Shefi i diplomacisë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se do të propozojë sanksionimin e zyrtarëve të Qeverisë izraelitë që “mundësojnë” dhunën e kolonëve hebrenj.
Këtë deklaratë Borrell e bëri më 16 gusht, një ditë pas një sulmi vdekjeprurës në një fshat në Bregun e pushtuar Perëndimor.
“Ditë pas dite, me një pandëshkueshmëri pothuajse totale, kolonët izraelitë nxisin dhunën në Bregun e pushtuar Perëndimor, duke kontribuar në rrezikimin e çdo mundësie për arritjen e paqes”, tha Borrell përmes një postimi në X.
“Qeveria izraelite duhet të ndalë menjëherë këto veprime të papranueshme”, shkroi ai, duke u zotuar se do të “paraqes një propozim për sanksione të BE-së” kundër personave që sipas tij mundësojnë dhunën, përfshirë “disa anëtarë të Qeverisë së Izraelit”.
Vendimi për sanksione të tilla do të kërkonte miratimin e të 27 shteteve anëtare të bllokut, të cilët janë të ndarë lidhur me konfliktin izraelito-palestinez.
Shtëpia e Bardhë ka dënuar sulmin në Xhit, afër Nablusit, duke e quajtur “të papranueshëm”. Autoriteti Palestinez tha se një palestinez është vrarë dhe një tjetër është plagosur gjatë sulmit.
Dhuna në Bregun Perëndimor, territor palestinez që është në pushtimin e Izraelit që nga viti 1967, është rritur që nga nisja e luftës në Gazë më 7 tetor mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Që atëherë, qindra palestinezë janë vrarë në Bregun Perëndimor nga ushtria izraelite apo kolonët.
Vendbanimet izraelite në Bregun Peërndimor – që sipas ligjit ndërkombëtar konsiderohen të paligjshme – po ashtu janë zgjeruar në nivel rekord.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanayahu, udhëheqë partinë konservatore, Likud. Që nga dhjetori i vitit 2022, ai udhëheqë Qeverinë izraelite dhe ka mbështetur ndërtimin e më shumë vendbanimeve në Bregun Perëndimor./ REL