Reshjet e dendura të dëborës, të shoqëruara me temperatura të ulëta dhe ngrica kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në sektorin e frutkulturës, veçanërisht në kulturat e kumbullës dhe qershisë, ndërsa nuk ka mbetur pa prekur as molla.
Në zonën e Dvoranit në Korçë, dhjetëra fermerë raportojnë se prodhimi i këtij viti është shkatërruar në masën 100%. Sipas tyre, temperaturat që kanë zbritur deri në -7°C kanë dëmtuar tërësisht pemët, duke ngritur alarmin se këtë vit në juglindje nuk do të ketë fruta.
“Kam 3 hektarë të gjitha janë dëmtuar dhe nuk do bëjnë prodhim këtë vit. Nuk ka ndodh asnjëherë kështu. Shpezimet më kanë shkuar 4 milionë (të vjetra)”, thanë ata.
Një përqindje e vogël e fermerëve kanë provuar “fatin” e tyre duke ndezur zjarre pranë plantacioneve, në përpjekje për të zbutur ndikimin e temperaturave të ulëta. Sipas tyre, kjo është metoda e vetme që rekomandohet nga specialistët, por efektiviteti i saj mbetet i paqartë, sidomos kur temperaturat bien ndjeshëm gjatë natës.
“Unë kam 10 hektarë. Kam ndezur zjarret se temperatura shkon -7 gradë celsius. Shpresojmë të shpëtojmë diçka sa për të nxjerr shpenzimet”, tha një tjeter fermer.
Edhe specialistët e bujqësisë konfirmojnë se dëmet janë të mëdha. Ata bëjnë me dije se brenda 72 orëve të ardhshme do të nisin verifikimet në terren për të evidentuar dhe vlerësuar saktësisht shkallën e dëmit. Sipas burimeve zyrtare kompesimi për dëmet në bujqësi, aktualisht është i pamundur për shkak të përcaktimit të ligjit të emergjencave, ku nëse nuk shpallet gjendja emergjente, zyrtarisht nuk mund të kryhet kompesim mbi dëmet. Ndërsa e vetmja mënyre sipas të njëjtave burimeve mbetet siguracioni i vetë fermerëve pranë kompanive pritave te sigurimeve.
Komente
