuar drafti?