Vetëm një ditë ka zgjatur vakumi politik për vendin bosh të ministrit të Mbrojtjes në Gjermani. Këtë të martë, qeveria gjermane njoftoi se Boris Pistorius do të jetë ministri i ri i Mbrojtjes.
Dikur ministër i Brendshëm, socialdemokrati Pistorius pritet të marrë mandatin të enjten. Emërimi i tij vjen në një kohë të vështirë për sigurinë evropiane, ndërsa lufta në Ukrainë ka cënuar ekonominë dhe sigurinë e kontitentit të vjetër.
Paraardhësja e tij u largua në kohën kur gjermanët po bëheshin gati të dërgonin armatime të rënda në Ukrainë për të përballuar një sulm të mundshëm rus në muajt në vijim.
Christine Lambrecht dha dorëheqjen të hënën pasi u përball me kritika të forta nga opozita lidhur me deklaratat e saj dhe sipas medieve gjermane nuk shihej si kandidate e fortë për këtë detyrë pasi nuk kishte përvojë dhe njohuri të mjaftueshme për ushtrinë.
Të premten në Rammstein të Gjermanisë, baza më e madhe amerikane në Evropë, pritet të organizohet një nga takimet më të rëndësishme mes aleatëve perëndimorë për vijimësinë e ndihmës për Ukrainën.
Më herët, Gjermania bëri thirrje për një gjykatë speciale ndërkombëtare për të ndjekur penalisht liderët rusë për luftën pushtuese në Ukrainë. Gjykata, sipas kryediplomates gjermane Baerbock, duhet të ketë vendndodhje jashtë Ukrainës, me mbështetje financiare nga partnerët dhe me prokurorë dhe gjyqtarë ndërkombëtarë që mbështesin paanshmërinë dhe legjitimitetin e kësaj gjykate.