Shqipëria do të marrë një tjetër eurobond në vitin 2025, me vlerë 600 milionë euro. Ministria e Financave ka nisur procedurat për një firme ligjore të specializuar në dhënien e konsulencës ligjore për emetimin e Eurobond-it të shtatë, me ekspertizë në ligjin anglez dhe ligjin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për letrat me vlerë.
Në garën e shpallur thuhet se ky eurobond që pritet të emetohet në muajit e parë të vitit 2025, do të përdoret për të mbuluar nevojat qeverisë, si për financimin e borxhit të kaluar ashtu edhe për shpenzime të tjera e mbështetje buxhetore.
Ministria e Financave, pret që eurobondi i ri që do të emetohet të jetë me afat maturimi nga 5-15 vjet dhe me normë të favorshme interesi, që do t’i shërbente nevojave të vendit.
Duke qenë se pas reduktimit të inflacionit bankat qendrore po lehtësojnë politikat e tyre monetare duke ulur normat bazë të interesit, borxhi mund të merret me një kosto më të ulët se ai i emetuar vjet, por ekspertët gjykojnë se situata në tregjet e huaja ende nuk është e stabilizuar.
Nëse emetohet ky do të jetë eurobondi i 7 që vendi ynë do të marrë në tregjet e huaja, pasi deri më tani kemi marrë në tregjet e huaja 6 eurobonde me vlerë 3.2 miliardë euro. Në 2010 u emetua eurobondi i parë 300 milionë euro me normë interesi 7.5%, në 2015 u mor borxh 450 milionë euro me normë 4.75%. Më tej në 2018 u morën 500 milionë euro me interes 3.5%, në vitet 2020 dhe 2021 u emetuan eurobondet me nga 650 euro me interesa 3.5% dhe 3.7% dhe i fundit ishte i vitit 2023, me vlerë 600 milionë euro dhe interes 5.9%.