Qytetarët e mbetur të pastrehë si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit 2019, do të mbështeten nga qeveria me bonus qiraje derisa të marrin banesat e reja. Nëpërmjet një akti normativ tashmë të gjithë qytetarët do të vazhdojnë të përfitojnë pagesën e qirasë, deri në përfundim të rindërtimit.
“Ne do të vazhdojmë mbështetjen për familjet që mbetën të pastreha si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019. Me aktin normativ të kaluar ne miratuam aktin që mbështeste këto familje, por ne kishim vendosëm një afat që subvencionimi i qirasë do të bëhej për një vit, por ky afat ka kaluar, dhe është i domosdoshëm ky akt. Ne vendosëm të propozojmë shtyrjen e afatit, pa vendosur një afat të ri kohor por kemi thënë deri sa këto familje të strehohen dhe nuk ka nevojë për ta ndryshuar më këtë akt normativ”, u shpreh drejtoresha e buxhetit në Ministrinë e Financave Mimoza Dhëmbi.
Aktualisht janë 13.600 familje që trajtohen me bonusin e qirasë, por që ky numër ndryshon ditë pas dite, pra numri ulet pasi familje të tjera marrin shtëpitë e tyre në dorëzim. Për këtë arsye në relacionin e këtij akti normativ nuk citohet as numri i familjeve por në buxhetin e shtetit për këtë vit janë vendosur në dispozicion 1.5 miliardë lekë për të shlyer detyrimin qirasë.