TIRANË- Bordi i transparencës ka vendosur që të ulë çmimet e karburanteve. Kështu në vendimin e fundit, është vendosur që çmimi i naftës të ulet me 4 lekë/ litri. Pra do të shitet me 189 lekë/litri nga, 193 lekë/litri që ishte.
Gjithashtu ulje me 4 lekë/litri ka pësuar edhe çmimi i benzinës që do të shitet me 186 lekë nga 190 lekë që ishte. Po me 4 lekë është ulur edhe çmimi i shitjes me pakicë të gazit që do të shitet me 76 lekë/ litri nga 80 lekë/litri që ishte.
“Si rrjedhojë çmimet e vendosura janë :
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 189 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 177 lekë/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 186 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 174 lekë/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 76 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë 64 lekë/litër për automjetet.
Çmimi i gazoilit për peshkim është vendosur 95 lekë/litër”, thuhet në vendim.
Nisur nga akuzat e shumta nga opozitës që e cilësojnë si të kapur nga oligarkët e karburanteve, Bordi i Transparencës sqaron që në krijimin e tij i është përmbajtur me përpikmëri në vendimet e tij lëvizjes së bursës Platts të Mesdheut për gazoilin, benzinën, si dhe faturave zyrtare të operatorëve.
"Ministria e Financave dhe Ekonomisë ndjen detyrimin të sqarojë opinionin publik se jo çdo lëvizje e bursës së naftës bruto reflektohet në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën masë në bursën e gazoilit dhe benzinës", përfundon njoftimi.
Çmimet e caktuara nga Bordi kanë hyrë në fuqi sot në orën 18.00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.